Këlliçi hap protestën e opozitës: Tirana na ka mbledhur të gjithëve! Protesta më e madhe - më 14 maj

Këlliçi hap protestën e opozitës: Tirana na ka mbledhur të gjithëve! Protesta më e madhe - më 14 maj

12:35, 11/02/2023
A+ Aa A-

Belind Këlliçi, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, ka hapur sot me mesazhin e tij, protestën kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë. Ai e ka vënë theksin më fort te gjendja në të cilën e ka katandisur kryeqytetin, kryebashku socialist Erion Veliaj.

"E patë batërdinë me kulla që është bërë në sheshin Skënderbej? - iu drejtua ai protestuesve. Ju lutem kthejeni kokën dhe më thoni, a e shihni dot Sahatin e Tiranës? 
E zhduku me një firmë që hodhi. Kaq vlejti për kryebashkiakun simboli i Tiranës, kaq vlejti identiteti i kryeqytetit.

Nuk do më bënte fare habi nëse na quan sërish “shpellarë”.  Edhe sot në 103 vjetorin e Tiranës kryeqytet, zari i Ramës në Bashki po mundohet të na hedhë hi syve sikur promovon kulturën me inskenime koncerte lagjesh, ndërkohë që pak metra më tutje rrënohet Radio Tirana, në një kurs shkatërrimi pa kthim, gati për të ndjekur të gjithë vilat e tjera tradicionale të rrrugës Kont Urani, të cilat ja kanë lënë vendin kullave të betonit, e që e kanë shndërruar atë zonë të Tiranës nga një oaz mimozash, në labirinte betoni. 

Është kryebashkiaku i vetëm në Europë që publikisht ka fyer të rinjtë që jetojnë në konvikte, pa të cilët Tirana mbetet e shkretë.  Këtu shitësit të vogël ambulant i konfiskojnë tezgën ndërsa kriminelit i thonë biznesmen.  Këtu jemi në qytetin ku shëndetësia qenka falas po për një varr paguhet nën dorë. 
Kjo është Tirana ku premtohen parqe dhe lulishte por nuk të sheh syri një lule të mbjellë. 

Keni ardhur në kryeqytetin e vetëm në Europë që në qendrën e vet mbillen shkurre dhe jo lule. Këtu dritat e rrugëve fiken natën dhe ndizen ditën. 

A e dini se për të shkuar me urgjencë në spital, këtu mund të shkosh më shpejt me një betoniere se me autoambulancë? 

Ju që mendoni se në kryeqytet ka siguri më të madhe për jetën, e dini se këtu zjarrfikësja nuk hyn dot brenda lagjeve, sepse oborret bëhen pallate? Se lulishtja bëhet kafene dhe kafeneja mbushet me fëmijë që nuk kanë ku të luajnë? Kam shumë për të thënë, se nuk flas vetëm si Belind... 

Kryeministri duhet t’i rrijë gatitu shqiptarëve dhe jo e kundërta. Kryebashkiaku duhet t’i rrijë pronto qytetarëve, sepse ata kanë në duar instrumentin e votës dhe mund ta heqin kur të duan. Të dy së bashku, Edi Rama dhe zari i tij, e kanë drejtuar Tiranën për 19 vjet. Kjo që shihni vërdallë është produkti i tyre.  Nëse Tirana nuk ndryshon, Shqipëria nuk ka për të ndryshuar. Ndaj protesta më e madhe do të jetë më 14 maj

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco