VIDEO-SYRI TV/ Landfilli i 'Sharrës' në duart e drejtuesit të kompanisë së themeluar nga rusët

16:36, 28/04/2023
A+ Aa A-

Koncesionari i plehrave të Sharrës ka ndryshuar pronarë në letra, lëvizje këto të bëra pa aferës së inceneratorëve. Xhuzepe Ciafaglione, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, nuk figuron më në dokumente, e në vend të tij si përfitues është regjistruar kompania me seli në Zvicër, ‘ICARE Energy SA’, e cila ka krijuar një filial në Shqipëri. Administratorë në këtë degë janë dy persona  nga Kosova, një prej tyre anëtar i Këshillit dhe mbikëqyrës në rafinerinë e naftës së Ballshit, ku kompania që e bleu këtë rafineri është themeluar nga një oligark rus pranë Putinit.

Nga SYRI TV

Në mes të kësaj jave, kompania koncesionare e plehrave të Sharrës, ‘Integrated Energy BV’ ka regjistruar ndryshimet në pronësinë e saj.

Sipas dokumenteve zyrtare, rezulton se është larguar një prej pronarëve përfitues në letra, italiani Xhuzepe Ciafaglione, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për aferën e inceneratorëve.

Në vend të tij, si pronar përfitues në kompaninë mëmë të landfillit të Sharrës, ‘Geogenix BV’, është regjistruar një kompani me seli në Zvicër, e cila quhet ‘ICARE Energy SA’.

Ky pronar i ri përfitues, në Tetor 2022, ka krijuar një filial të sajin në Shqipëri, të quajtur ‘ICARE Energji’.

Pronarët e saj fundorë janë disa shtetas zviceranë. Ndërsa, administratore në degën e saj në Shqipëri është Marigona Metaj, ndërsa Blerim Hoxha është një prej anëtarëve të këshillit mbikëqyrës.

Metaj dhe Hoxha, të dy me shtetësi kosovare, shfaqen në kohë të ndryshme si drejtues apo përfaqësues edhe në kompaninë ‘Tosk Energji’, e cila administron rafinerinë e naftës së Ballshit.

‘Tosk Energji’ bleu rafinerinë e Ballshit në vitin 2016, nëpërmjet një ndihme financiare nga shoqëria zvicerane ‘Gunvor’.

Kompania ‘Gunvor’ është themeluar në vitin 2004 nga një oligark rus pranë Putinit, Genadi Timoçenko.Timoçenko u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2014 dhe ai u largua nga kompania ‘Gunvor’, përpara se të nisnin operacionet financiare në Shqipëri.

Kompania ‘Gunvor’ ka deklaruar publikisht se, pas largimit të Timoçenkos, nuk ka asnjë lidhje me interesa ruse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco