SYRI TV/ Fatura 110 mln euro: gjoba ka emrin Rama-Veliaj-Agaçi/ Arbitrazhi zbuloi mesazhet kërcënuese

13:59, 05/04/2023
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare duhet të paguajë një gjobë 110 milionë euro në llogaritë e Beketit, e cila përbën një vlerë stratosferike për financat e dobëta të Shqipërisë. Dhe për këtë faturë, duke iu referuar edhe publikimeve mediatike është e qartë se përgjegjësit janë Rama, Veliaj dhe Agaçi, për të cilët edhe Gjykata e Arbitrazhit zbuloi mesazhet kërcënuese të bëra vite me parë të zyrtarëve të lartë të PS-së ndaj sipërmarrësit Italian.

Nga SYRI TV

Beteja personale e Edi Ramës me sipërmarrësin Italian, Françesko Beketi, u mbyll me një rezultat aspak të mirë për buxhetin e të gjithë shqiptarëve.

Arbitrazhi ndërkombëtar vendosi përfundimisht që qeveria shqiptare duhet të paguajë një gjobë 110 milionë euro në llogaritë e Beketit, e cila përbën një vlerë stratosferike për financat e dobëta të Shqipërisë.

Në përfundim të këtij procesi që zgjati disa vite, bazuar edhe në publikime të herëpashershme mediatike, tashmë është e qartë që përgjegjësit për këtë humbje kanë emra të përveçëm. Ata janë më së paku tre të tillë: kreu i qeverisë Edi Rama, kreu aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi. 

Edi Rama e nisi luftën kundër pronarit të “Agon Channel” menjëherë sapo mori pushtetin, në vitin 2013.

Megjithatë, sinjalet e para publike të konfliktit u shfaqën kur televizioni filmoi dasmën luksoze në kalanë e Gjirokastrës të Erion Veliajt në vitin 2014, i cili mbante në atë kohë postin e Ministrit të Mirëqenies. Pas publikimit të pamjeve, Veliaj i dërgoi mesazhe kërcënuese Beketit, sipas të dhënave të publikuara më herët në media.

Në ato mesazhe, kryebashkiaku aktual i Tiranës i drejtohej sipërmarrësit italian me tekstin “Po më bën armik me zor. Do të kesh të gjithë qeverinë kundër”.

Ndërkohë që zhvillohej ky sulm publik dhe institucional, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, zhvilloi takim me Beketin, ku i sugjeroi që të mos i bënte opozitë shtetit. 

Këto të dhëna janë publikuar edhe në vendimin e themelit të Gjykatës së Arbitrazhit, i publikuar në vitin 2021.

Pasi dështoi edhe në ankimin kundër vendimit fillestar të arbitrazhit, tashmë Edi Rama është i detyruar që të nënshkruajë faturën 110 milionë euro në favor të Françesko Beketit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco