Eksperti i IT: AKSHI ka bërë 420 mln euro tendera, vetëm 10% janë investuar!

18:20, 02/05/2023
A+ Aa A-

Eksperti i IT, Gentjan Progni, në një lidhje me Skype për "Task Force" me gazetaren Sonila Meço, denoncoi tenderat e AKSHI-t, sipas tij korruptivë. 

Ai tha se tenderat e Agjencisë së Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit kapin vlerën e 420 mln euro, por janë investuar vetëm 10% e kësaj shume. 

Ndërsa të vetmin shërbim që marrin qytetarët është e-albania, tha Progni, kostoja e mirëmbajtjes së sistemit shkon deri në 2 mln euro. 

"Unë kam disa tendera që do t'i denoncoj ditët në vijim. Kostoja e një serveri që kushton 100 mijë euro, është tenderuar për 200 mln lekë. Kam servera që kanë kosto 1 mln lekë të vjetra mirëmbajtje në muaj dhe janë tenderuar me 35 mln lekë të vjetra në muaj. Kemi koston e SMS-ve, nga një kosto qesharake është tenderuar me 100-fishin e kostos për 1 SMS. Kemi një institucion që asnjëherë nuk jep llogari. Edhe denoncimin që kam bërë në SPAK për AKSHI-n i cili u transferua në Prokurorinë e Tiranës nuk kam asnjë informacion se çfarë po bëhet me atë denoncim. Unë akuzohem nga PS për aktivist. Po të shohim denoncimin që bëri Avenir Peka sot kemi të njëjtën kompani që ka host-imin e aktivistit, përfituese të këtij tenderi. Abuzimet e AKSHI-t kaq hapur janë bërë qesharake. Deri tani gropa financiare që ka krijuar AKSHI është 420 mln euro. Janë para të cilat as 10% e tyre nuk është investuar. I vetmi shërbim që marrim ne është e-albania, një sistem me kosto maksimale mund ta ketë 2 mln euro", u shpreh ai.

Progni tha gjithashtu se tenderat e AKSHI-t janë monopol dhe i fitojnë të njëjtat kompani.  

"Bëhen tendera pafund për sisteme. Në tenderat e AKSHI-t ka një procedurë monopol e cila është e drejta e programimit të këtyre sistemeve. Dhe e drjeta e programimit të këtyre sistemeve në të gjithë tenderat i është lënë kompanive. Pse na përsëriten gjithë këto kompani që zoti Peka ka përmendur në denoncim? Se këto kompani kanë bërë monopol të sistemit që kanë realizuar dhe askush nuk mund të futet në AKSHI të marrë një tender sepse ky monopol i krijon atyre mundësinë që nëse duhet të shtosh apo të mirëmbash këtë sistem, duhet të marrësh leje te kjo kompani. Dhe nëse kompanisë i teket që kodi është i imi sipas procedurave të AKSHI-t ti s'ke të drejtën të punosh. Janë 12 kompani që fitojnë tendera jo vetëm në AKSHI, por edhe në bashki. Të njëjtat kompani dhe të njëjtët njerëz. Klientelizëm ku nga të gjitha këto kompani thonë pagova 30%-shin drejtoreshës dhe përfitojnë vetëm tendera të fryra me miliona euro", tha Progni.

Më herët, Partia Demokratike denoncoi AKSHI-n për tenderat që i ka dhënë baxhanakut të Edi Ramës dhe këshilltarit të tij

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Avenir Peka tha se AKSHI ka realizuar 5 ditë më parë një tender që ngre hije dyshimi. Kjo pasi, 4 muaj më parë AKSHI hapi tender me vlerë 5 mln euro, tender i cili u anulua. Ndërsa më pas tenderi u ribë me vlerë plot 17.2 mln euro. 

"Pesë ditë më parë AKSHI e ripublikoi procedurën me të njëjtin objekt, por me fond limit 17.2 milion euro. Pra më shumë se dyfishin e vlerës së para katër muajve. Ajo që bie në sy është rrija e vlerës me rreth 12 milion euro. Nuk mund të lihet pa përmendur gjithashtu fakti se edhe për anulimin e tenderit nuk u paraqit në detaje se cilat janë “gabimet dhe mangësitë e rëndësishme”, në kundërshtim me nenin 38 pika 2 të VKM nr.285, ku citohet se njoftimi i anulimit duhet të përmbajë të paktën ARSYET e anulimit, përveç bazës ligjore", tha Peka. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco