SYRI TV/ Lejet e ndërtimit, rekord historik në Tiranë: në vitin 2022, sipërfaqja e ndërtimit 1.8 milionë m2

14:25, 28/02/2023
A+ Aa A-

Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë ka arritur nivel rekord në vitin në 2022, i duke i kaluar 1.8 milionë m². Sipas të dhënave të INSTAT,  krahasuar me një vit më parë lejet për ndërtimet u rritën me 10 %, duke shënuar rekord historik që nga viti 2015. Ndërkohë, bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2023, trendi rritës pritet të vijojë.

Nga SYRI TV

Një nga premtimet më të zëshme të kryebashkiakut Erion Veliaj para se të zgjidhej në krye të bashkisë më të madhe të vendit, ishte se nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi, por  ajo që ndodhi  në kryeqytet gjatë drejtimit  të tij, ishte shumëfishimi i  ndërtimeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë, arriti rekord në 2022, kur i kaloi 1.8 milionë m².

Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005. Rekordi u shënua në tremujorin e parë 2022, kur u dhanë leje për një sipërfaqe prej 800 mijë m².

Në total, në Tiranë për gjithë vitin 2022 u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.

Në vlerë, ndërtimet në Tiranë vlerësohen nga INSTAT rreth 63 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro.

Vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të vashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Nga dhënia e lejeve të ndërtimit, bashkia arkëton rreth një të tretën e të ardhurave që ajo mbledh në total nga taksat dhe tarifat.

Bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2023, ky vrull pritet të vijojë.

Në vitin 2023, nga ky zë bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura, që përbën 34% të totalit të të ardhurave të veta të bashkisë, duke e bërë institucionin menaxhues të kryeqytetit tepër të varur nga lejet e ndërtimit, për sigurimin e të ardhurave të veta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco