VIDEO-SYRIT TV/ 'Vendi ka nevojë për klimë konkurruese biznesi', DHAT zhvillon asamblenë

21:36, 24/04/2023
A+ Aa A-

Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e të bërit biznes në mënyrë që të ketë sa më shumë investime të huaja. Kështu ka thënë gjatë Asamblesë së Dhomës Amerikane të Investimeve, presidenti i saj Enio Jaço. Ai renditi faktorët e mungesës së konkurrueshmërisë, korrupsionit etj, si dhe ka kërkuar reformim të Prokurimit Publik.

Nga SYRI TV

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në Asamblenë e zhvilluar këtë të hënë, ka thënë se Shqipëria ka nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh. Jaço është ndalur tek mjedisi inflacionist, ku vendi është përballur me rritje të çmimeve për produktet thelbësore, problematikën me fuqinë punëtore etj, por mbi të gjitha tek korrupsioni.

‘Çështja është qëndrueshmëria-si t’i bëjmë këta investitorë të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh.

Faktorë të tillë si lehtësia e lejeve, niveli i korrupsionit, a kanë investitorët shanse për të hyrë në prokurimet publike, a janë stimujt e investimeve konkurruese, janë çështje reale që përcaktojnë klimën e investimeve. Ne duhet të ofrojmë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë’, u shpreh Enio Jaço.

Duke folur tek investimet amerikane në Shqipëri, Jaço tha se ngecën në rreth 80 milionë dollarë. Gjithashtu ai shtoi se bizneset duhet të rrisin standardet për të qenë në gjendje të jenë konkurruese në tregjet e BE-së, por që duhet një reformim i plotë i Prokurimit Publik në mënyrë që të gjithë të kenë akses.

Ndërkohë e pranishme në këtë takim të asamblesë së Dhomës amerikane të tregtisë, ambasadorja Juri Kim ka thënë se duhet të vijohet me përmirësimin e klimës së investimeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco