Dyshimet për portin e Durrësit, Soko: Nuk fitojmë asgjë

Dyshimet për portin e Durrësit, Soko: Nuk fitojmë asgjë

08:16, 18/11/2022
A+ Aa A-

Projekti i portit të Durrësit nuk po kundërshtohet vetëm nga opozita por edhe ekspertët e ekonomisë.

Pano Soko në një intervistë për Ora News argumentoi të gjitha dritëhijet e projektit që ngrenë dyshimet se kemi të bëjmë me një megaaferë pas të cilët qëndrojnë njerëz me pushtet politik.

Soko: Nëse do kishim një ide reale për portet e jahteve në Shqipëri duhet të kishim një garë. Nuk patëm një garë. Projekte të tilla të mëdha kërkojnë diskutim shumë të madh, konsultim shumë të madh, ekspertizë të nivelit të lartë, vendimmarrja nuk merret në një ditë. Që këtu nis dyshimi që nuk kemi të bëjmë me një projekt të mirë, ambicioz për shoqërinë shqiptare dhe shtetin shqiptar. Të lind ideja se kemi të bëjmë me një projekt ku përfituesit do të jenë individët.Kompania që merr pjesë, në fillim u tha se do të ishte “Emaar Group”.

Po të ishte ajo do ishte një temë e ezauruar. Më vonë thonë se nuk është kjo por ish-drejtuesi i kompanisë Alabar. Më vonë thonë se Alabar është pjesëmarrës te kjo kompania dhe ka 40% të aksioneve, po 60% kush i ka? Nuk kishte pse themelonin një kompani offshore që mos të merrej vesh kush janë përfituesit fundorë nëse nuk do kishin asnjë siklet. Ligji kalon me procedurë të përshpejtuar. Mezi po presin të fillojnë punë, pse? Kemi zgjedhje. Kjo të bën të besosh se pas ka njerëz që minimalisht kanë influencë politike. Jo vetëm kaq por janë njerëz që kanë pushtet politik.

Dyshimet përforcohen edhe nga fakti se në këtë projekt është e përfshirë dhe një kompani offshore.

Soko: Nëse këtu vjen një kompani që është e listuar në bursë ne jemi mëse krahëhapur ndaj asaj kompanie se është transparente. Bursa asnjëherë nuk operon me pronarë të fshehtë. Mund të jetë themeluar në offshore por vetëdeklarohet. Te ne nuk është ky rasti.

Kompanitë offshore janë të gjitha me përfitues fundorë të padeklaruar, nuk e dimë kush janë përfituesit fundorë. Edhe në rastin e portit të Durrësit kompania është themeluar në offshore dhe arsyeja është për të mbajtur të fshehur pjesën tjetër të aksionerëve që do të përfitojnë nga ky projekt.

Por duke anashkaluar të gjitha shkeljet në procedura, Soko thotë se ka një handikap të madh dhe te ndikimi ekonomik, ku sipas tij Shqipëria përveçse ka humbje të mëdha, nuk merr asnjë përfitim mbrapsht.

Soko: Shteti shqiptar kontribon në kontratën koncesionare me 33% dhe kontraktori me 66%. Në fund të planit të biznesit, vëllimi i biznesit do të jetë 3.2 miliard euro, fitimi i realizuar në fund do të jetë 800 mln euro, shteti shqiptar do të marrë 33% të 800 mln eurove, rreth 250 mln euro.

Ndërkohë që shteti shqiptar po shpenzon për këtë kontratë 220 mln euro taksa dhe të paktën 1 milion metër katrorë me 140 euro metri katrorë që është sot vlera e tokës, janë 140 milion euro. Do të lëmë 360 milion euro për të marrë 250 milion euro. Ky nuk është biznes.Këtu nuk kanë futur akoma shpenzimet e mirëmbajtjes që i kemi ne. Bashkë me këto shkon diku 450 mln euro. Nuk po fitojmë gjë.

Por nga ana tjetër ne kemi një port për të zhvendosur nëse miratohet kjo kontratë. Porti i Durrësit përpunon sot rreth 5 milion tonë mallra në ditë. Do të duhet një investim 1.5 miliard euro për të ndërtuar një port të ri. Do të dojë 7-8 vjet të ndërtohet. Në momentin që nuk merr dot një vendim për zhvendosjen e portit të Durrësit nga pikëpamja financiare për Shqipërinë do të ishte një shkatërrim, është "bombë".

Porti i Durrësit sot është furnizuesi kryesor i ekonomisë shqiptare dhe buxhetit shqiptar. Për ta zhvendosur na duhen lekët. Nuk mund të rrijë një ditë pa port Shqipëria. Edhe nëse duam ne nuk të lë BE, nuk të lë NATO. Po këto 1.5 mld euro ku do ti nxjerrim? Ky është nonsens.

E gjitha më duket një përpjekje për të futur në një dorë të mirë të gjithë asetin ekonomik që përfshin truallin rreth e përqark portit dhe për të pasur një biznes që do të gjenerojë të ardhura për 35 vjet kushdo që të vijë apo të ikë nga pushteti.

Këtë interes e kanë individë që sot janë në pushtet dhe kanë mundësi ta bëjnë. Është me dëm me Shqipërinë kjo, nuk është thjesht një aferë që mund të kalojë si ato tenderat e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco