Lajmi i fundit

LIVE/ Argita Malltezi konferencë për shtyp

Shtatë organizata ndërkombëtare: Liria e medias në përkeqësim, Rama na sulmoi në takim

Shtatë organizata ndërkombëtare: Liria e medias në përkeqësim, Rama na sulmoi në takim

19:14, 18/11/2022
A+ Aa A-

Pas një misioni dy-ditor faktmbledhës, shtatë organizata ndërkombëtare të lirisë së medias vlerësuan se mungesa e pluralizmit, e transparencës dhe interesat ekonomike të pronarëve vazhdojnë të mbysin gazetarinë e pavarur në Shqipëri.

Nga Aleksandra Bogdani, BIRN

Shtatë organizata partnere të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Europës deklaruan të premten, në një konferencë për shtyp në Tiranë, se Shqipëria vazhdon të shënojë një përkeqësim të lirisë së medias.

Ata theksuan gjithashtu se kishin pasur një takim të tensionuar me kryeministrin Edi Rama lidhur situatën aktuale të medias dhe gazetarëve në vend.

Ricardo Gutierrez nga Federata Europiane e Gazetarëve tha se ishin sulmuar nga Rama, pasi i kishin përmendur një raport të fundit që e rendit Shqipërinë si vendin e dytë më të keq pas Turqisë në Europë për pluralizmin e mediave.

“Unë mendoj se Zoti Rama po priste mundësinë që të na sulmonte. Kjo ishte strategjia; ne thonim diçka dhe ai na sulmonte për atë që thonim ose e interpretonte atë,” tha Gutierrez, i pyetur për takimin me Ramën.

“Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë nga hera e fundit që ishim këtu që të përmirësojë situatën, madje situata është sot më e keqe. Ky është një dështim i qeverisë dhe presim që të merren masa,” shtoi ai.

Gjatë misionit 2-ditor faktmbledhës në Tiranë, përfaqësuesit e shtatë organizatave ndërkombëtare të lirisë së medias u takuan me gazetarë dhe redaktorë, organizata lokale të medias, përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit, drejtues të institucioneve ligjzbatuese si dhe rregullatorë të medias.

Organizatat e përfshira në këtë mision ishin Artikulli 19, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Federata Europiane e Gazetarëve, Reporterë pa Kufij, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias si dhe Unioni i Transmetuesve Europianë.

Gjatë konferencës për shtyp, organizatat theksuan se pavarësisht disa përmirësimeve, Shqipëria vazhdon të përjetojë përkeqësim të lirisë së medias dhe se gazetaria e pavarur është e mbytur nga “kapja e mediave nga interesat e biznesit dhe politikës”.

Koncetrimi i medias nën kontrollin e grupeve të mëdha të biznesit u konsiderua një problem kyç i mjedisit mediatik shqiptar. Gjithashtu u evidentua mungesa e transparencës nga institucionet publike si dhe një rënie e zbatueshmërisë së ligjit për të drejtën e informimit.

Organizatat ndërkombëtare të medias kritikuan gjuhën denigruese të figurave të larta politike ndaj gazetarëve kritikë si dhe praktikat e fundit të kryeministrit Edi Rama për “dërgimin në ri-edukim” të gazetarëve që bëjnë pyetje sfiduese apo ndalimin e pjesmarrjes së tyre në konferencat e shtypit.

Si zhvillime pozitive u vlerësuan tërheqja nga parlamenti e draft-ligjeve të njohura si “paketa antishpifje”, rritja e numrit të konferencave për shtyp nga ana e kryeministrit si dhe adresimin nga ana e policisë së sulmeve ndaj gazetarëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco