Dritëro a ke ni ç’ka ndodh me Partinë tënde?

Dritëro a ke ni ç’ka ndodh me Partinë tënde?

20:59, 04/03/2023
A+ Aa A-

Nga Hysni Gurra 

Në qershor të viti 1991 ti u ngrite në Kongresin e 10-të PPSH dhe lëshove kushtrimin për ndryshim. E kuptove herët kohën që po vinte, rinovimin ose asgjesimin e partisë ku aderoje.
T’u turrën fanatikët e partisë, adhuruesit e 1-shit, të fishkëllyen, të shanë, desh të hëngrën të gjallë, por ashtu, me dorën që të dridhej, qëndrove dhe e çove deri në fund manifestin për të rinovuar Partinë e Punës së Shqipërisë.
More përsipër një barrë të rëndë dhe të vështirë.
Por ti ia dole falë përvojës, mendjemprehtësisë, dhe leximit të kohës para kohe, ti kuptoje atë nuk kuptonin fanatikët e dogmatikët e partisë.
Ta lehtësoi punën shumë edhe një gjë tjetër, në gjirin e Partisë së Punës kishte potencial të madh forcash, duke veçuar potencialin e shëndetshëm intelektual.
Falë këtij potenciali ju e rinovuat partinë dhe në pak vite e bëtë atë konkuruese në garat politike.
Ju ndihmoi edhe fakti se kundërshtari juaj politik, Sali Berisha, besonte te pluralizmi, edhe pse ishte i ashpër, nuk ju mbylli kurrë partinë, nuk ju nxori kurrë jashtë ligjit, nuk përdori kurrë mbështetjen e jashtëzakonshme popullore dhe atë të vendeve perëndimore për t’ju asgjesuar ju totalisht.
Nuk përdori as makinacione që të hynte brenda partisë suaj aq thellë sa të emëronte drejtuesit tuaj.
Berisha i asaj kohe ka qenë i ashpër, por nuk u përpoq t’u asgjesonte ju si parti politike.
Këtë meritë ia njohin edhe kundërshtarët më të ashpër të tij. Kam takuar e dëgjuar shumë prej tyre ta pohojnë këtë.
Dritëro, a të kanë ardhur lajmet se ç’ka ndodhur me Partinë Socialiste?
A e di që ajo parti e mbushur me intelektualë,
ajo parti që nxirte figura potenciale për lider,
ajo parti që gëlonte nga debati i brendshëm është zhdukur. Ka vdekur!
Dritëro, a të kanë ardhur lajme se partia jote është kthyer në vitet ‘44?
A të kanë ardhur lajme se vendin e intelektualëve në partinë tënde e kanë zënë rrugaçët, kontrabandistët e injorantët?
Dritëro, a të kanë ardhur lajmet se partia që rinovove ti me kolegët e tu është rikthyer në parti moniste?
Është kthyer në parti të 1-shit?
Dritëro, partia që ti hape është mbyllur. Është bërë bunker. Brenda saj nuk ka më debat, nuk ka më konkurencë, nuk ka më zgjedhje të brendshme e mendim ndryshe.
Dritëro, e të kanë ardhur lajme se për shkak të këtij degradimi të partisë që ti rinovove mbi 700 mijë shqiptarë kanë marrë rrugët e botës?
Dritëro, a e di se njerëzit e mençur, intelektualët e patriotët në partinë që ti rinovove janë zëvendësuar me servilë, hamës të mëdhenj dhe lakmues vilash dhe qyrku?
Në udhëheqjen e lartë të partisë tënde sot, fiks ashtu siç denoncoje ti në 1991, lulëzon servilizmi dhe nënshtrimi, karrierizmi dhe shterpësia e mendimit, hatëret e privilegjet.
Bashkë me këtë lulëzim diktatura e re e sektit të rilindjes ka rikthyer luftën e klasave brenda partisë, lufta ka mbjellë farën e frikës dhe të terrorit në gjithë socialistët dhe në gjithë shqiptarët.
Kjo luftë e re klasash në partinë tënde ka krijuar sërish kultet: kultin e Edi Ramës, kultin e rilindjes sorosiane dhe kultin e akt1vistit (spiunit partiak).
Çdo gjë në partinë tënde e zgjidhin këta tri kulte dhe nuk ka më vend për mendimin e socialistëve, zëri i tyre është vrarë.
Nga terrori dhe frika e këtyre tri kulteve është prishur e gërryer morali i njerëzve dhe humanizmi i shoqërisë: ka mbirë në arat e diktaturës së re antihumanizmi, hipokrizia, servilizmi, gënjeshtra, korrupsioni, abuzimi, ryshfeti, vjedhja, thashethemnaja dhe mbi të gjitha është shkatërruar personaliteti i njeriut dhe ka ndodhur varfërimi i tij shpirtëror. E di që e ke thënë edhe ti këtë në ‘91, por po e risjell sepse partia jote është sot në të njëjtat kushte.
Në partinë tënde është shembur përsëri tradita e burrërisë shqiptare dhe e fisnikërisë kombëtare, e bujarisë dhe e besnikërisë, e mikpritjes dhe e shpirtgjerësisë, e urtësisë dhe e punëdashjes. Ka lindur mosbesimi, dinakëria, dembelizmi dhe frika për të folur.
Sekti i rilindjes ka bërë që kuadrove drejtues dhe nëpunësve t’u hipë zilia dhe lakmia, duke parë privilegjet e zyrtarëve të lartë të partisë, privilegjet e fëmijëve dhe të afërmve të tyre, që jetojnë në klane të veçuara, në një botë sekrete dhe misterioze, që hanë e vishen ndryshe të tjerëve, që hipnin e zbresin nëpër avionë të nisur e të kthyer nga Evropa në Dubai, kur populli i tërë ikën me gomone në Britaninë e Madhe, ata që janë brenda jetojnë në mjerim, frikë e janë dorëzuar.
Zyrtarëve të lartë të bandës së rilindjes, të komanduar nga Edi Rama u ndrit cipa e lëkurës nga ushqimet e zgjedhura, nga botoksi, nga makiazhi, jetojnë në pallate e vila, shijojnë pushime milionëshe në ishujt më të shtrenjtë të botës…socialistët e ndershëm janë kthyer në kavie, në shërbëtore të kësaj klike derrash të nginjur e shërbejnë pa bërë zë për një rrogë mjerane.
Po kështu është, sepse banda e rilindjes është kurnacë deri në kulm dhe grykëse deri në fund, të trashë dhe tru-mpirë, indiferentë ndaj varfërisë mbarëkombëtare, e prishnin lekun e djersës së njerëzve atje në vilat sekrete e misterioze pa iu dridhur dora, ndërkohë që popullin e gjorë e mashtrojnë me propagandë, kinse ata mendojnë e punojnë për të dhe të mirën e Shqipërisë.
Dritëro, sa mirë që nuk je! Jam i bindur që edhe po të ishe do të kërkoje që të mos ishe në këtë kohë dhe të rishihje edhe njëherë derexhenë e partisë tënde dhe të Shqipërisë.
Ti nuk do ta pranoje, po nuk do kishe mundësi as ku ta thoje më kundërshtinë tënde, sepse banda që kontrollon partinë tënde kontrollon gjithçka, çensuron gjithçka, e ti s’do kishe ku të flisje, ashtu siç nuk kanë ku flasin sot as ata socialistë që nuk janë dakord me këtë gjendje.
Mbaroi Dritëro, mirë që nuk je.
Shënim: Një pjesë e shënimit përkon me manifestin e Dritëroit në Kongresin e dhjetë të PPSH mbajtur në vitin 1991.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco