Njerëzit e vegjël që (s’mund të) kundërshtojnë (dot) Sali Berishën

Njerëzit e vegjël që (s’mund të) kundërshtojnë (dot) Sali Berishën

08:51, 30/11/2021
A+ Aa A-

Nga Ibrahim Morina/

“Njerëzit e mëdhenj flasin për ide...,njerëzit e mesëm flasin për ngjarje ...,njerëzit e vegjël flasin për të tjerët...”.

Kjo shprehje rreth 2400-vjeçare mbetet ende aktuale edhe sot, jo thjesht se e ka thënë Platoni, por edhe për filozofinë e saj që ajo mbart dhe përcjell.

Që të jem i sinqertë, tani nuk arrij të bëj dot dallimin, apo më saktë klasifikimin, në se më erdhi më parë në mendje kjo shprehje lapidar, apo më ra në sy shterpësia e argumenteve të “njerëzve të vegjël” që kundërshtojnë sot Sali Berishën. Afër mendsh këta njerëz, i bie të jenë edhe mbështetësit e Lulzim Bashës, por në këtë mision të sforcuar ata duken edhe më të vegjël, xhuxhë, apo liliputë, aq sa as shprehja e famshme e Platonit, nuk mund ti përfshijë.

Për sa i përket pastaj se çfarë përfaqëson kjo kategori “njerëzish të vegjël”, se çfarë përfaqëson pesha e tyre opinionbërëse, partiake apo mediatike, ky është një tjetër diskurs...

***

Që prej mesit të shtatorit të këtij viti Sali Berisha publikisht ka shpallur platformën e tij për rithemelimin e PD-së. Kjo platformë nuk ka mbetur thjesht dhe vetëm në kuadrin e një deklarate publike, por në përditshmërinë e tij, ai edhe ka filluar dhe po vazhdon konkretizimin e saj, në takimet dhe diskutimet hapura me anëtarësinë, e thënë ndryshe, bazën e PD-së.

Në këto takime anë e kënd vendit, Sali Berisha ka shoqëruar platformën e tij edhe me disa kërkesa, të cilat nisin me nevojën e shkarkimit të Lulzim Bashës, kreut aktual të PD-së dhe bashkë me atë edhe largimin e kreut aktual të qeverisë, Edi Rama. Pjesë e kësaj platforme për Sali Berishën mbetet edhe mbrojtja e sovranitetit të PD-së e cila nuk mund të marrë kurrë vendimet të diktuara nga askush përveç nga anëtarësia e saj, sikurse edhe mbrojtja e statusit, kushtetutës, së PD-së, që nuk i jep asnjë kompetencë për masa disiplinore kryetarit, kur një tagër të tillë e ka Këshilli Kombëtar, biles edhe ai dhe me dy të tretat e votave.

Në komunikimin e tij me bazën e PD-së Sali Berisha ka denoncuar me fakte dhe emra, që nga Xhorxh Soros e deri te Edi Rama, sigurisht me bekimin edhe të Lulzim Bashës, përpjekjet e tyre deri në shpalljen e tij “non grata” nga SHBA. Për Sali Berishën, denoncimin që ai i bëri përpjekjeve për zhbërjen, ndarjen e Kosovës, mbetet shkaku i vetëm i vendimit ekstrem ndaj tij.

Por çfarë ka ndodhur në më se një muaj e gjysmë, kohë në të cilën Sali Berisha, i përsërit këto argumente, e fakte, bashkë edhe me denoncime emrash?

Mbështetësit e tij, të cilët logjikisht janë edhe kundërshtarët e Lulzim Bashës, në kryesinë e PD-së në grupin parlamentar, në Këshillin Kombëtar, në Kuvendin Kombëtar, deri edhe te anëtarësia e PD-së, por edhe mbështetësit mediatikë, mbështesin shkarkimin e Lulzim Bashës, mbështesin sovranitetin e PD-së, mbështesin edhe mbrojtjen e statusit të saj. Dhe jo vetëm kaq, por ata sjellin edhe argumente si, humbjen e të gjitha zgjedhjeve në 8 vitet e fundit, rënien e numrit të votuesve të opozitës në përgjithësi dhe të PD-së në veçanti, mungesën e aftësisë motivuese të Lulzim Bashës, vendimmarrjet personale të kreut të PD-së dhe injorimit prej tij të strukturave të saj, deri edhe në denoncimin me fakte të kapjes së tij prej Edi Ramës. Në këtë mbështetje nuk mungojnë edhe sinkronizimi me Sali Berishën për sa i përket denoncimit të shkakut të shpalljes së tij “non grata”, dhe të listës së “autorëve” që janë investuar në këtë vendimmarrje amerikane, bashkë edhe me denoncimin e pabesisë së Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.

E kundërta ndodh në “krahun tjetër”.

Kundërshtarët e Sali Berishës, partiakë e mediatikë, të cilët po aq logjikisht i bie të jenë mbështetësit e Lulzim Bashës, përmbushin “kushtin” për të merituar përcaktimin “njerëz të vegjël”, sipas përkufizimit të Platonit. Për aq sa çdonjëri prej jush ka ndjekur zhvillimet intensive të politikës që nga messhtatori, a ka dëgjuar ndonjë argument të mundshëm kundër, nga kundërshtarët e Sali Berishës, për platformën e tij...?!

Natyrisht që jo!

Të gjithë këta “njerëz të vegjël flasin për të tjerët...”, por jo “për idetë dhe ngjarjet”, flasin për Sali Berishën duke ricikluar çfarë kanë thënë në më se 30 vitet e fundit për atë, por nuk thonë asgjë për çfarë ai po thotë e po bën në këtë më se një muaj e gjysmë të fundit.

Më e keqja ndodh me mbështetjen e Lulzim Bashës. Askund, askush nga mbështetësit e tij, nuk ka guximin të artikulojë një arsye të vetme pse ai duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të PD-së. Më shumë se një e keqe, kjo është një fatkeqësi për Lulzim Bashën, i cili do të rri, por edhe vetë nuk di pse duhet të rri në krye të PD-së, kur as mbështetësit e tij, kundërshtarët e Sali Berishës, nuk dinë çfarë ti thonë, qoftë edhe sa për ngushëllim, edhe për atë pse ai ka marrë nëpër këmbë sovranitetin e PD-së, apo edhe statutin e saj.

***

PD-ja është një parti me një histori më se 30-vjeçare. Ky rrugëtim i saj si forca e parë politike, demokratike, ka bërë bashkë në mënyrë të pandashme anëtarësinë e saj me liderin e saj Sali Berisha. Të mirat dhe të këqijat e këtij rrugëtimi janë përjetuar së bashku. Ndaj edhe sot, është e natyrshme që këtë situatë ku PD-ja dhe drejtuesi i saj nuk zgjojnë asnjë shpresë, anëtarësia e PD-së ta përjetojë në mënyrën më të keqe të mundshme këtë situatë, sigurisht me liderin historik të saj, Sali Berisha. Ky përjetim ka një të veçantë këtë herë, sepse të dy palët i bashkon nevoja për ringritjen e PD-së dhe për aq sa Lulzim Basha shihet si e keqja më e madhe, Sali Berisha shihet si e kundërta e tij. Për këtë arsye edhe anëtarësia e saj që përbën bazën e PD-së, mbush sallat e takimeve të tij.

Zhgënjimi ndaj Lulzim Bashës duket se është shumë i madh, për aq sa numri i mbështetësve të Sali Berishës është në rritje dhe shumë i madh.

Bashkë me mbështetësit e lartë politikë dhe ata mediatikë, anëtarësia e PD-së, përbën forcën kryesore të këtij bashkimi, i cili nuk duhet shpërfillur. Jo vetëm kaq, por për aq kohë sa këta “njerëz të mëdhenj..., e të mesëm...” i bashkon në këto momente dëshira për ta parë PD-në në ditët e saj më të mira dhe që për po aq kohë sa përbëjnë shumicë absolute, Lulzim Basha ka detyrimin të di si të përballet me ata, duke pranuar verdiktin e tyre.

Në demokraci fuqinë e bëjnë numrat, sigurisht të konfirmuara nga gara e ballafaqime, të ndershme. Në rast se Sali Berisha dhe mbështetësit e tij po kërkojnë midis të tjerave edhe rikthimin e institucionit të garës dhe ballafaqimit brenda PD-së, Lulzim Basha me emërimet dhe vendimmarrjet e tij personale “ia ka zënë frymën” mundësisë së garimit dhe ballafaqimit brenda forumeve drejtuese. Në këto kushte në pjesën dërrmuese, mbështetësit e vetëm të tij mbeten “emërtesat e tij”, të cilët nuk e kapërcejnë kufirin e kryesisë, apo të grupit parlamentar. Këta mbështetës, të katapultuar në kryesinë apo grupin parlamentar, të vetmet vlera kanë ndonjë histori të mundshme rozë, diku-diku midis tyre, apo diku-diku tjetër, ndonjë histori për përfshirje në afera të dyshimta kriminale e korruptive. Për aq kohë sa kjo pakicë, ka edhe një pakicë vitesh rrugëtimi me PD-në, janë të papërfillshëm dhe të pamjaftueshëm për të ndaluar fatin e “foltoreve” të Sali Berishës dhe “për të mbajtur ende në këmbë”, të padobishmin Lulzim Basha.

Këtë fat nuk mund ta ndryshojnë as mbështetësit e tij mediatikë, të cilët për ironi të fatit, janë ata që e kanë ironizuar më shumë Lulzim Bashën për gjumin e gjatë letargjik, apo edhe për njohuritë e shtrembëruara të tabelës së shumëzimit . Ndaj edhe në kushtet, së pari të mungesës së një dëshire reale dhe të vërtetë “për ta parë mirë” Lulzim Bashën, dhe së dyti në kushtet kur për ata emri Sali Berishës ka qenë “kryefjala” e tyre më se 30-vjeçare, për aq kohë sa ende “vazhdojnë të ushqehen” duke ricikluar të njëjtat thënie e stërthënie ndaj tij, në këtë pikë mbështetësit e tij nuk mund ta ndihmojnë Lulzim Bashën as aq sa ta zgjojnë nga gjumi, apo as aq sa ai të mësojë tabelën e shumëzimit. E megjithatë ata vazhdojnë me këmbëngulje në përpjekjet e tyre se duke përbaltur Sali Berishën, ndihmojnë Lulzim Bashën.

Në këtë përpjekje këmbëngulëse atyre u duhet njohur një meritë “pro” Lulzim Bashës... Kanë arritur të zbulojnë se nga 4200 formularë anti-Lulzim Basha, janë zhdukur formularët e Bujarit dhe Freskidës..., dhe e zhurmojnë këtë “fakt” si “argumentin” e vetëm pse Lulzim Basha duhet të vazhdojë të rri në krye të PD-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco