Deformimi i radhës/ Opozita mbetet edhe pa numërues në gjysmën e vendit

Deformimi i radhës/ Opozita mbetet edhe pa numërues në gjysmën e vendit

09:09, 26/04/2023
A+ Aa A-

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmbylli sot një cikël vendimesh, që i japin formë një procesi të pabarabartë për 14 Majin në raport me forcën kryesore të opozitës. Me short, u vendos që në tryezën e numërimit të votave Partia Socialiste do të kenë dy numërues, Enkelejd Alibeaj me logon e PD-së zyrtare do të ketë një numërues, ndërsa numëruesi i katërt do ndahet mes koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Realisht, PDIU, ose siç njihet ndryshe si partia e çamëve i është bashkuar mazhorancës dhe voton sistematikisht pro qeverisë në parlament. Por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi i PDIU kërkoi numërues, si parti e dytë në opozitë.

Kur përfaqësuesi i koalicionit Berish-Meta e kundërshtoi vendimin me argumentin se PDIU nuk është opozitë, por pranë qeverisë, u zhvillua pak a shumë debati më poshtë:

Përfaqësuesi i PDIU-së: Ne jemi në opozitë. Kemi votuar pro qeverisë për marrëveshjet me amerikanët.

Altin Kaziaj nga Koalicioni BF: Vetëm ne jemi në garë në gjithë Shqipërinë, PDIU jo. Votat e kujt do të mbrojnë numëruesit e saj?

Përfaqësuesi i PDIU: Do mbrojmë votat e Lajla Përnaskës.

Si përfundim PDIU do të ketë numërues në tavolinat me numër çift, ndërsa koalicioni Berisha-Meta në tavolinat me numër tek. Kjo është goditja e radhës për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, që megjithëse ka pas vetes shumicën e opozitarëve, mbetet pa numërues në gjysmën e tavolinave të procesit.

Vjedhja e votave në tryezat e numërimit ka krijuar një traditë tashmë në vendin tonë.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, dhjetëra numërues u dërguan në prokurori për vjedhjen e votave. Dhe duhet përmendur se në 25 Prill, në tryezë ishin dy numërues nga Partia Socialiste dhe dy numërues nga Partia Demokratike. E megjithatë parregullsitë ishin shtrirë në disa qytete, që nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Gjirokastër, Korçë, Lezhë etj.

Ndërsa përshkruante numërimin në Elbasan, dy vite më parë, Sali Berisha përshkruante një situatë presioni kriminal mbi numëruesit: “Tejkalon çdo skenar filmi që keni parë ju për numërimin e votave. Disa zonja aty numëronin votat në tytën e banditëve të qeverisë. Terror!”

Për të kuptuar më mirë përmasat e këtij fenomeni duhet thënë se pas 25 Prillit u zbulua se vjedhja e votave ishte një praktikë që nuk kursente as rivalët brenda partisë. Në Durrës edhe vetë Edi Ramës i kishin vjedhur disa vota që ishin numëruar për deputetin tjetër, Rahman Rraja. Votat nominale i ishin vjedhur edhe Berishës dhe Bashës në Tiranë.

Pyetja që lind nga vendimi i sotëm i KQZ-së, është se kush do ta ruajë votën e opozitës, kur në gjysmën e tavolinave koalicioni Berisha-Meta nuk do të ketë asnjë numërues?

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i hequr numëruesin koalicionit “Bashkë Fitojmë” është në vazhdën e disa vendimeve të tjera ndëshkuese kundër forcës kryesore të opozitës.

“Bashkë fitojmë” nuk u lejua të regjistrohej me emrin e Sali Berishës, por në fletën e votimit u imponua emri i Ilir Metës, sipas një vendimi të KAS. Paratë që duhej t’i jepeshin forcës më të madhe opozitare, i kaluan Enkelejd Alibeajt, i cili hyn në zgjedhje me vetëm 12 kandidatë. Edhe koha televizive do të llogaritet me të njëjtën filozofi nga KQZ, që me ligj imponon kohë të barabartë mes 12 kandidatëve të Alibeajt dhe atyre të Edi Ramës në këto zgjedhje./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco