INTERVISTA/ Greva e urisë e pedagogëve, Ardian Isufi: Qeveria, e shurdhër ndaj një momenti fisnik

INTERVISTA/ Greva e urisë e pedagogëve, Ardian Isufi: Qeveria, e shurdhër ndaj një momenti fisnik

11:29, 01/11/2022
A+ Aa A-

Tik-taku i nisjes së një greve urie nga pedagogët e universiteteve publike, po i troket Qeverisë shqiptare, e cila ka më pak se 24 orë kohë për t’i dhënë rrugë, kërkesave të tyre ekonomike të parashtruara realisht prej gati  tri vjetësh.

Profesor Ardian Isufi, pedagog në Akademinë e Arteve, një nga drejtuesit e protestës së punonjësve të universiteteve, shpjegoi në studion e “Kafe Shqeto” në SYRI TV se ata po ecin përpara në mënyrë fisnike dhe janë shumë të qetë, pasi çështja nuk është politike, majtas apo djathtas.

“Ne nuk jemi më thjesht për ato 9 pika, por jemi për një kapitull të ri të çështjeve të Arsimit të Lartë, i cili duhet të jetë çështja kryesore e GDP-së, pra e Buxhetit të vitit që vjen”, theksoi profesori.

Pjesë nga intervista:

Flavio: Z. Isufi, në këto momente më lejoni t’ju drejtohem edhe si “grevist”.

Ardian Isufi: Po bëjmë maksimumin për të sensibilizuar jo vetëm qeverinë shqiptare, por të gjithë institucionet e shtetit shqiptar për sa i përket një peticioni me 9 pika, që për hir të së vërtetës, janë shtuar shumë e më shumë pika, se Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë që në vitin 2019 i ka dërguar një kërkesë qeverisë shqiptare, e cila nuk e ka marrë parasysh dhe nuk ka sjellë asnjë përgjigje, kështu që në këtë kontekst është përshkallëzuar aksioni i sindikatës, i cili ka filluar qysh në fund të qershorit dhe po vazhdon, mund të them çdo ditë, në Korpusin qendror të Universitetit Politeknik, ku dhe të gjithë universitetet në rang kombëtar kanë bojkotuar procesin mësimor për shkak të mosplotësimit të pikave të peticionit.

Ola: Mendoni se kjo nismë e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve do t’i jepte një zgjidhje kësaj situate, sepse greva është e fundit?

Ardian Isufi: Po mendojmë se, përderisa qeveria po bën një zë të shurdhët dhe gjithashtu nuk po merr në konsideratë gjithë këtë moment, që është sa fisnik, por edhe një kërkesë reale për financimin tërësor në arsim, ne nuk jemi më thjesht për këto nëntë pika, por jemi për një kapitull të ri të çështjeve të arsimit të lartë, i cili duhet të jetë çështja kryesore e GDP-së, pra e Buxhetit të vitit që vjen dhe në këtë kontekst, ky përshkallëzim vjen në një formë organike dhe normale sepse ne kërkojmë në emër të të gjithë pedagogëve, ngaqë peticioni është firmosur nga mbi 70% të pedagogëve në rang kombëtar.

Kërkojmë me patjetër që të plotësohen pikat e peticionit, për një arsye në radhë të parë se pikat janë të argumentuara, nuk janë vetëm thjesht një lloj teke apo dëshirë e njëanshme e sindikatës, por janë të argumentuara duke pasur parasysh vendet në rajon. Pra, çdo argumentim është bërë me Kosovën apo me Maqedoninë, ku dhe rritjet që janë kërkuar jo vetëm të pagës mesatare të pedagogut, por në tërësi rritjet për financimin e kërkimit shkencor, rishikimi i pagës së orës mësimore, rishikimi i financimit në tërësi që lidhet me bordet e administrimit - të gjitha janë analizuar përballë Kosovës dhe Maqedonisë dhe jemi jashtëzakonisht poshtë jo vetëm në rajon për sa i përket financimit në arsim, por jemi vendi i fundit në Europë, gjë që na ka bërë akoma më shumë që t’i japim temp, kërkesave tona dhe të përshkallëzojmë deri në momentin final për të sensibilizuar tashmë jo vetëm qeverinë, por edhe institucione si parlamenti e të tjera me radhë, të gjithë shoqërinë shqiptare.

Ola: A keni pasur përkrahje nga studentët në këtë nismë që keni marrë përsipër?

Ardian Isufi: Po, kemi shumë përkrahje nga studentët. Shumë studentë kanë ardhur dhe i kanë folur publikisht çështjet e tyre. Ka shumë çështje që studentët i kanë referuar dhe që lidhen në mënyrë indirekte edhe me kërkesat tona. P.sh. Karta e Studentit ka qenë një nga problematikat qendrore të studentëve që e kanë thënë aty publikisht. Ne nuk po bëjmë gjëra nën hijen një godine apo nën hijen i disa njerëzve. Ne me studentët po komunikojmë përditë, studentët i kemi një pjesë që referojnë aty përditë, janë senatorë të studentëve apo studentë që vijnë nga organizatat studentore që realisht i kanë dhënë një temp shumë të mirë çështjeve akute të arsimit, sepse kemi vënë re që qysh nga protesta e studentëve, një pjesë e mirë e pikave të tyre nuk janë realizuar. Kështu që në një farë mënyre po bashkohen, jo vetëm çështjet e pedagogëve, por po bashkohen edhe çështjet e studentëve që nuk janë marrë parasysh nga viti në vit për të krijuar një përmirësim real dhe përmirësimi real nis nga një financim real ku qeveria shqiptare dhe çdo qeveri duhet të shohë si financohet sot arsimi publik në vende elitë, ku jepet një përqindje e konsiderueshme e GDP-së.

Flavio: Edhe greva e do një aspekt konkret dhe praktik. A i keni marrë masat, 24 orë përpara?

Ardian Isufi: Ne po ecim përpara në mënyrë fisnike. Po ecim përpara, jemi shumë të qetë. Mendojmë se është një çështje e cila nuk ka, si të thuash….Mund të jetë një çështje politike në kuptimin publik të fjalës, por jo një çështje politike majtas apo djathtas dhe në këtë kontekst, kjo qetësia e besimit që ne kemi mbi çështjet që janë bërë çdo ditë e më shumë, që janë evidentuar, na ka dhënë edhe qetësinë që të marrim edhe këtë masë ekstreme, e cila patjetër që ka nevojë për një thirrje, qoftë të brendshme, por një thirrje të  institucioneve shqiptare dhe mbarë shoqërisë shqiptare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco