Drejtuesi i Vetëvendosjes bën thirrje: Votoni për Belind Këlliçin

Drejtuesi i Vetëvendosjes bën thirrje: Votoni për Belind Këlliçin

19:55, 07/05/2023
A+ Aa A-

Drejtuesi i Vetëvendosjes në Shqipëri, Bojken Abazi ka bërë thirrje për të votuar Belind Këlliçin në zgjedhjet e 14 majit për kryebashkiak të Tiranës.

Shënimi i Bojken Abazit në Facebook:

Mospjesëmarrja në votime nuk është neutralitet (një propozim për zgjedhjet lokale në Shqipëri)

Në shumicën e zgjedhjeve, partia në pushtet përfiton nëse pjesëmarrja në votime është e ulët. Duke patur pushtetin, e ka më të lehtë organizimin në terren për të nxjerrë bazën e saj në votime.

Kjo vlen edhe për këto zgjedhje në Shqipëri. Kjo vlen veçanërisht për Shqipërinë, kur shohim mënyrën se si pushteti i përdor të gjitha mjetet publike që ka në dispozicion për të fituar zgjedhjet. Pra, kush po mendon të mos votojë në këto zgjedhje, nga që nuk është i/e bindur nga asnjëra palë, dhe mendon se përmes mospjesëmarrjes ruan pastërinë e tij/saj, nuk i ka bërë mirë llogaritë. Një shoqëri ndikohet jo vetëm nga aktet që ne kryejmë, por edhe nga aktet që ne vendosim të mos i kryejmë. Duam apo s’duam, duke mos votuar, i mbajmë anën (edhe pse jo me dashje) pushtetit. Prandaj, mosvotimi në këto zgjedhje është miratim (indirekt) në heshtje i pushtetit aktual. 

Kjo nuk do të thotë se votimi sjell ndryshim real. Në fakt, edhe nëse ndërrohet pushteti vështirë të ketë ndryshime domethënëse për qytetarët nga partitë e mëdha që janë aktualisht në garë. Është vështirë madje edhe që vota mos të vidhet. E di këtë sepse e pash në zgjedhjet e fundit, e regjistruam me celularët tanë dhe e publikuam, e pamë edhe nga kamerat e KQZ-së dhe i publikuam edhe ato pamje që dëshmonin pa asnjë mëdyshje se kush i vidhte dhe si i vidhte votat, edhe pas votimit, në tavolinat e numërimit. Pavarësisht denoncimeve me video në KQZ, Polici e me radhë, askush nuk u dënua. Askush. 

Si të veprohet atëherë, nëse kur nuk votojmë i mbajmë anën indirekt pushtetit, e nëse votojmë nuk është e thënë se ndryshojmë diçka, dhe madje edhe votën mund të na e vjedhin? Dilema nuk është e vogël, por e ka një dallim. Rasti i parë i mosvotimit, është e sigurtë që ndihmon pushtetin. Rasti i dytë, ka një probabilitet, sado të vogël, që të ketë një ndikim, sado të vogël. Për pushtetin është më e lehtë të vjedhë pak vota, sesa një lum votash. Prandaj, votimi mbetet një opsion më domethënës, gjithnjë pa e gënjyer veten për situatën dhe aktorët që janë në garë.

Për kë të votojmë atëherë? Secili duhet ta vendos vet, por në Tiranë, një zgjidhje mund të ishte:

1. Vota për kryetar: Belind Këlliçi, si mundësi për të çbetonizuar sundimin 10 vjeçar mbi Shqipërinë.

2. Vota për Këshillin Bashkiak: subjekteve të reja politike!

*** Mendimet dhe opinionet e shprehura më lart janë personale, dhe për to nuk mban përgjegjësi askush tjetër përveç meje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco