SYRI TV/ Presidenti i Austrisë, vizitë në Tiranë: Mos rrezikoni integrimin, hiqni dorë nga 'Pasaportat e Arta'

14:44, 27/03/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen i bëri thirrje qeverisë të mos  rrezikojë integrimin europian të Shqipërisë dhe të heqë dorë nga miratimi i pasaportave të arta. Mesazhet e presidentit austriak u bënë gjatë vizitës në Tiranë,  ku thirrjeve të tij,  iu bashkua edhe homologu shqiptar, Bajram Begaj. 

Nga SYRI TV

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të heqë dorë nga nismat që  rrezikojnë  rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, kreu i shtetit të Austrisë ishte i prerë  kur deklaroi se qeveria duhet të fokusohet të  reformat e integrimit europian dhe jo në nisma si Pasaportat e Arta, që e vënë në rrezik këtë proces.

“Austria njihet si një përkrahëse sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne e konfirmojmë edhe njëherë këtë qasje, duke marrë parasysh situatën gjeopolitike që është në rajon. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, tashmë fokusi është te disa çështje esenciale siç janë shteti i së drejtës, të drejtat themelore, drejtësia e pavarur  dhe inkurajojmë më shumë Shqipërinë për të zhvilluar reformat e duhura, sidomos në këto sektorë për t’iu afruar më shumë anëtarësimit. Kjo do të thotë të hiqet dorë edhe nga ndonjë ide që është akoma në diskutim, nëse kjo ide do të çonte në cenimin e besueshmërisë së procesit të reformave, siç është deklaruar pak kohë më parë edhe nga qeveria lidhur me Pasaportat e Arta”.

Thirrjes së presidentit austriak iu bashkua edhe presidenti Bajram Begaj,  i cili  gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, deklaroi se nismat ligjore duhet të jenë në përputhje me Bashkimin Europian. 

Van der Bellen mbajti një fjalë përshëndetëse edhe në Kuvendin e Shqipërisë ku theksoi se procesi i Berlinit është  rruga për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit: 

“Shqipëria ka marrë pjesë edhe në iniciativat e forcimit të bashkëpunimit rajonal.  Procesi i Berlinit ka hedhur disa hapa konkrete në lidhje me integrimin, me  shkëmbimin e të rinjve dhe është shumë e rëndësishme që pas shumë viteve të humbura, rajoni të ketë një infrastrukture të përmirësuar dhe të intensifikohen  kontaktet mes njerëzve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco