A pihet uji në Tiranë? Veliaj, që rriti 44% çmimin, ua 'ngec' qytetarëve

A pihet uji në Tiranë? Veliaj, që rriti 44% çmimin, ua 'ngec' qytetarëve

09:06, 01/05/2023
A+ Aa A-

Tetë vite si kryebashkiak i Tiranës, por në të tretat zgjedhje lokale që i kërkon votat banorëve të kryeqytetit, Erion Veliaj ka si premtim elektoral furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm në rubineta dhe investimet në rrjetin e Ujësjellësit.

Tirana e tij, që e shet si kryeqytet i rinisë, ende nuk ka ujë të rrjedhshëm në çezma, e aq më tepër t’a mendosh që ato pak orë kur uji është i aksesueshëm, të jetë edhe i konsumueshëm apo të mund të përdoret për gatim, edhe nëqoftëse qytetarët vendosin filtra në pallatet e tyre.

Por, më absurd është fakti që Veliaj në kulmin e fushatës ka zgjedhur t’ia faturojë përgjegjësinë për cilësinë skandaloze të ujit të pijshëm që shkon në rubinetat e qytetarëve, administratorëve të pallateve të zgjedhur po prej tij.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Review”, Veliaj tha se “fajtorë” janë administratorët e pallateve që nuk i ndërrojnë filtrat e depozitave.

“Kjo varet shumë nga lagjja dhe administratori që ka atë depozitë. Në disa pallate kjo punë bëhet shumë mirë, në disa pallate të tjera një administrator është komplet neglizhent dhe nuk i ndërron filtrat. Bashkia e Tiranës ka një kontratë, ta sjell deri te dera e pallatit, nga ai moment është përgjegjësi e administratorit. Sot në 3 mijë nga 5 mijë pallate kemi administrator, tani sfida është të bëhen të gjithë të përgjegjshëm. Kjo ndodh në çdo vend të botës,” tha Veliaj.

Por, kryebashkiaku i Tiranës harroi të përmendte se ishte ai që e premtoi ujin e rrjedhshëm 24 orë në fushatën e zgjedhjeve lokale të 2015, e po ashtu në 2019.

Ndërkohë, dy vite para se të merrte mandatin e dytë si kryebashkiak, në vitin 2017, Veliaj miratoi rritjen me 20% të çmimit të ujit të pijshëm duke premtuar se kjo do të përkthehej në investime për rrjetin e UKT dhe rritjen e kapacitetit të ujëmbledhësit të Bovillës, duke bërë që Tirana të kishte ujë 24 orë falë shtrenjtimit të së mirës së domosdoeshme.

“Duam që brenda 5 viteve, Tirana të ketë ujë 24 orë. E morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë, e kemi me 14 orë dhe duam, siç kemi premtuar, nga 1 janari kur filluam këto investime madhore pasi BERZH-i na besoi kredinë e ujit, deri në fund të mandatit tjetër ne të kemi shkuar nga 14 në 24 orë ujë dhe të ndihemi të gjithë krenar që ishim pjesë e një transformimi jetësor për Tiranën”, thoshte Veliaj.

Por ku kanë kaluar 6 vite nga ky premtim dhe nga rritja e çmimit të ujit, qytetarët e Tiranës vijojnë të kenë të njëjtin shqetësim.

Në media dhe takimet me kandidatin e opozitës ata janë shprehur se e paguajnë dy herë ujin, njëherë në faturën për bashkinë e Tiranës dhe për herë të dytë kur e blejnë në autobote ose dyqane me çmime që arrijnë deri në 120 lekë të reja për bidonë.

Ndërkohë kryebashkiakiut, i cili që në 2017 pretendonte se kryeqyteti furnizohej 14 orë në ditë me ujë, qytetarët ia kanë rrëzuar propagandën sa herë kanë mundur, duke thënë se kanë ujë kryesisht 7 orë në ditë, sipas orarit: 6:00-8:00, 12:00-13:30, dhe 19:00-20:30.

Por ai çka vjen në rubineta shpeshherë është llum i zi, e të tjera herë mban aromë klori dhe nuk mund të konsumohet. Uji moçalor që vjen në rubinetat e banorëve të Tiranës, është rrezik serioz për shëndetin, por ekspertët që Veliaj nxjerr në studio sa herë kritikohet puna e bashkisë në këtë drejtim kanë arritur deri sa të shprehen se: “Uji është i pijshëm por kjo nuk do të thotë që është i mirë. Mund të kesh probleme shëndetësore por nuk është se është vdekjeprurës. Ndaj qëllojnë në linjën e hollë, bëjnë analizën, del i pijshëm”.

Sakaq në verë, shumë lagje kryesore të Tiranës si ‘Ali Demi’, ‘Myslym Shyri’, ‘Astiri’ e ‘Fresku’ janë furnizuar me ujë vetëm 2 orë në ditë ose në raste të caktuara kanë vuajtur ditë të tëra pa ujë në rubinetat e tyre./BoldNews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco