Kërkon mandatin e tretë/ Veliaj, as përgjegjësi, as ngushëllim për vrasjen e Ardit Gjoklajt

Kërkon mandatin e tretë/ Veliaj, as përgjegjësi, as ngushëllim për vrasjen e Ardit Gjoklajt

15:07, 10/05/2023
A+ Aa A-

Mëngjesin e 7 Gushtit 2016, punonjësit e landfillit të Sharrës në Tiranë, panë, mes mbeturinave, trupin e pajetë të një të riu. Ishte mënyra më tragjike për të nisur ditën për punëtorët dhe sidomos familjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj.

Djaloshi Gjoklaj ishte shtypur nga një mjet i rëndë përpunimi mbetjesh, i cili nuk e kishte vënë re se 17-vjeçari kishte marrë një sy gjymë mbi pirgun e mbeturinave në mesin e natës.

Djaloshi ishte punësuar prej vetëm pak javësh në landfillin e mbeturinave, i cili në atë kohë menaxhohej nga kompania “3R”, në pronësi të Edurim Teqja, një zyrtar i rëndësishëm i Partisë Socialiste në Peqin.

Kompania “3R” ishte lejuar nga Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliaj, për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës.

Madje, Veliaj i kishte bërë një reklamë të madhe aktivitetit të shoqërisë “3R”, duke bërë thirrje publike qytetarëve për punësimin si përpunues dhe riciklues të mbetjeve urbane në Sharrë.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që sot e sigurojnë jetesën e tyre, duke ndërhyrë në koshat e bashkisë, që ta lënë atë punë të paligjshme, për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pa fund njerëz që realisht duan të punojnë”, deklaroi Veliaj në një video-kasetë të gatshme, që iu shpërnda me komandë të gjithë mediave në Tiranë, vetëm pak kohë para se Ardit Gjoklaj të pëfundonte tragjikisht nën automjetin e rëndë.

Ardit Gjoklaj dhe familja e tij e varfër jetonin në periferinë ekstreme të lagjes periferike Kombinat, pranë landfillit të Sharrës.

Ai ishte nxënës në gjimnaz dhe nuk kishte mundësi financiare për të blerë librat e shkollës.

Me shumë mundësi, pasi ka dëgjuar reklamën e Veliajt për kushtet “e mrekullueshme” të punës në landfillin e Sharrës, ai, megjithëse në moshë të mitur, vendosi të punësohet pranë kompanisë “3R” për përpunimin e mbetjeve urbane.

Natyrisht, kaseta e gatshme dhe e përgatitur për merak nga Erion Veliaj dhe stafi i tij, kanë qenë mëse bindëse për Ardit Gjoklaj, një djalosh që herë pas here e mbyllte mbrëmjen pa u ushqyer.

Në kohën kur bëri reklamën propagandistike për landfillin e Sharrës, Veliaj kishte më pak se një vit që kishte marrë postin e kryebashkiakut të Tiranës.

Ai e nisi me vrull reklamimin e çdo pune, madje edhe atyre të kota, për t’i siguruar vetes imazhin e një njeriu punëtor dhe që mendon për mirëqënien e qytetarëve.

Ishte një kohë kur ai ishte i papërballueshëm në propagandë, pasi menjëherë “futi në xhep” televizionet kryesore të vendit, të cilat i faleshin firmës së tij për ndërtime pallatesh e kullash në kryeqytet.

Nën këtë invasion propagande, fjalët e tij për “mrekullinë” e landfillit të Sharrës duket se ishin më shumë se bindëse për Arditin 17-vjeçar dhe për familjen e tij të varfër.

Arditi u punësua tek “3R” e Edurim Teqjas, duke shpresuar se do të siguronte të ardhura të mjaftueshme për të blerë një palë rroba të reja dhe librat për vitin e ri shkollor, që niste në shtator 2016.

Por, jeta u tregua shumë mizore me trupin e të miturit. Ai që besoi në fjalët e Erion Veliajt për kushtet e mira të punës në landfill, përfundoi në rrotat e mjetit gjigand, që nuk e kursey aspak jetën e tij.

Ardit Gjoklaj humbi jetën në mënyrë tragjike. Ndërsa Veliaj, njeriu që, me reklamën e tij, e bindi djaloshin për t’u punësuar te landfilli i Sharrës, as nuk denjoi të thoshte një fjalë ngushëlluese për familjen e tij.

Përkundrazi, mbi gjakun e të riut Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës u ngrit një sipërmarrje e dyshuar korruptive, “inceneratori”, një vepër që po hetohet nga SPAK-u për korrupsion madhor, por që nuk dihet nëse prokurorët e posaçëm do të kenë guximin t’i shkojnë deri në fund./ boldnews/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco