FOTO/ 73 vjet nga masakra e regjimit komunist që përgjaku Mirditën, nderohen 14 Martirët e Demokracisë

FOTO/ 73 vjet nga masakra e regjimit komunist që përgjaku Mirditën, nderohen 14 Martirët e Demokracisë

13:13, 17/08/2022
A+ Aa A-

Në Mirditë është përkujtuar 73-vjetori i Masakrës së Qafë Valmirit, ku familjarë, miq, të afërm, qytetarë, kreu dhe drejtues lokalë të Partisë Demokratike, përfaqësues të familjeve të persekutuara dhe studiues nga mbarë trojet shqiptare kryen homazhe tek memoriali i 14 burrave dhe djemve mirditorë të pushkatuar dhe në masakrën që përgjaku Mirditën në 17 gushtin e vitit 1949.

Nga Elkier Bushkolaj

Çdo 17 gusht homazhet në këtë memorial janë kthyer në një traditë, ku nderohen Martirët e Lirisë, që dhanë jetën në betejën kundër instalimit të regjimit komunist.

73 vite në parë në Mirditë do regjistrohej një nga krimet më të egra të komunizmit në shenjë hakmarrje për rezistencën e armatosur të kësaj treve kundër instalimit të regjimit komunist.

Qeveria komuniste përdori ekzekutimin e deputetit komunist Bardhok Biba nga luftëtarët e rezistencës për të kryer një masakër që i përngjet gjenocidit ndaj parisë dhe popullsisë së kësaj treve.

Babai i Bardhok Bibës, kërkoi më ngulm që një hakmarrje e tillë të evitohej, por kërkesat e tij ranë në vesh të shurdhër. Me udhëzim të ushtarakëve rusë dhe serbe që drejtonin forcat e ndjekjes dhe forcat e ushtrisë në luftën kundër njësiteve antikomuniste që operonin në këtë treve u mor vendimi nga qeveria e Tiranës për pushkatimin e 14 burrave dhe djemve prej familjeve të njohura të kësaj treve.

Në krye të aksionit për masakrën ndaj popullsisë civile u caktua Mehmet Shehu, ndërkohë pas një gjyqi formal të kryesuar nga Bilbil Klosi, të dënuarit u ekzekutuan më 17 gusht 1949.

Të ekzekutuarit janë:

Preng Ded Kola nga Oroshi varet në litar; Pjetër D. Vila nga Kaçinari varet në litar; Dodë Mark Biba nga Kthellë e Epërme varet në litar;

Pjetër Paloka nga Kaçinari varet në litar; Nikollë Bardhok Bajraktari nga Rrësheni pushkatohet; Llesh Gjon Mëlyshi nga Malaj pushkatohet;

Nikoll Llesh Bajraktari nga Oroshi pushkatohet; Ndrecë Mark Ndoj nga Kaçinari pushkatohet; Bardhok Dodë Gjini nga Proseku pushkatohet;

Gjok Gjin Kaçi nga Bukmira pushkatohet. Gjergj Beleshi nga Kthellë e Epërme, vritet për të vëllanë, Dodën; Ndoc Gjet Cupi nga Blinishti pushkatohet; Preng Shkurt Nikolli nga Oroshi pushkatohet; Frrok Mata nga Kaçinari pushkatohet.

Ekzekutimet u kryen në Qafën e Valmirit në prani në popullsisë vendase të nxjerrë me detyrim dhe trupat u futën në dy varre të përbashkëta.

Viktimat e kësaj masakre nga viti 1993 janë shpallur “Martirë të Demokracisë”.

Dekreti i presidentit të Republikës nr. 631 mban këtë motivacion: “Atdhetarë me shpirt e veprimtari, aktivistë të vendosur e mbështetës të shquar të luftëtarëve të maleve shqiptare kundër diktaturës komuniste. Të ekzekutuar në shenjë hakmarrje nga terrorizmi i kuq, emri i tyre mbetet në altarin e demokracisë shqiptare.”

Në 21 qershor 2017 presidenti Bujar Nishani të 14 martirëve të demokracisë u ka dhënë “Dekoratën e artë të Shqiponjës”.

Në gushtin e vitit 1949 pak ditësh u arrestuan në Mirditë mbi 500 persona dhe 300 familje u internuan në kampet e përqendrimit.

Foshnja të vogla dhe fëmijë të mitur ndërruan jetë rrugës për në kampe ose vdiqën brenda dy viteve në ambientet e këtyre kampeve fatkeqe.

Rezistenca e armatosur kundër regjimit komunist në malet e Mirditës dhe malësisë së veriut vijoi intensive deri në vitin 1953, kur rreth 2500 burra dhe djem nga Mirdita e zona të tjera të veriut humbën jetën në përplasjet e armatosura më forcat ushtarake, që drejtoheshin nga oficerë jugosllavë dhe rusë. Luftëtarët e rezistencën gjetën ndër vite strehe ushqim dhe besë në popull, teksa regjimi nuk e ndali hakmarrjen, teksa pas ekzekutimeve dhe burgosjeve, vendosi të ndarje në disa rrethe territorin e kësaj krahinë që vijon edhe sot të jetë i ndarë.

Image

Image

Image

Image

Image

Image

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco