Meta: 'Bashkë Fitojmë'- ortek i pandalshëm, me planin e Këlliçit për transportin fitojnë të gjithë!

12:05, 28/03/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PL, Ilir Meta, e ka vlerësuar maksimalisht, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçin dhe theksoi sot se plani i tij për transportin publik falas dhe uljen e taksave ka ngjallur entuziazëm tek qytetarët. 

Në një prononcim për mediat, Ilir Meta tha:

“Koalicioni “Bashkë Fitojmë” është një ortek i pandalshëm. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” është i mëshiruar më së miri në planin fantastik të kandidatit tonë dhe të të gjithë opozitës së bashkuar për Tiranën, sepse fitojnë të gjithë pensionistët e Tiranës nga plani i tij për transportim. Fitojnë të rinjtë, fitojnë qytetarët në nevojë, fitojnë në mënyrë të veçantë ata që kanë probleme me aftësitë e kufizuara.

Nga plani i tij për uljen e taksave përfitojnë të gjitha bizneset e thjeshta, të gjithë sipërmarrësit, përfitojnë të gjithë qytetarët.

Të vetmit që janë mërzitur janë oligarkët, po kjo nuk është ndonjë problem,  se ata kurrë s’janë ngopur me konçensione dhe përfitime në kurriz të shoqërisë.

Ne na intereson të fitojnë të gjithë qytetarët e Tiranës, të fitojnë të gjithë të rinjtë e Tiranës, të gjithë sipërmarrësit, në mënyrë që të mos na ikë nga vendi pjesa më aktive, më energjike dhe më premtuese për zhvillimin e vendit që janë të rinjtë dhe të rejat.

Dje dhe sot, këtu në Laprakë, në takimet që kam pasur me komunitetin, ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm për planin e Këlliçit për transportin publik, sepse është një nga rajonet apo zonat e qytetit e Tiranës ku pothuajse të gjithë janë të detyruar të lëvizin drejt qendrës ë kryeqytetit apo në drejtime të ndryshme.

Sidomos ai për uljen e taksave është një plan jo vetëm realist, por edhe shumë shpresëdhënës për një klimë miqësore ndaj biznesit, larg gjobave, larg dhunës dhe për të ulur kostot jo vetëm të bizneseve dhe për të kontribuar në uljen e kostos së jetesës në kryeqytetin tonë.

Kandidaturën e Belos për Tiranën, se tani i thërrasim Belo shkurt, Belindit, ngaqë është i ri dhe të rinjtë e shohin si shpresën e tyre, si sfidën e gjeneratës së tyre, e shikoj fantastike, një kandidaturë shumë gjithëpërfshirëse.”

Ilir Meta ishte sot në Laprakë, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, për të bërë dhurimin e tij të zakonshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco