Arrestimi i mikut të tij ish-shef i FBI, Rama reagon si i pandehur: Nuk do flas më!

Arrestimi i mikut të tij ish-shef i FBI, Rama reagon si i pandehur: Nuk do flas më!

16:33, 24/01/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të heshtë lidhur me arrestimin e mikut të tij, ish-shef i FBI Charles McGonigal. 

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet se nuk do të flasë më, ndërsa reagimi i tij i ngjason një të pandehuri në një proces penal që kërkon të përfaqësohet nga një avokat. 

Ai thotë se akuzat që rëndojnë mbi McGonigal nuk kanë asnjë lidhje me të, edhe pse ish-zyrtari i FBI sipas hetimeve, mësohet se është paguar në Shqipëri 225 mijë dollarë nga njerëz pranë Edi Ramës, ndërsa lobonte për kompanitë ruse. 

Para të cilat McGonigal nuk i ka deklaruar, sikurse ka fshehur edhe udhëtimin në Shqipëri. 

Sakaq, Edi Rama ka pranuar publikisht se ka njohje dhe miqësi me Charles McGonigal gjë të cilën e ka deklaruar publikisht

"Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve! 

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s'dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë", thuhet në reagimin e kryeministrit.

Në muajin shtator 2022, SYRI TV do të denonconte se si McGonigal kishte hapur një kompani në Tiranë për lidhje biznesi, e jo siç deklaronte më pas Edi Rama, për miqësinë e tij me ish-zyrtarin e arrestuar.

Charles McGonigal u arrestua në aeroport në Nju Jork dhe është lënë në lirim me kusht pasi pagoi 500 mijë dollarë. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me një oligark rus, të quajtur Oleg Deripaska, me qëllim shmangien e sanksioneve ruse.

Por mbi të gjitha, McGonigal njihet edhe si mik personal i kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe është nën akuzë se ka marrë 225 mijë dollarë nga njerëzit e Edi Ramës. Sipas hetuesve amerikanë, Rama është takuar të paktën katër herë me zyrtarin e FBI, por këto takime nuk janë raportuar.

Gjithashtu, Charles McGonigal i cili dyshohet nga prokurorët amerikanë për lidhje me Rusinë, rezulton të ketë aktivitet biznesi në Shqipëri. 

Syri Tv dhe Syri.net zbuluan ekskluzivisht në shtator 2022 se si miku i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, në kohën që po lobonte për një takim në SHBA, hapi në Shqipëri një kompani, ku pas blerjes së aksioneve u emërua edhe administrator i saj. 

Nga dokumentet e siguruara nga Qëndra Kombëtare e Biznesit, McGonigal është aksioner dhe administrator në shoqërinë “Laë Office and Investigation”. Në të njëjtën kohë, bashkë me të aksioner të kompanisë bëhen edhe Agron Neza, që gjithashtu përmendet në dokumentet e kontakteve me rusët dhe ish-agjenti tjetër i FBI Mark Thomas Rossini, i cili aktualisht është në gjykim në Porto Riko, i akuzuar për mashtrim dhe konspiracion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco