Lajmi i fundit

LIVE/ Argita Malltezi konferencë për shtyp

Reporterët pa Kufij: Situata politike në Shqipëri është përkeqësuar, ka pasoja për lirinë e shtypit

Reporterët pa Kufij: Situata politike në Shqipëri është përkeqësuar, ka pasoja për lirinë e shtypit

14:17, 06/05/2023
A+ Aa A-

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) me anëtarë në Francë, Zvicër, Itali, SHBA dhe Kanada ka realizuar një intervistë ekskluzive me Reporterët pa Kufij (RSF) me seli në Paris për një shpjegim të detajuar të notës që i është dhënë Shqipërisë në Raportin e fundit mbi lirinë e shtypit në botë. Indeksi vjetor i lirisë së mediave e lë gjithmonë Shqipërinë në vend të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe në vendin e parafundit në kontinentin Europian.

Është drejtori i Reporterëve Pa Kufij për zonën BE-Ballkan, Pavol Szalai, njëkohësisht përgjegjës i raportit të sintezës mbi Shqipërinë, që ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve tona. Përveç Shqipërisë ku trajtohet dhe rasti i medjave që nuk citohen në raport, kjo intervistë ndalet në çdo vend të zonës së Ballkanit jug-perëndimor duke përfshirë dhe rastin e veçantë të Greqisë, pa harruar së fundmi dhe Shba-të si demokracia më e madhe në botë por që ka dhe ajo vështirësi me lirinë e shtypit. Kjo nuk e ka penguar Sekretarin amerikan të Shtetit, Z. Antony Blinken të asistojë personalisht në prezantimin e Raportit kritik për Shba-të të Reporterëve pa Kufij në Uashington, ndërkohë që në Tiranë , qeveria është shquar për indiferencën e saj. Le të shërbejë kjo intervistë me Reporterët pa Kufij si një sinjal alarmi për autoritetet shqiptare. « Asnjë lider politik në Shqipëri nuk mund të jetë i kënaqur me pozicionin e vendit të tij » thotë në këtë intervistë z.Pavol Szalai. Në indeksin botëror të lirisë së shtypit Shqipëria zë gjithmonë vendin e fundit në rajonin e saj dhe të parafundit në kontinentin europian.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Na lejoni t’ju bejme qe ne hyrje kete pyetje qe e gjykojme me interes për gazetarët në Shqipëri dhe për opinionin publik në përgjithësi. Konstatohet ne raportin tuaj mbi lirine e shtypit ne Shqiperi nje forme paradoksi : nga njera ane Shqiperia figuron në klasifikimin boteror te lirisë së shtypit me disa vende më lart se një vit më parë , por nga ana tjetër brendësia e analizës suaj përmban tone shumë më kritik ese ç’lë të kuptoje progresi ne « kopertine ». Si e shpjegoni që analiza është më e ashpër se nota ?

Reporterët pa Kufij: Jam i kënaqur që mund t’ju jap këtë intervistë dhe përveç kësaj është shumë mirë që gazetarët shqiptarë jashtë vendit janë kaq mirë të organizuar. Nuk ndodh gjithmonë ky përkushtim i njëjtë edhe me gazetarët e vendeve të tjera, ku liria e shtypit çalon. Më lejoni fillimisht disa konsiderata për indeksin e lirisë së shtypit në përgjithësi në botë dhe më pas për Shqipërinë në veçanti.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit është njëkohësisht një krahasim në nivele ndërkombëtare dhe një matës i lirisë së shtypit. Ky indeks mbështetet në një metodologji shumë transparente dhe mjaft të detajuar që gjithkush mund ta konsultojë në faqen tonë të internetit. Kjo metodologji u modernizua vitin e kaluar.

Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi se sa vende fiton apo humb në klasifikim një shtet, por sidomos nota e performancës (score) që merr ky shtet. Po të vërejmë rastin e Shqipërisë në pamje të parë duket sikur Shqipëria ka avancuar për sa i përket lirisë së shtypit meqenëse ajo renditet këtë vit shtatë vende më mirë se një vit më parë, duke kaluar nga vendi i 103-të në vendin e 96-ë, midis 180 shteteve të indeksuara. Por nota tjetër, ajo që jep performancën, pothuajse nuk ka lëvizur. Vitin e kaluar kjo notë i jepte Shqipërisë 56.41 pikë ndër 100. Ndërsa këtë vit 57,86 pikë ndër 100. Diferenca është fare minimale, vetëm 1.45 pikë mbi 100. Asnjë vend nuk ka 100 pikë. As Norvegjia, që konsiderohet si më e mira, nuk i ka 100 pikë. Ne konsiderojmë se Shqipëria nuk ka bërë përparim të dukshëm, ndonëse rezultati i Shqipërisë në dukje është përmirësuar minimalisht.

Ja si shpjegohet ky paradoks. Ato shtatë vende më lart që Shqipëria ka fituar në klasifikim nuk vijnë tërësisht për meritë të saj, por për shkak të zbritjes në klasifikim të shteteve të tjera që ndodheshin para saj. Duke qenë se është një analizë krahasuese në nivel ndërkombëtar, pozicioni i secilit vend varet edhe nga pozicioni dhe situata e vendeve të tjera. Theksoj se është e rëndësishme të vështrohet jo vetëm rendi në klasifikim, por edhe nota e performancës (score), pasi është kjo notë që pasqyron gjendjen e vetë shtetit, pa e krahasuar me shtete të tjera. Pra, është me të vërtetë e rëndësishme të analizojmë tani me prioritet këtë nocion të performancës sepse ajo tregon gjendjen reale të lirisë së shtypit në Shqipëri. Mund t’ju them se bazuar në këtë performancë, rezulton se Shqipëria në fushën e lirisë së shtypit, vuan. Ajo këtë vit është në stanjacion. Brenda notës së performancës ka 5 tregues.
I pari dhe më i rëndësishmi është kriteri politik që bazohet në situatën politike të vendit, sepse ajo ka ndikim madhor në lirinë e shtypit.

Shikoni me vëmendje në rastin e Shqipërisë se si ky tregues politik ka degraduar qartësisht.

Vitin e kaluar ne i jepnim treguesit politik në Shqipëri një notë 50.55 mbi 100. Këtë vit ky tregues humb tre pike, me 47.76 pike mbi 100.

Kjo do të thotë se klima politike është përkeqësuar. Dhe për ne është shumë e qartë. Nëse klasifikimi i Shqipërisë në indeksin tonë do të bëhej vetëm mbi bazën e treguesit politik, Shqipëria nuk do të ishte në vendin e 96 por në atë të 124 ndër 180 shtetet e renditura.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Por atëhere, përse nota globale e performancës së Shqipërisë ka fituar rritje, qoftë dhe minimale?

Reporterët pa Kufij : Siç e thashë më parë, në këtë notë ka pesë tregues. I pari ka të bëjë me kontekstin politik.

Ky tregues është përkeqësuar. Treguesi tjeter që lidhet me sigurinë (fizike te gazetareve) ka marrë një notë më të mirë se vitin e kaluar. Ky është në rradhë të parë rezultati i përgjigjeve të të anketuarve ndaj pyetësorëve tanë për Shqipërinë.

Së dyti, kjo notë më e mirë që i është dhënë këtë vit treguesit te sigurisë, pasqyron përpjekjet e policisë shqiptare për të ndaluar në mënyrë më efikase ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj gazetarëve. Po sjell si shembull rastin e sulmit ndaj gazetarit Elvis Hila. Autorët e sulmit kundër tij u identifikuan mjaft shpejt. Reporterët pa kufij dhe organizata të tjera kanë publikuar komunikata që përshëndesin përpjekjet e policisë shqiptare për këtë rast. Kjo reflektohet në një notë më të mirë që i japim kriterit të sigurisë në raportin tonë vjetor krahasuar me një vit më parë.

Treguesi tjetër, ai i kuadrit ligjor në lidhje me lirinë e shtypit, ashtu si treguesi politik nuk e përmirëson notën e përgjithshme të Shqipërisë në këtë raport vjetor sepse ka një rënie ndonëse të vogel.

Treguesi ligjor jep një imazh me kontraste. Nga njëra anë ka një zhvillim pozitiv sepse paketa ligjore aq e përfolur kundra shpifjeje por që kufizonte lirinë e shtypit, më në fund u hoq nga Parlamenti. Ky ishte një gjest në kahun e duhur për lirinë e shtypit. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos merrnim parasysh një zhvillim negativ në treguesin ligjor kur prokuroria shqiptare u ndaloi gazetarëve dhe mediave të publikojnë informacione që rridhnin pas një sulmi kibernetik ndaj institucioneve shqiptare ndoshta me origjinë iraniane. Dhe në fakt për shkak të këtij vendimi të prokurorit, Shqipëria cilësohet si një vend problematik në analizën tonë për Evropën dhe Azinë Qendrore. Janë shumë pak vende që përmenden me emer mes 60 vendeve që përbëjnë këtë zonë të globit. Nuk mund t’i përmendim të gjitha vendet, por identifikojmë tendencat në rajon. Një nga tendencat që vërejmë është rasti negativ i Shqipërisë dhe kufizimi i paligjshëm i lirisë së shtypit në emër të sigurisë kombëtare. Është Shqipëria që merret si shembull për keq në raportin tonë vjetor për gjithë zonën Europë dhe Azi Qëndrore. Në këtë analizë përmendet për keq dhe një shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor, Serbia.

Prandaj them se treguesi ligjor i jep Shqipërisë një imazh të përzier. Nga njëra anë kemi heqjen e paketës antishpifje nga rendi i ditës së parlamentit dhe nga ana tjetër kemi kufizimet e vendosura nga prokuroria për mos dhënie informacionesh pas sulmeve kibernetike, në emër të sigurisë kombëtare.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Mbeten dhe dy treguesit e fundit për t’u analizuar, ai ekonomik dhe ai socialkulturor. Këta dy tregues duket se kanë vlerë në notën globale të performancës së Shqipërisë, sepse i japin pikë shtesë vendit në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që treguesit politik dhe ligjor i kanë hequr pikë notës globale. Cili është shpjegimi juaj mbi këta dy tregues ekonomikë dhe sócio-kulturor me rritje relative?

Reporterët pa Kufij: Rritja e treguesit ekonomik (+5,74) dhe një përmirësim i lehtë i treguesit social (+1,77) reflektojnë një ndërgjegjësim për problemin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit në media. Shumë aktorë në Shqipëri, duke përfshirë një platformë për vetërregullimin etik, po bëjnë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e gazetarëve dhe opinionit publik për këtë temë. Megjithatë, ky problem mbetet shumë i rëndësishëm, gjë që reflektohet edhe nga nota ende e ulët e treguesit ekonomik. Nëse Shqipëria do të renditej vetëm në bazë të këtij treguesi, ajo do të ishte e 148-a ndër 180 vende dhe jo e 96 ndër 180 siç është sot.

Përdorimi i mediave nga pronarët e tyre, për të ndjekur interesat private, ose politike në dëm të interesit të përgjithshëm është një plagë që e kemi përmendur në raport. Po ashtu, në një deklaratë të përbashkët të disa organizatave ndërkombëtare dhe të Reporterëve pa Kufij ne e trajtojmë këtë fenomen si “burim i një numri të madh kërcënimesh kundër gazetarisë së pavarur”.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : A e kuptoni ju skepticizmin e disa kolegëve gazetarë kur panë në renditjen e Shqipërisë në këtë raport një lloj note progresi për qeverinë Rama pa i hyrë një analize kaq të thellë siç e bëni ju? Kolegë gazetarë në Shqipëri hodhën dhe tezën e një influencimi të mundshëm të Reporterëve pa Kufij nga qeveria e Edi Ramës pas planeve për të organizuar një konferencë të përbashkët me kryeministrin në Shqipëri për lirinë e shtypit…

Reporterët pa Kufij: E ritheksoj këtu atë që kemi thënë tashmë. Renditja e një vendi në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit nuk mund të ndikohet nga asnjë diskutim apo takim me politikanet e një vendi .

Po ju jap një shembull. Nëse shikoni rastin e Shteteve të Bashkuara në raportin tonë, pozita e këtij vendi në renditjen globale është përkeqësuar. Shtetet e Bashkuara kanë zbritur nga vendi 42 në 45. Dhe nota e performancës së lirisë së shtypit në SHBA po ashtu ka pësuar rënie në këtë raport. Arsyeja kryesore është vrasja e gazetarëve. Janë dy gazetarë të vrarë ne SHBA. Kur renditja u prezantua në Uashington këtë javë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ishte vetë i pranishëm për të dëgjuar raportin tonë të Reporterëve pa Kufij. Me këtë dua të them se një diskutim me një politikan është pjesë e punës sonë, e strategjisë sonë për të përmirësuar lirinë e shtypit në vend përmes një kanali dialogu. Por kjo nuk ndikon kurrsesi në renditjen e vendeve.

Unë mund të marr po ashtu shembullin e Sllovakisë. Ne takuam kryeministrin sllovak në vitin 2021 dhe megjithatë Sllovakia humbi dy vende në raportin tonë vjetor . Arsyeja ishte konkretisht situata e lirisë së shtypit në atë vend.

Tjetër fakt që mund të shtoj është se dhe për raportin e tij vjetor mbi gjendjen e shteteve në botë, Departamenti Amerikan i Shtetit konsultohet rregullisht me Reporteret pa Kufij për sa i përket pjesës së lirisë së shtypit në çdo vend. Ne jemi një bashkëbisedues i besueshëm për autoritetet amerikane, ashtu siç jemi për institucionet evropiane që na konsultojnë për situatën e lirisë së shtypit në vendet anëtare dhe në vendet kandidate.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Ne besojmë se reputacioni i RSF-së në Shqipëri nuk vihet në pikëpyetje. Përkundrazi, RSF është si një lloj busulle për të gjithë shtypin dhe për opinionin e gjerë publik shqiptar. Provë per këtë, është fakti se Raporti i këtij viti u pasqyrua dhe u komentua shumë në mediat shqiptare, ndonëse qeveria shqiptare nga ana e saj nuk ka bërë asnjë koment. E megjithatë qeveria duket sikur I ka shpëtuar në këtë raport numërimit te disa rasteve të konsideruara si sulme flagrante ndaj medjave nga kolegët tanë gazetarë investigues të Birn Balkaninsght . Në një artikull syresh të kohëve të fundit shpaloseshin në detaje gjobat qeveritare ndaj Oranews apo ndaj medjave te grupit Hysenbelliu si News24, Balkanweb , Panorama. Po ashtu ndaj këtij grupi lajmet nga Shqipëria u kane bërë një jehonë të madhe episodeve të shpërthimit me eksploziv tritol të disa pronave private pa vendim gjyqësor. Këto akte të egzekutivit shqiptar janë interpretuar edhe si një mesazh kërcenimi ndaj të gjitha mediave që nuk rreshtohen në të njëjtën linjë me diskursin qeveritar. Në një paragraf të sintezës për Shqipërinë në raport, ju vërtetë citoni disa medja si kryesore në Shqipëri por medjae e sulmuara nuk përmenden përveç rastit të Top Channel. Na bëri përshtypje po ashtu se në krye të një liste të shkurtër me disa media kryesore në Shqipëri ju vini Radio Televizionin publik Shqiptar (RTSH) . Publiku shqiptar ndoshta nuk e ka një perceptim të tillë për këtë media jo shumë të frekuentuar e cila mund të konsiderohet me të drejtë apo pa të drejtë si shtojcë e propagandës qeveritare.

Reporterët pa Kufij (RSF) : Sintezat që botojmë në Raport për secilin vend nuk janë shteruese. Ne bëjmë një përmbledhje të gjendjes për të dhënë një ide mbi peizazhin mediatik të secilit vend. Po kështu edhe për Shqipërinë, fatkeqësisht nuk mund të japim listën e plotë të të gjitha mediave. Dua të theksoj se renditja jonë nuk është renditje e mediave, është renditje shtetesh. Mediat publike i vendosim sistematikisht në sintezën e situates së një vendi sepse mediat publike financohen nga taksapaguesit dhe është e rëndësishme që ato thjeshtë meritojnë të përmenden. Ne nuk komentojmë për cilësinë apo peshën e që zënë mediat në çdo vend.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Të na falni që po ju ndërpresim , por është vetë raporti juaj që përdor termin “mediat kryesore në Shqipëri …”. Termi “ kryesore” a nuk është cilësues për ju ? Dhe një herë, na kuptoni. Konfuzioni që mund të ndiejmë rrjedh natyrshëm nga fakti se citohen në raport si kryesore disa media te tipit RTSH dhe as nuk u zihet as emri në gojë medjave qe jo vetëm mund të konsiderohen si kryesore në perceptimin publik por që më tepër edhe jane sulmuar e po sulmohen. Televizionit News24 për t’iu rikthyer sërish ketij rasti, i është dhënë mesa duket urdhëri arbitrar të largohet nga ndërtesa ku është instaluar dhe ku ka investuar që prej dy dekadash, përpos gjobave që ka marrë. A mund të denoncoheshin këto shkarje në raportin tuaj?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Nuk duhet dhënë përshtypja se ka një komplot. Sinteza që i kushtojmë çdo vendi në raport është diçka e mrekullueshme dhe e qartë. Vitin e kaluar vendosëm të mos publikojmë një sintezë të re për çdo vend sa herë që publikohet indeksi vjetor i lirise se shtypit. Për herë të parë publikuam për vitin 2021 një lloj të ri të sintezës së vendit . Pra është sinteza e një viti më parë që është ripublikuar tani me disa ndryshime. Dhe askush në raportin mbi Shqipërinë të vitit të kaluar nuk na tha se nuk kishim cituar këto apo ato media, si News24 apo Balkanweb. Askush nuk na bëri vërejtje pse e kishim përmendur RTSH-në në krye të një fjalie si media kryesore.

Dua të ndalem tek rasti i mediave te sulmuara që ju përmendni. Për sa i përket News24, mund t’i pyesni, ne kemi qenë në kontakt me ta për të kuptuar saktë thelbin e kësaj çështjeje që lidhet me përfundimin e kontratës së qirasë, me kërkesen që të largohen nga ndertesa, dhe me kontrollet e autoriteteve tatimore që kanë pasur. Dua t’ju siguroj se ne jemi përqëndruar shumë në këto ngjarje dhe po i studiojmë thellë. Ne jemi ende në pritje të informacionit që i kemi kërkuar News24 në lidhje me kontratën e qirasë. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, lidhur me kontrollet tatimore dhe sanksionet, ne i kemi ndjekur po ashtu me shumë shqetësim.

Kemi pyetur autoritetet shqiptare për këtë dhe u kemi kërkuar listën e mediave që janë sanksionuar dhe metodologjinë e përdorur. Ne nuk e morëm këtë listë sepse autoritetet na thanë se nuk mund ta zbulojnë atë pa pëlqimin e palëve të prekura. Jemi pra në kontakt me News24 për të marrë gjithë informacionin që na nevojitet dhe po e ndjekim me shqetësim këtë rast.

Edhe një herë dua të theksoj se sinteza për Shqiperinë është ajo që kemi publikuar në raportin e vitit të kaluar dhe që nga ai moment e përditësojmë vetëm nëse ka zhvillime të rëndësishme.

Për Shqiperinë në raportin e ketij viti kemi bërë një përditësim të lehtë. Jemi akuzuar padrejtësisht në një artikull të “Lapsi.al” se në raportin tonë të këtij viti, në sintezen mbi Shqiperinë, se Reporteret pa Kufij paskan hequr një fjali që figuronte vitin e kaluar dhe nuk figuroka më tani, siç është paragrafi : “Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me politikanë dhe në të njëjtën kohë operojnë në sektorë që kanë nevojë për rregullim nga shteti, si ndërtimi”. Kjo nuk është e vërtetë. Këtë fjali ne nuk e kemi hequr. Ajo vazhdon të jetë aty dhe këtë gjë çdokush mund ta verifikojë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Në sintezën e vendit, në rastin e Shqipërisë ka një paragraf që koincidon rrjedhshëm me atë çka ndiejnë shumë kolegë gazetarë në Shqipëri, “kalvari” për të mos pasur akses në informacione që duhet të ishin publike. A është ky një fenomen i njëjtë për të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit apo kjo pamundesi per te përftuar informacion publik është specifik për Shqipërinë?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Unë nuk mendoj se në Shqipëri gazetarët janë në pamundësi për të marrë informacion publik. Unë mendoj se po, ka vështirësi. Vështirësi të ngjashme mund të shihen edhe në vende të tjera të Ballkanit. Mendoj se kjo përbën problem, është diçka që duhet përmirësuar.

Mendoj se problemi më i madh është pikërisht kjo fjali që cituam më sipër. Ajo tregon për lidhjen e disa pronarëve kompanish të mediave me politikanët që u japin favore në sektore që ligji i bën të rregullohen nga Shteti. Këtu jemi tërësisht dakord me gazetaret e “Laps-it”, pra për konfliktin e interesit në të cilin ndodhen këta pronarë mediash. Ky është problemi më i madh i lirisë së shtypit në Shqipëri dhe kjo reflektohet dhe në deklaratën e përbashkët që kemi bërë me organizata të tjera, përfshirë Federatën Evropiane të Gazetarëve, e cila përmend këtë problem si mëma e problemeve të pejsazhit mediatik në Shqipëri. Ky është një vëzhgim që ne ndajmë me organizata të tjera gazetarësh.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor a keni një përgjigje pse Shqipëria është ende në vendin e fundit në këtë pjesë të Evropës? Çfarë shkon më keq në Shqipëri se gjetiu ? Kjo pyetje na intrigon edhe më shumë po të krahasojmë në raportin tuaj Shqipërinë me Bosnjën. Ky vend paraqitet më mirë se Shqipëria në fushën e lirisë së shtypit, ndërkohë që të gjithë biem dakord se Bosnja është vendi me situatën poltike më problematike në Ballkanin Perendimor. Si mund ta shpjegoni pra këtë situatë të veçantë në Shqipëri në renditjen tuaj si vendi më mediokër ne Rajon, ndonëse në Shqipëri ndodhi një alternancë para dhjetë vjetësh me politikanë të rinj të supozuar me botekuptim më të hapur. « Moderniteti » i kësaj klase të re politike nuk është reflektuar asnjëherë në indeksin tuaj të lirisë së shtypit po të kihet parasysh se Shqipëria vegjeton gjithmonë në vend të fundit në Rajon. Si ta shpjegojmë këtë ? ….

Reporterët pa Kufij (RSF) : Mendoj se ka një shqetësim të veçantë për Shqipërinë që lidhet me nivelin e dhunës. Me këtë nënkuptoj sulmet fizike ndaj gazetarëve. Ka relativisht shumë sulme fizike ndaj gazetarëve në Shqiperi. Se dyti, mendoj, se ajo që e bën të veçantë për keq Shqipërinë, është ajo që thashë më sipër, konflikti i interesit të pronarëve të mediave lidhur me politikën. Ky është një problem që ekziston sigurisht dhe në vende të tjera. Por në Shqipëri proporcionalisht ky fenomen është i veçantë për nga përmasat e mëdha që ka marrë. Shqipëria është një vend ku gazetarët janë nën presion politik, prandaj dhe jua ekspozova më sipër se thelbi i notës, është kriteri politik. Pikërisht kjo notë e përkeqëson vendin që zë Shqipëria në raport. Bosnja është një vend shumë i ndërlikuar, ku liria e shtypit nuk po ecën mirë. Bosnja mund ta ketë notën më të lartë se Shqipëria, por në fakt, Bosnja është së bashku me Sërbinë një nga dy vendet në Ballkanin Perëndimor, ku nota e performancës këtë vit është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar. Nëse Bosnja ka fituar disa vende në indeks, kjo ndodh njësoj si në rastin e Shqipërisë. Bosnja përfiton nga zbritja në renditje e disa vendeve të tjera.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Megjithatë, fakt është se Bosnja pozicionohet me 30 vende më sipër se Shqipëria dhe me notë performance gati 10 pikë më mirë se Shqipëria…

Reporterët pa Kufij (RSF) : Nuk duhet pasur zili Bosnja. Kohët e fundit, presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodic, sulmoi egërsisht gazetarët. Gazetarët kanë qenë viktima të sulmeve fizike. Ai do të promovojë një ligj që do të rikriminalizojë shpifjen. Ne e denoncuam atë. Por Bosnja nuk është një vend i centralizuar. Institucionalisht, është një vend mjaft i decentralizuar. Në zona të marra ne veçanti, Federata e Bosnje-Hercegovinës ua lehtëson pak situatën gazetarëve, por në nivel global, politikisht Bosnja është një vend i bllokuar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Dy vendet që qëndrojne në “majat” e zonës së Ballkanit Perëndimor në klasifikimin tuaj për lirinë e shtypit, janë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Cili është çelësi i “suksesit” të tyre?

Reporterët pa Kufij (RSF): Po, sa i përket Maqedonisë së Veriut ka pasur zhvillime pozitive. Në veçanti, ekziston një prokuror në Shkup i ngarkuar për hetimin urgjent të sulmeve ndaj gazetarëve dhe shteti po shqyrton mundësinë për krijimin e dy posteve të tjera të ngjashme në vend. Ka edhe një ligj të ri, sipas të cilit sulmet apo krimet ndaj gazetarëve përbëjnë rrethana rënduese. Sa i përket Malit të Zi, ajo që ka rëndësi janë zhvillimet e fundit politike. Ish presidenti Milo Gjukanoviç në fakt filloi ta humbasë gradualisht pushtetin gjatë viteve të fundit dhe kjo ka kontribuar shumë në qetësimin e klimës politike dhe asaj të lirisë së shtypit. Është e qartë se vendi është i polarizuar, por gazetarët ndjejnë më pak presion politik. Patëm një rast emblematik të gazetarit Martinovic, i cili u akuzua pa të drejtë dhe i cili pas vitesh vështirësish ligjore u lirua në fillim të vitit 2023. Këto janë zhvillime shumë pozitive në Mal të Zi.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Ka megjithatë një vend që « thyen rekordin » e Shqiperisë në Europë për mos garantimin e një klime të favorshme për lirinë e shtypit. Kjo është Greqia. Si është e mundur ?

Reporterët pa Kufij (RSF): Gjendja e lirisë së shtypit është dëshpëruese në Greqi ndryshe nga shumë vende të tjera të BE-se. Është një vend ku një gazetar u vra në vitin 2021. Greqia është një vend ku dy vjet pas këtij krimi të shëmtuar të dyshuarit ende nuk ishin vënë para drejtësisë. Dy të dyshuarit janë arrestuar së fundi, pikersiht pak para publikimit të raportit tonë. Është një procedurë jashtëzakonisht e ngadaltë. Greqia është një vend ku ende nuk është bërë drejtësi në këtë vrasje gazetari pavarësisht dy arrestimeve të javëve të fundit. Pika e dytë shumë e rëndësishme për degradimin e notës së Greqisë është skandali i përgjimit të gazetarëve me software-in spiun “Predator”. Rreth 13 gazetarë u përgjuan në mënyrë arbitrare ndonëse këta gazetarë nuk ishin objekt i ndonjë procedure penale. Rasti i Greqisë përbën cenimin më të rëndë për lirinë e shtypit në Bashkimin Evropian për vitin e kaluar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Çfarë i kritikohet Greqise ? Roli i ekzekutivit apo sistemi i drejtësisë?

Reporterët pa Kufij  (RSF): Në fakt të dyja. Ky rast përgjimi ende nuk është zbardhur. Ne dimë se këta gazetarë janë mbajur nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret dhe dimë po ashtu se u përdor sistemi i përgjimit « Predator ». Por nuk e dimë se kush e përdori Predatorin kundër gazetarëve. Është një çështje shumë e mjegullt, shumë e errët. Qeveria ka propozuar një ligj të ri mbikqyrjeje për mediat por që nuk është në adekuacion me situatën. Pra, reagimi politik ishte i pamjaftueshëm.

Së dyti, nuk është bërë drejtësi për gazetarët viktima të përgjimeve arbitrare.

Së fundi, këto përgjime në Greqi përbejnë arsyen për ndryshime në legjislacionin evropian në lidhje me lirinë e shtypit, me një nen të ri që propozohet për të ndaluar survejimin e gazetarëve pa përjashtim. Ky është dhe një herë rasti më i madh i cënimit të lirisë së shtypit gjatë vitit të kaluar në BE. Problemi grek është se për menaxhimin e shërbimeve sekrete greke ishte përgjegjës nipi i kryeministrit, i cili ishte njëkohësisht edhe shef i kabinetit të tij. Është sfondi politik apo konteksti politik i kësaj afere që e ka shndërruar atë në një skandal shtetëror.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Ju mendoni se me raportin tuaj vjetor mund të keni një ndikim për vendet në fjalë…. Për të përshpejtuar marrjen e vendimeve të duhura ?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Mendoj se kjo është pasuria jonë kryesore. Sepse ne kemi një vizion ndërkombëtar. Shpresojmë që po. Shpresojmë që kjo renditje të ketë ndikim dhe asnjë politikan në Shqipëri të mos mbetet i kënaqur në vendin e parafundit të renditjes mes 40 vendeve evropiane nga Islanda në Ballkan e deri në Ukrainë apo Rusi. Asnjë lider politik në Shqipëri nuk mund të jetë i kënaqur me këtë pozicion.

Dua të përmend edhe vrasjen e punonjësit të sigurisë në selinë e Top Channel në Shqipëri. Na vjen thellësisht keq. Ne bëmë një deklaratë kur ai u vra. Ky krim është përmendur në sintezën e raportit të sivjetshëm për Shqipërinë. Për ne ky punonjës sigurie që punonte në një media, konsiderohet si efektiv në media. Pra është brenda mandatit të raportit tonë dhe prandaj përmendet në të si një bashkëpunëtor i vrarë i mediave.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Kur lexojmë raportin tuaj pë Ballkanin vërejmë forma ngjajshmërie mes Bullgarisë dhe Shqipërisë…

Reporterët pa Kufij (RSF): Ekzakt, ka mjaft ngjajshmëri. Kjo lidhet me problemin e oligarkisë në media në Bullgari. Por, si në rastin e Malit të Zi, ajo që e bën Bullgarinë të fitojë pikë është përmirësimi politik në terma afatgjatë. Për pjesën më të madhe të vitit 2022 ishte qeveria Petkov ajo që ishte në pushtet dhe e uli presionin që pësonin mediat nga qeveria e mëparshme e Borisovit, që ishte absolutisht shkatërruese për lirinë e shtypit. Kjo ishte një nga arsyet që bënte që Bullgaria të radhitej e fundit në indeksin e lirisë së shtypit në zonën europiane.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Pra, rotacioni politik mund të shërbejë si terapi për të përmirësuar raportin mes pushtetit dhe medias ?

Reporterët pa Kufij (RSF): Po, mjaftueshëm.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Ndoshta shembulli i Maqedonisë së Veriut, ku një prokuror merret posaçërisht me krimet ndaj gazetarëve dhe ligji i ri, i cili i vlerëson sulmet ndaj gazetarëve si rrethana rënduese, mund të frymëzonte autoritetet shqiptare pa pritur rotacione? C’mendim keni ?

Reporterët pa Kufij (RSF): Nuk mund t’ia lejoj vetes të them se Shqipëria duhet të frymëzohet konkretisht nga këto masa. Mendoj se të gjitha reformat në Shqipëri në lidhje me gazetarinë duhet të diskutohen me gazetarët dhe mediat vendase. Nuk ia lejoj vetes të them se çfarë duhet të bëjë Shqipëria. Kur i bënim rekomandime qeverisë greke, serbe, bullgare, gjithmonë konsultoheshim me gazetarët vendas. Kjo është praktika jonë dhe ne e bëjmë gjithmonë. Nuk do të bëj rekomandime shumë konkrete. Mund të flasim në mënyrë të përgjithshme, duke u përpjekur që masat konkrete t’i rekomandojmë pas diskutimeve me gazetarët dhe mediat lokale.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Kjo është një mundësi për të diskutuar përmes një konference për lirinë e mediave në Shqipëri. A është ky projekt ende në rend të ditës ? Një shkrim i kolegëve tanë të Laps-it, para disa javësh, fliste për këtë perspektivë por, me nuanca mospajtimi, nëse kjo konferencë instrumentalizohej nga Edi Rama duke u bashkorganizuar nga qeveria shqiptare.

Reporterët pa Kufij (RSF): Ky projekt për mbajtjen e kësaj konference është ende në studim e sipër. Kjo mund të ndodhë vetëm me mbështetjen dhe pjesëmarrjen e gazetarëve vendas.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : A do të ishte e mundur që gazetarët shqiptarë vendas, të cilët janë realisht në media kritike, të vizitonin RSF-në në Paris, si pjesë e përgatitjeve për këtë konferencë ?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Është e mundur, për më tepër kemi pritur gazetarë shqiptarë, përfshirë Andi Bushatin vitin e kaluar në RSF. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me gazetarët shqiptarë. Unë bashkëveproj me ta rregullisht.

Ne e dimë se çfarë po ndodh në terren. Ne kemi burimet tona. Unë diskutoj me shumë gazetarë që vijnë nga disa vende.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Qëllimi i kësaj pyetjeje është heqja e hezitimeve tek ata gazetarë që e konsiderojnë projektin e mbajtjes së kësaj konference të RSF në Tiranë si një lloj bashkëpunimi me qeverinë dhe që do të kishin refleksin ta bojkotonin atë. Ndoshta një qasje paraprake individuale me një përfaqësi gazetarësh hezitues do t’i shërbente kauzës së mbajtjes së kësaj konference, që do të ishte me shumë dobi për axhendën e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Reporterët pa Kufij (RSF) : Nuk mund të komentoj të gjitha detajet. Nuk mund të merret ndonjë vendim tani. Por, sigurisht që është e mundur. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me gazetarët shqiptarë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Shqipëria është një vend ku Shtetet e Bashkuara të Amerikes kanë statusin e një miti, të një perëndie. Demokracia amerikane përfaqëson për shqiptarët arritjen më të bukur sot në planet. Megjithatë, a keni një koment për shqiptarët që zbulojnë në raportin tuaj se Shtetet e Bashkuara nuk janë aq mirë të pozicionuara në renditjen tuaj, krahasuar me më parë dhe me vendet demokratike fqinje si Kanadaja ?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjem me tri pika. E para: në renditjen tonë Shtetet e Bashkuara kanë humbur tre vende. Ligjet kundër medias kanë fituar popullaritet, veçanërisht në nivel lokal, dhe mediat kanë paralajmëruar pushime të mëdha nga puna. Ka pasur dhe vrasje të një gazetari në shtatorin e kaluar. Përveç shkeljeve të shumta, ka pasur rreth tridhjetë akte dhune ndaj gazetarëve dhe rreth dhjetë arrestime. Pra, në rënien e notës globale të SHBA-ve në raportin tonë, influencë ka pasur veçanërisht treguesi mbi sigurinë. Pika e dytë është se ne besojmë që administrata Biden mund të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e lirisë së shtypit. Shpresojmë të bashkëpunojmë me të. Siç e thashë dhe më parë, Blinken mori pjesë në Uashington në prezantimin për shtyp të raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij.

Pika e tretë që dua të nënvizoj është se vendet që nuk janë të renditura mirë në raportin tonë duhet të marrin shembull nga vendet më të mira të renditura në zonën e tyre gjeografike.

Për shembull, Shqipëria që dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian, duhet të frymëzohet nga vendet e Bashkimit Europian që janë të renditura në vendet e para.

Në renditjen e Shqipërisë treguesi politik , siç e thashë, ka pësuar rënie në notë. Kjo vjen sidomos nga politika e centralizimit të komunikimit të pushtetit në Shqipëri.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Më konkretisht, çfarë nënkuptoni kur përmendni në raport termin “centralizim i komunikacionit” nga qeveria shqiptare?

Reporterët pa Kufij (RSF): Me këtë shënjestrojmë krijimin e Agjensisë së re qeveritare të komunikimit, e cila centralizon komunikimin e qeverisë. Kjo ngrë shqetësime te gazetarët shqiptarë. Pa dyshim kjo shpjegon edhe rënien e notës së treguesit politik në raport. Unë insistoj për këtë. Elementi i dytë janë sulmet verbale ndaj gazetarëve, për të cilat fola, që janë kryer kryesisht në gjysmën e parë të vitit. Mendoj se pas takimit që kemi pasur me kryeministrin Rama, ai u ndal pak.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Për cilin gazetar e keni fjalën për sulmet verbale ?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Bëhet fjalë për gazetarin Klevin Muka, të cilit Kryeministri Rama i tha të dërgohet për “riedukim” dhe iu ndalua për tre muaj pjesëmarrja në konferenca shtypi me qeverinë. Kur e ngritëm këtë shqetësim me kryeministrin, ai na u përgjigj se është humor. Nga ana tjetër, ne e kemi paralajmëruar se gazetarët nuk e konsiderojne aspak këtë si humor.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : A ka ndonjë vend tjetër që ka një agjensi të ngjajshme qeveritare komunikimi ? Cila është veçantia negative shqiptare në këtë rast?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Mendoj se ka një shqetësim mes gazetarëve se centralizimi i komunikimit sjell një bllokim të aksesit në informacion. Kjo lidhet me faktin se mediat shqiptare marrin materiale tashmë të përgatitura paraprakisht nga kandidatët dhe partitë politike. Kjo eliminon mundësinë që gazetarët të marrin në pyetje kandidatin dhe të kenë një qëndrim kritik ndaj tij. Kthehet në problem kur komunikimi zëvendëson gazetarin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco