Bylykbashi: PD do të regjistrohet në zgjedhje, kemi vendimin e gjykatës

17:09, 19/01/2023
A+ Aa A-

Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht deputeti Oerd Bylykbashi është shprehur se Partia Demokratike do të regjistrohet në zgjedhje, pasi ka një vendim gjykate që njeh statutin e 11 Dhjetorit 2021.

Duke folur në Edicionin e Pasdites në SYRI TV me Armela Ferkon, Bylykbashi u shpreh se vendimi i gjykatës së Shkallës së Parë është në fuqi dhe nuk ka një vendim tjetër që ta ketë rrëzuar. Prandaj PD do të shkojë dhe KQZ dhe do të regjistrohet për zgjedhjet e 14 majit.

‘Dy janë afatet kryesore që vijnë përpara.

29 janari është caktimi i anëtarëve të KZAZ-ve, ku gjysmën e mazhorancës e ka qeveria dhe gjysmën e ka opozita. Po u thye kjo rikthehemi në konfliktet e mëdha të viteve 2000-2001.

Edhe negociatat në rezidencën e ambasadores amerikane, debati ky ishte, që të merrte kontrollin qeveria në të gjitha komisionet. Atë e kundërshtova unë, nuk pranoj që të marrë komisionet 5 me 2 mazhoranca.

Data tjetër është 7 marsi. Dhe këtu pyetja që thatë ju, si do të regjistroheni. E dini ju se deri para 1 viti nuk ishte kurrë kjo pyetje, por kur do të regjistroheni. Nuk duhet të ekzistojë ideja që partitë të pengohen për të hyrë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk janë histori personash dhe interesash.

Ne kemi një vendim gjykate. Gjykata ka vendosur që Statuti i PD është miratuar në 11 dhjetor 2021. Atë ditë është miratuar logo dhe vula e re, atë që e përdorim që është e themelimit të PD, dhe është shkarkuar Lulzim Basha dhe janë shkarkuar organet e tjera.

Ka një vendim gjykate në fuqi, dhe nuk ka një vendim tjetër që ta ketë rrëzuar.

Ju mund të thoni se nuk ka formë të prerë, atëherë precedenti është vendosur në 2019 me Bindjen Demokratike, që është regjistruar me një vendim që kishte kaluar vetëm 1 ditë. KQZ tha po ne e pranojmë këtë dhe e quajmë të ligjshme. Ai është precedent ligjor i vendosur nga KQZ-ja dhe i pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Pra e kemi precedentin, vendimin e gjykatës, logon, vulën, kemi kryetarin e partisë dhe të gjitha. Vetëm vullneti kundër i Edi Ramës mund ta pengojë, se gjithçka tjetër është procedurë’, tha Oerd Bylykbashi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco