Të gjithë Nojzat, që na nxisin të votojmë Belindin

Të gjithë Nojzat, që na nxisin të votojmë Belindin

14:55, 09/05/2023
A+ Aa A-

Erjon Veliaj na ka dhënë arsye të mjaftueshme në 8 vite për ta braktisur modelin e tij, këtë profil që ka marrë pushtet pa meritë nga socialistët, me të cilin ka abuzuar gjithnjë. Na ka dhënë shkas me tepri, për ta refuzuar atë si një monument të falsitetit e mashtrimit, të përfitimit, e të ngritjes në këmbë të një sistemi gërditës të propagandës nga mëngjesi në darkë.

Por këto ditë të fundit para 14 majit, ai na ka dhënë edhe një motiv solid për ta harruar si politikan e për të votuar Belind Këlliçin.

Mbështetja që ka importuar nga disa “celebrity” dhe përplasja e tyre në surrat të qytetarëve të Tiranës me dhunë, përmes mediave që kontrollon, dëshmon jo vetëm mungesën e sigurisë që ka për konsensusin që mund të gëzojë tek banorët e kryeqytetit, por sidomos mungesën e respektit që ka për ta.

Në një qytet ku ajri është kaq i ndotur dhe i rrezikshëm për shëndetin, ku ai si kryebashkiak ka dorën e kontributin e vet, në vend se të dalë e të mbajë përgjegjësi, na lëshon Nojzin që t’na thotë se mirë jemi, se kështu e meritojmë. “Rrini aty urtë!”

Kur të nxihet jeta në trafik për të përshkuar distanca pak kilometra dhe teksa ti pret që kryetari i bashkisë të ofrojë një zgjidhje, ai të lëshon Luanën. Dhe të thotë me këtë rast “mos u anko! Je mirë, rri aty. Mbylle gojën!”

Kur sheh njerëz që mezi mbyllin muajin dhe paguajnë tarifat e taksat e rritura e s’kanë as ujë në shtëpi e s’kanë afër një çerdhe a një kopësht për fëmijët, ti ndoshta pret që Erjon Veliaj të thotë diçka, të ketë një veprim. Por ai nuk zhgënjen, të nxjerr bollshëm në plan të parë Çiljetën e të thotë “ja kjo është zgjidhja”.

Sipas Erjon Veliajt, ky është modeli që i duhet qytetit, ky soj, kjo kategori. Kjo është platforma e tij.

Shumica e dishepujve që ka thirrur në ndihmë, me ndonjë përjashtim, janë pjesë dhe krijues të atmosferës që e ka bërë këtë qytet e këtë vend të pajetueshëm.

Sepse kanë arritur pa talent, por në mënyra të dyshimta të bëjnë shumë para, janë përfitues të fondeve bashkiake, të borderove e të mirave të tjera dhe asnjëherë të vetme nuk kanë rrezatuar ndonjë përgjegjësi sociale.

Këta tipa kanë dëmtuar me sa kanë mundur meritën dhe kanë ndikuar në humbjen e besimit e shpresës, përpos rasteve kur drejtpërdrejt janë përfshirë në shkelje të ligjit, në ushtrim dhune, e në frymëzim të akteve që një shoqëri nuk i pranon.

Çdo qytetari e votuesi të Tiranës, Veliaj me këtë paradë ua ka bërë edhe më të thjeshtë zgjedhjen të dielën që po vjen, sepse u ka dhënë rastin të refuzojnë jo vetëm korrupsionin me taksat dhe atë moral, por po ashtu, të hedhin poshtë me forcë talljen e tij me imponimin si normë të vanitozëve pa vlerë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco