SYRI TV/ SPAK bëhet qesharak, aktakuza për McGonigal është publike

08:47, 01/02/2023
A+ Aa A-

SPAK nuk ka regjistruar ende një proces hetimi për skandalin Mcgonigal-Rama, e ngurron ta bëjë duke u justifikuar se nuk kanë aktakuzën. Edhe pse aktakuza është zyrtare e publikuar në faqen e Departamentit të Drejtësisë që prej datës 23 janar, SPAK kërkon që ta sigurojë atë nga deputeti i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi. SPAK zvarrit hetimin, ndërkohë që precedentët në të shkuarën dëshmojnë se hetimet nisin edhe vetëm me publikimet në media, e në rastin konkret ky fakt i njohur botërisht ka gjetur hapësirë në mediat më të ndjekura në SHBA e gjithë botën

SYRI TV

Tetë ditë nga publikimi në SHBA i skandalit Rama-Mcgonigal, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ende nuk ka regjistruar një procedim penal, duke u justifikuar se nuk ka dijeni mbi aktakuzën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse duhej të kishte kërkuar që ditën e parë informacione nga homologët e tyre amerikanë për skandalin më të rëndë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, SPAK ka zgjedhur të heshtë, e një javë më pas kërkon që për aktakuzën të njihet nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Por ndërsa SPAK kërkon që aktakuza t’i vihet në dispozicion nga Gazmend Bardhi, ky dokument është zyrtar në faqen e Departamentit të Drejtësisë që prej datës 23 janar. E bashkë me relacionin shpjegues, autoritetet amerikane kanë vënë në dispozicion edhe të gjithë aktakuzën, ku shpjegohet me detaje akuza për Charles McGonigal dhe takimet, roli i personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë, e për takimet në Shqipëri e SHBA mes McGonigal, deputetëve shqiptarë, Agron Nezës, Dorian Duçkës, e ish-zyrtarëve të tjerë të FBI që kanë përfituar kontrata të majme nga qeveria shqiptare.

Por pavarësisht se këto dokumente serviren zyrtarisht në faqen e Departamentit të Drejtësisë, ato janë sot një fakt i njohur botërisht, e të publikuara në mediat më të mëdha të botës, e kaq do të ishte e mjaftueshme për SPAK që të regjistronte një proces hetimor, për të gjithë zyrtarët shqiptarë përfshirë kryeministrin Edi Rama si të përfshirë në këtë aferë.

Madje, kjo nuk do të ishte diçka e re për praktikën e drejtësisë shqiptare pasi në të shkuarën janë regjistruar disa herë procedime kryesisht, pas publikimit në media, si në rastin e lobimit të Luzim Bashës, ku prokuroria sqaroi se hetimi u nis kryesisht pas publikimit të rastit në media, apo edhe më tej në rastin për hetimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, ku edhe në këtë rast hetimi u regjistrua me spunto publikimet në media e jo me kallëzim apo kërkesë për dokumente shtesë nga autoritetet, procedurë e cila është kryer nga prokurorët e çështjes pas nisjes së hetimeve.

Më datë 24 janar të këtij viti, redaksia e Syri Televizion i është drejtuar me kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme për informacion, nëse po kryhen veprime apo kanë nisur hetime për çështjen Rama-McGonigal. Kur kanë kaluar 7 ditë, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco