FOTO/ Presidenti Meta vlerëson si ‘Nderi i Kombit’ atletin e mirënjohur Gjergj Ruli

FOTO/ Presidenti Meta vlerëson si ‘Nderi i Kombit’ atletin e mirënjohur Gjergj Ruli

17:01, 25/09/2021
A+ Aa A-

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ atletin e mirënjohur kampion dhe rekordmen, si dhe drejtuesin e Federatës së Atletikës Shqiptare, zotin Gjergj Ruli, me motivacionin:

‘Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera sportive të shënuara si kampion dhe rekordmen atletike ndër vite.Për arritjet e spikatura, talentin e veçantë dhe personalitetin e tij dinjitoz në paraqitjen e vlerave kombëtare në këtë sport, duke dëshmuar profesionalizëm, jo vetëm si sportist, trajner dhe studiues, por dhe si drejtues i Federatës Shqiptare të Atletikës, me rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.’

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni, Kreu i Shtetit u shpreh:

‘Jam shumë i lumtur, që ndodhem së bashku me gjithë këto personalitete të sportit vendase e ndërkombëtare, dhe veçanërisht në Durrës, në vendlindjen e legjendës së atletikës sonë Gjergj Ruli, për të nderuar këtë ikonë të sportit shqiptar.

Është momenti që, të kthejmë më shumë vëmendjen drejt atletikës, ‘Mbretëreshës së të gjitha sporteve’, që meriton një mbështetje më të madhe, pasi edhe sukseset mund të jenë më të mëdha, jo vetëm në disiplinat e saj, por në të gjitha sportet e tjera në vendin tonë.

Ekonsideroj një privilegj që në praninë tuaj, t’i akordoj sot, Dekoratën e lartë‘Nderi i Kombit’ zotit Gjergj Ruli, njërit prej legjendave të atletikës shqiptare.

Gjergj Ruli ka qenë sportist model, Kampion dhe rekordmen i panumërt i Shqipërisë në Atletikë. Atlet jo vetëm i  Klubit‘Dinamo’, por edhe i Ekipit Kombëtar, në disiplinat, kërcim së gjati, 100m, 10 garësh dhe stafetë 4 x 100m, duke fituar gati 250tituj dhe trofe brenda dhe jashtë vendit.

Ai është fitues i medaljeve të arit dhe bronzit në aktivitete mjaft  të rëndësishme ndërkombëtare të atletikës, si dhe në kampionate ballkanike.

Edhe sot Gjergj Ruli vazhdon të fitojë tituj kampionë  edhe në nivele europiane, sikurse është rasti si trajneri i një kampioni tjetër të madh, që kemi sot këtu,  atletin tonë elitar, Izmir Smajlaj në garën e kërcimit së gjati.

Zoti Ruli me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në krye të Federatës Shqiptare të Atletikës, ka realizuar sfida nga më të vështirat me atletët tanë në kompeticionet e rëndësishme ndërkombëtare, duke mbajtur të gjalla emocionet, që sjellin kampionët.

Ai është kujdesur, jo vetëm si trajner dhe studiues i atletikës, por dhe si një prind i vërtetë, në përgatitjen dhe kujdesin ndaj atletëve  më cilësorë, duke kultivuar tek ata pasionin dhe dashurinë për atletikën.

Zoti Ruli, për kontributin e tij në sportin e atletikës është nderuar me medalje nga Federata Ndërkombëtare, për organizimin e shkëlqyer të Kampionatit Botëror të vrapimit në mal, qëu zhvillua në Tiranë, më tetor 2011, duke dhënë edhe shembullin, që përmes sportit promovohet edhe vendi ynë.

Përveç angazhimit të tij profesional në fushën e sportit, Gjergji  është dhe një artist i pasionuar në  gjininë e pikturës, me shije dhe stil krejtësisht të veçantë.

Përfitoj nga rasti, për të përshëndetur edhe familjen e zotit Ruli, të cilët duhet të jenë krenare, për gjithçka që Gjergji ka bërë për sportin e bukur të atletikës dhe për sukseset e tij të shkëlqyera, sepse edhe ata kanë pjesën e tyre gjithmonë atje.

Kontributi i Gjergj Rulit në sportin e atletikës është një shembull frymëzimi edhe sot e kësaj dite, për të gjithë njerëzit e sportit në vendin tonë dhe ne, jemi shumë mirënjohës, sepse e dimë se në çfarë kushtesh të vështira ata punojnë.

Kjo na detyron të gjithëve ne, që të përpiqemi më shumë për të përmirësuar këto kushte, në mënyrë që të kemi më shumë kampionë si Izmir Smajlaj  dhe si shumë të tjerë të rinj në vendin tonë.’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Skendua25/09/2021 19:10

Mbasi ubon te gjithe profesore e doktore, iliri po i ben te gjithe miq duke i ndare tituj don kishoteske, .......primitivitet gjenetik

Shto koment

Denonco