Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Investigimi i 'Piranjave'/ Bashkia Lushnje tjetërson pronat, jep leje për park fotovoltaik në tokë bujqësore

21:37, 24/03/2023
A+ Aa A-

Emisioni “Piranjat” ka shkuar në Plug, për të parë investimin e kompanisë AEE sh.p.k e cila në kundërshtim me ligjin përkatës dhe pa disponuar të gjitha lejet e nevojshme, ka ndërtuar një stacion fotovoltaik.

Ndër lejet e dhëna në kundërshtim me ligjin është përfshirë edhe bashkia Lushnje, ku bie në sy lehtësia me të cilën kjo bashki ka tjetërsuar tokat. 

Parku fotovoltaik është ngritur mbi tokë bujqësore, gjë e cila në bazë të ligjit në fuqi është e ndaluar. 

Investigim i "Piranjave"
Stimulimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, po merr vit pas viti rëndësi të madhe. Në veçanti kur bëhet fjalë për energjinë diellore nëpërmjet centraleve fotovoltaike.

Janë pikërisht këto panele diellore që po shtohen çdo vit e më shumë, sidomos në zonën e Myzeqesë, të cilët janë kthyer në burim të mirë fitimi për ata që kanë investuar në to.

Gjithçka nisi në vitin 2017 kur Banka Europiane për Rindertim dhe Zhvillim, BERZH, konfirmoi mbështetjen e saj për Shqipërinë në investimin e energjisë së rinovueshme.

Në nëntor të një viti më vonë, ministri i atëhershëm për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri firmosi urdhrin që ka në bazë skemat mbështetëse që do të jepeshin për të nxitur burimet e energjisë së rinovueshme.

Me një kapacitet total prej pesëdhjetë MW, të cilat më vonë, u ndanë tek njëzetepesë subjekte, me nga dy MW secili.

Një lajm vërtetë i mirë ky për bizneset që interesoheshin prej kohësh për të ndërtuar parqe fotovoltaikë në zona të ndryshme të vendit. Gjithmonë me kapacitete deri në 2 MW. Një gjetje kjo, mesa duket, edhe për të lënë të kënaqur sa më shumë persona.

Për më tepër që kishte një çmim favorizues të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë i fiksuar në 100 euro/MW. Një çmim dukshëm i lartë dhe që garantonte kthim të shpejtë të investimit.

Për ta qartësuar, sipas eksperteve, çdo hektar i mbuluar me panele në vendin tonë mund të japë nga 250-320 mijë euro në vit.

Pra, thënë shkurt, ata subjekte qe e kishin të garantuar shitjen prej dy MW, do të përfitonin një shifër prej rreth nga 500 deri në 640 mijë euro ne vit.

Nisur nga ky marzh fitimi, aplikimet per parqe fotovoltaike, nuk munguan. Dhe jo vetem per dy MW te garantuara nga shteti, por edhe per impiante me te medhenj, deri ne njeqind MW.

Një nga kompanitë përfituese të skemës mbështetëse prej dy MW, ishte dhe AEE shpk. Kjo kompani u licencua nga ERE ne datën... për stacionin fotovoltaik në fshatin Plug të Lushnjes. Kompania ka marrë të gjitha miratimet e nevojshme nga MIE për ndërtimin e një stacioni fotovoltaik.

Pra, fiksojeni mirë. Stacion Fotovoltaik, pa asnjë shtojcë nga pas.

Dhe për të parë nga afër këtë investim, udhëtuam drejt Plugut.

Shohim që investitori ka bërë një punë të admirueshme. Ai ka ndërtuar gjithçka nga e para dhe sot po merr frytet e investimit.

Por bazuar në ligj, çdo gjë që ndërtohet në këtë vend, ka nevojë edhe për disa leje.

Pavaresisht lejeve, nese ju ishit të vëmendshem, do të kishit vënë re, se stacioni është ndërtuar në një tokë bujqësore, në kundërshtim të hapur me ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore, në të cilin shkruhet qartë, se në këto toka mund të lejohen vetëm ndërtime të strukturave për qëllime bujqësore dhe blegtorale.

Dhe ky stacion fatkeqësisht nuk prodhon energji për asnjërën nga këto kategori, por vetëm për shitje.

Por edhe për këtë zotëria e ka përgjigjen.

Parku jonë është park hibrid, quhet park hibrid bujqësi –energji e rinovueshme që do të thotë toka nuk zihet, panelet vendosen në lartësi që të ketë mundësi të futet traktori, dhe nga ana tjetër të shfrytëzohet për marren e energjisë.

Pak më sipër ju thamë që kishim të bënim me një stacion fotovoltaik. Pa asnjë shtojcë. Ndërkohë që zotëria justifikohet se ka leje për një stacion hibrid agro - fotovoltaik. Një term shumë interesant, por që në lejet nga Ministria e Energjetikës, nuk ekziston aspak.

Pavarësisht termave, zotëria për çdo pyetje nxjerr një leje të siguruar nga autoritetet. Siç është dhe leja nga bashkia Lushnje, e cila i ka dhënë atij tokë bujqësore bazuar në PPV.

Një veprim totalisht në kundërshtim me ligjin. Kjo sepse në PPV, është parashikuar se në fshatin Plug, jepet mundësia që të investohet në stacione fotovoltaike, por në toka të lejuara nga ligji. Por ama toka ku kompania AEE ka ndërtuar këtë park është një tokë bujqësore, e cila mund dhe duhet të shfrytëzohet si e tillë. Gjë që në fakt, edhe vetë kompania pretendon se e ka bërë, duke na vënë në dispozicion foto të viteve të shkuara. Por degjoni me vëmendje se sa seriozisht merret toka bujqësore dhe sa rëndësi i jep pronari prodhimeve bujqësore të parkut hibrid që zotëron.

Prodhime bujqësore për hobi, vetëm në këtë pseudofermë mund të gjesh.

Kjo është njëra anë e medaljes, një individ që shfrytëzon një tokë bujqësore për park fotovoltaik. Por ama duke disponuar të gjitha lejet e nevojshme, pavarësisht shkeljes me dy këmbë të ligjit për tokat bujqësore.

Ana tjetër, është lehtësira me te cilën bashkia Lushnje ka tjetërsuar këto toka që konsiderohen si më pjelloret në vend.

Tani shihni pak përgjigjen e dhënë nga zëdhënësja e kësaj bashkie, ngatërron termat nga central në park fotovoltaik.

Gjithashtu në përgjigjen e dhënë pretendohet se gjithçka është konform ligjit.

Por nëse shfletojme PPV e bashkisë Lushnje, shihet qartë se zona në të cilën ndodhet ky park, është e klasifikuar si tokë bujqësore në të cilën nuk mund të ndërtohet dhe zhvillohet tjetër aktivitet përveç bujqësor dhe blegtoral.

Për të kuptuar më mirë se si është dhënë kjo leje, shkuam në bashkinë e Lushnjes, nga ku morëm këtë informacion me shkrim.

Në të cilin shihet qartë se në asnjë dokument apo shkresë nuk është theksuar park hibrid, por vetëm stacion fotovoltaik. Ky term evidentohet vetëm në lejen infrastrukturore të dhënë nga bashkia Lushnje.

Dhe këtu pyetjet janë të njëpasnjëshme:

A është dhënë kjo leje infrastrukturore në kundërshtim me ligjin?

A është përdorur termi park hibrid, si një mënyrë për të shmangur kufizimet që përcakton ligji, thjeshtë për t’i hapur rrugë ndërtimit të një stacioni fotovoltaik, ashtu siç edhe është i gjithë dokumentacioni i kompanisë?

E ndërkohë, sipas informacioneve tona të besueshme, nga deputetë të mazhorancës po lobohet fort që të ndryshohet ligji për tokat bujqësore.

Dyshimet janë se në paketën e ndryshimeve, të futet edhe një nen që të mundësojë përdorimin e këtyre tokave për parqe fotovoltaike.

Një thikë e fortë pas shpine, për të asgjësuar përfundimisht sektorin e bujqësisë në vend. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco