Shqipëria nga sot me një Gjykatë Apeli/ Avokatët: Kostot do shtohen

Shqipëria nga sot me një Gjykatë Apeli/ Avokatët: Kostot do shtohen

09:56, 01/02/2023
A+ Aa A-

Duke filluar nga dita e sotme hyn në fuqi harta e re gjyqësore çka do të thotë 5 Gjykatat e Apelit në vend nuk funksionojnë më. Do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë.

Gjykatat e Apelit në Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë prej ditës së sotme (1 Shkurt) nuk janë më funksionale. Me vendim të KLGJ-së këto gjykata janë shkrirë dhe funksionale do të jetë vetëm Gjykata e Apelit në Tiranë, që do të shqyrtojë të gjitha çështjet në rang republike.

Ndërsa në gjykatat e apelit që u mbyllën, do të mbetet e hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët ku këta të fundit do të kenë mundësi të kërkojnë informacion apo të depozitojnë ankesa.

Ndërkohë, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, në një takim mes anëtarëve të KLGJ dhe gjyqtarëve mëngjesin e së hënës, bëri të ditur se kjo hartë e re gjyqësore do të përmirësojë cilësinë e shërbimit. Sipas Llagamit, çështjet të cilat kanë filluar gjykimin në gjykatat e apelit në rrethe që u “shkrinë”, do të vazhdojnë gjykimin.

Kurse avokatët thonë se me shkrirjen e Gjykatave të Apelit, qytetarët do kenë më pak akses në drejtësi, ndërsa kostot e tyre do të shtohen.

Shkrirja e gjykatave do sjellë probleme të mëdha në shqyrtimin e dosjeve dhe qytetarëve do u duhet shumë vite për të marrë drejtësi për një çështje të caktuara.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese padinë për hartën gjyqësore. Ata paralajmërojnë se mund të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut, nëse Kushtetuesja e lë në fuqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco