Meta ndaj deklaratave të Xhaçkës: Për disa ‘vota mizerabël’, Rama përgjegjës për largimin e shqiptarëve

Meta ndaj deklaratave të Xhaçkës: Për disa ‘vota mizerabël’, Rama përgjegjës për largimin e shqiptarëve

15:04, 15/01/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ndaj një reagimi të ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mbi kthimin e emigrantëve shqiptarë nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë.

Xhaçka përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, e ka quajtur të turpshme gjuhën e përdorur nga ministri përgjegjës për Emigracionin në Britani ndaj shqiptarëve, duke thënë se këtë e bënë vetëm për të marrë disa vota.

Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë vetëm për disa vota: Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin!

Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë, në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë 🇦🇱 dhe atij të Britanisë së Madhe  🇬🇧, ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në  kulturë, ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm!”, thuhej në reagimin e Xhaçkës.

Nga ana tjetër, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Meta ka nxjerrë një analizë të ish-këshilltares së Integrimit në Presidencë, Ilda Zhulalit, ku thuhet se për disa vota kryeministri shqiptar po largon popullin nga vendi i tij, po asgjëson opozitën, po merr të dhënat e shqiptarëve, etj.

Meta thotë se analiza e saj është nga më bindëset, lidhur me debatin e hapur nga ministrja Xhaçka për “votat mizerabël”.

“Vështirë të gjesh një logjikë dhe elokuencë më bindëse lidhur me debatin për “votat mizerabël”. Një analizë e shkëlqyer që ju ftoj të gjithëve ta lexoni!”, shkruan Meta krahas analizës së Zhulalit.

Analiza e Ilda Zhulalit:

Lufta për votat mizerabël dhe një kanal në mes

Ministrja strategjike për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj një postimi të Ministrit britanik të migracionit, i cili reklamon rezultatet e aksionit për deportimin e shqiptarëve që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Angli, përmes politikës ‘kapi shqiptarët dhe ktheji në Tiranë.’

Ministrja e shokuar thotë se kjo qasje që synon të fitojë ca ‘vota mizerabël’ në kurriz të një populli të tërë, është e papranueshme.

Por Ministrja harron se për ca ‘vota mizerabël’, ajo dhe shefi i saj Kryeministër janë përgjegjës për motivet dramatike që i shtyjnë këta njerëz për tú larguar turravrap nga vendi, qoftë edhe me koston e humbjes së jetës.

Për ca ‘vota mizerabël’, ajo dhe shefi i saj Kryeministër po bëjnë cdo gjë që të asgjesojnë me ligj e me Maliq opozitarizmin në Shqipëri.

Për ca ‘vota mizerabël’ rekrutuan më shumë se 600 individë me rekorde kriminale në parlament dhe administratën e pushtetit qendror dhe lokal, sa u desh të spastroheshin përmes një ligji të posaçëm dekriminalizimi.

Për ca ‘vota mizerabël’ e kthyen Shqipërinë në hambar të drogave dhe në bazë operacionale të krimit të organizuar.

Për ca ‘’vota mizerabël’ i kthyen të dhënat personale të shqiptarëve në plaçkë të tregut të zi.

Për ca ‘vota mizerabël’ trysnojnë pacipërisht çdo jo-votues të tyre përmes patronazhimit shtantazhues.

Për ca ‘vota mizerabël’ e kthyen ekonominë shqiptare në lavatriçe të pastrimit të parave të pista, duke heroizuar hajdutët, trafikantët, dhe kriminelët si modeli i suksesit në jetë.

Për ca ‘vota mizerabël’ Shqipëria është e gjitha e dhënë me konçesion tek pronarë që letrat i kanë fshehur në guacka ishujsh, por emrat e fytyrat ua njohim të gjithë.

Për ca ‘vota mizerabël’ skandalet korruptive të qeverisë neutralizohen nga përputhjet politiko-mediatike.

Për ca ‘vota mizerabël’ i kanë kthyer spitalet në qendra torture fizike dhe psikologjike duke i braktisur në një luftë mes vetes të pafajshmit të sëmurë e mjekë.

Për ca ‘vota mizerabël’ i kanë kthyer shkollat në fabrika që prodhojnë diploma emigrantësh.

Për ca ‘vota mizerabël’ qytetet e braktisura shiten si zbulime ekskluzive të eksploratorëve qeveritarë me ndonjë buzëqeshje ndërkombëtare në mes.

Po zonja Ministre, të mjerët shqiptarë janë zënë çark në ujërat e kanalit, ndërkohë që në të dy brigjet zhvillohet lufta për ca vota mizerabël!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco