‘Kullë me stadium’/ PD: Skema e Tiranës po përsëritet edhe në Durrës me 2 kulla deri në 155 m

‘Kullë me stadium’/ PD: Skema e Tiranës po përsëritet edhe në Durrës me 2 kulla deri në 155 m

14:27, 05/04/2023
A+ Aa A-

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Jola Hysaj ka denoncuar të njëjtën skemë që është përdorur në Tiranë për të ndërtuar kullë me stadium, e cila po përsëritet në Durrës.

Në deklaratën nga selia blu, Hysaj ka theksuar se ‘jo një, por dy kulla i janë premtuar një investitori privat, ende anonim, që do të ndërtojë stadiumin e ri në Durrës’.

DEKLARATË PËR MEDIA E SEKRETARES SË MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN, JOLA HYSAJ

Skema e Tiranës, kullë me stadium, po përsëritet edhe në Durrës.

Jo një, por dy kulla i janë premtuar një investitori privat, ende anonim, që do të ndërtojë stadiumin e ri në Durrës. Skema do të përsëritet, ashtu si në Tiranë, edhe sa i takon transparencës. Asnjë qytetar nuk ka parë gjë, nuk është pyetur dhe, të gjithë durrsakët, ashtu si tiransit, do të gjenden para faktit të kryer. Sepse atë që do Partia nuk duhet të diskutohet nga populli.

Ndryshimi i vetëm mes kullave të Durrësit dhe asaj të Tiranës është lartësia. Kryeqyteti e ka 112 m ndërsa qyteti bregdetar do të guxojë më shumë në marrëzi, me 125 dhe 155 metra. Ndërtimi i kullave shumë katëshe në lagjen nr.18 ngjan një vendim absurd, duke pasur parasysh se zona ishte ndër më të dëmtuarat nga lëkundjet sizmike të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Duke pasur parasysh se e gjithë lagjia në fjalë ishte ndër më të dëmtuarat nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit 2019, projektet për ndërtime shumëkatëshe aty mund të rezultojnë të rrezikshme.

Ky project ide , veç mungesës së transparencës, do të lërë pa anekset dhe terrenet sportive mijëra fëmijë dhe të rritur në Durrës. Për Ramën dhe Sakon është i papërfillshëm fakti që në këto terrene sportive janë zhvilluar, për shumë vite me radhë, talentet e sportit durrsak, që kanë përfaqësuar ekipin e qytetit në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.

Betonizmi i vijës bregdetare, i kompleksit antik mijëravjecar të qytetit do të vijojë edhe nga pjesët e fundit, mbetur pa pushtuar në qytet.

Investitori privat, emri i të cili ende nuk është bërë publik, ka në project ide ndërtimin e një stadiumi me kapacitet 12 mijë vendesh, krahasuar me aktualin, që ka 8500 ulëse. Pra nuk ka ndonjë ndryshim të madh në kapacitet, por qëllimi janë kullat, ndërsa stadiumi është preteksti.

Në truallin ku do të ndërtohen kullat, ndodhen dy fusha stërvitore, dy kalceto dhe dy fusha basketbolli.

Partia Demokratike kërkon, së pari, transparencë.

Publiku duhet të dijë se kush është investitori, cili është plani, kush e ka marrë vendimin, a ka patur konsultim me komunitetin që preket nga prishja e terreneve sportive aktuale etj.

Ajo që dihet është vetëm se, në shkurt, Edi Rama hapi konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumeve në qytetet e Vlorës, Durrësit dhe Korçës. Ajo që dihet dhe që e theksojnë ekspertët, mediat e brendshme dhe të huaja, është se sektori i ndërtimit është parajsa e pastrimit të parave të narko-trafikut.

Ajo që gjithashtu dihet është se Kryeministri, në mungesë të një projekti qeverisës, që i mban shqiptarët në vendin e vet, ka vendosur t’i dëbojë ata duke i kaluar pasuritë dhe projektet publike në duart e “klanit të babëzisë” me të cilët ndan paratë.

Qytetarët e Durrësit e dinë mirë se për cfarë ka nevojë qyteti. Një stadium i ri mund të jetë një dëshirë, por qyteti nuk ka nevojë për “bukë e cirk”. Durrësi ka të kaluar romake, por nuk jemi më në kohën e Romës antike, kur peradori merrte vendime dhe populli ftohej në amfiteatër për të harruar qeverisjen e keqe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco