VIDEO/ Rama paralajmëron ministrat: Kush shkel ligjin - jashtë qeverisë, kujdes me Kodin e Etikës

VIDEO/ Rama paralajmëron ministrat: Kush shkel ligjin - jashtë qeverisë, kujdes me Kodin e Etikës

13:45, 18/09/2021
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e  parë të  kabinetit  të tretë,  paralajmëroi  ministrat e tij, për pasojat në rast të shkeljes së etikës dhe ligjit. Rama deklaroi se akuzave të  opozitës, qeveria do t’u përgjigjet përmes një  portali, ndërkohe që miratoi edhe një sërë vendimesh të  tjera.

Nga SYRI.

Kabineti Rama tre, u ul në tryezën më të lakmuar në Shqipëri, nga ku do qeverisë vendin për 4  vitet e ardhshme. Por  mbledhja e parë e  qeverisë i ngjasoi  më shumë orës së edukatës morale e politike. Edi Rama nuk kishte  servirur për ta, lajme të  ëmbla,  por  u listoi  të gjitha gjërat, nga të cilat do duhet të heqin dorë, për të mbajtur karrigen e ministrit. Për katër vitet e ardhshme,  ministrat do t’i kenë të ndaluara pushimet jashtë shtetit, udhëtimet në biznes klas, restorantet e kafenetë,  sipas Kodit Etik  të përcaktuar nga kryeministri. 

Mungesat e ministrave në seancën plenare e komisione, nuk do tolerohet. Kryeministri  u ndaloi  gjithashtu të kritikojnë projektligjet e  qeverisë, duke bërë të  qartë,  që nuk do të kenë mendim personal, nga momenti që hynë në qeverinë e  tij. 

Në mandatin e tretë,  Edi Rama, do  të ndryshojë edhe komunikimin e  qeverisë me mediat, duke iu përgjigjur akuzave dhe  kritikave, përmes një portali  të posaçëm. 

Kryeministri paralajmëroi se bashkëqeverisja me qytetarët  do të kalojë në një stad tjetër, duke u kthyer në një ligj,  nga ku disa vendime do të merren me konsultim publik.

Në  mbyllje të fjalës së tij,  Edi Rama,  dha paralajmërimin e pandryshueshëm, për ministrat e tij.

Në mbledhjen e parë të qeverisë Rama 3 u miratua krijimi i Agjencisë për Mediat e Informim, ndryshime ne statusin për fëmijët nën përkujdesjen e Republikës, të cilët do të marrin rrogën e plotë të prindit deri në moshën 18 vjeç  dhe përfshirjen në Forcat e Armatosura të fitueseve nga Kosova në Lojërat Olimpike. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco