Modeli i 2017-ës/ 'Tërmeti' i djemve problematikë po kthehet në ligj

Modeli i 2017-ës/ 'Tërmeti' i djemve problematikë po kthehet në ligj

08:58, 26/09/2020
A+ Aa A-

Çfarë ndodhi në vitin 2017 me votat e djathta, dhe përse erdhi ajo ngritje e pashpjegueshme e PS-së pas një katërvjeçari të dështuar në qeverisje. Si arriti Rama pa asnjë premtim, të merrte 9 mandate më shumë se në vitin 2013 kur ishte viti i tij më i mirë zgjedhor, dhe përse gërryerja e votave ndodhi vetëm nga opozita. Gazeta MAPO bën analizën e votave në çdo qark, dhe rezulton se vetëm PD pa aleatët ka humbur 118 mijë vota ndërsa PS u rrit me 51 mijë vota, që në total përkthehen në rreth 15 mandate. A ishte real rezultati i Rilindjes në atë vit, modeli i të cilit po tenton të imponohet në ligj nga e majta? A ishte vërtet strategjia e gabuar e opozitës në zgjedhje që çoi në këtë rezultat, apo manipulimi zgjedhor siç del në përgjimet e dosjeve 184 dhe 339 në Dibër e Shijak?

Për zgjedhjet e vitit 2017, shigjetat e sulmeve do drejtoheshin mbi Lulzim Bashën. Askush nuk u mor me çka kish ndodhur në të vërtetë, por të gjithë merreshin me të vjedhurin, duke justifikuar një fitore të pamerituar të kundërshtarit. Një kryqëzatë që nisi nga ata që e kishin ndarë PD me bajraqe (vazhdojnë dhe sot e tërë ditën), por që u mbështet fort nga propaganda e kundërshtarit.

Shqipëria ishte veshur në ngjyrë mavi megjithëse Rama vinte nga një katërvjeçar i dështuar në krye të qeverisjes i mbartur me mëkate e zullume, por i mbushur me propagandë për “shtetbërjen”. Me gardërobën e tij të larmishme që shfaqej nëpër fushata, por pa përmbushur asnjë premtim. Me një Shqipëri të kanabizuar deri në qelizë, me skemën e PPP që kishte thithur fondet e pensioneve dhe pagave, me investime të parealizuara apo me investitorë që rriheshin nga bandat, me çmime e taksa që vetëm rriteshin.

Me emra të përfolur për korrupsion e krime nga më të ndryshmet. Shkurt, shqiptarët e shihnin që jo vetëm shtet s’po bëhej siç proklamonte në çdo takim Kryeministri, por kishte filluar hapja e një humnere të cilën ai s’dinte si ta justifikonte tjetër vetëm duke shigjetuar tashmë aleatin e tij në qeverisje, LSI, dhe duke kërkuar që tepsinë e pushtetit ta kishte i vetëm.

****
Por çuditërisht, në zgjedhjet e 26 qershorit forca e tij politike shënoi rritje. Askush nuk u mor me këtë çoroditje elektorale, e cila u kamuflua nga sulmet që i drejtoheshin kreut të opozitës. Por çfarë kishte ndodhur që koalicioni opozitar të bojkotohej nga rreth 200 mijë votues, në krahasim me katër vjet më parë (pa llogaritur votat e PDIU asokohe në koalicion me PD). Pse u zhgënjyen vetëm votuesit e djathtë në atë masë që t’ia dërgonin votat Rilindjes. Pse nuk u zhgënjyen të majtët nga figurat e konsumuara që në katër vjet s’kishin bërë gjë tjetër vetëm se kishin abuzuar me taksat dhe i kishin shkuar pas “berihajit” kryetarit?. Përse e gjithë kjo rritje e paarsyetuar e PS-së, e cila nga 65 deputetë që mori në 2013-ën të merrte 74 pas katër vitesh konsum politik. Dosja 339 e Shijakut dhe 184 e zgjedhjeve të pjesshme të Dibrës japin një ide se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2017, por jo të gjitha përgjigjet.

***
Edi Rama sot e sheh se nuk ka zgjidhje tjetër vetëm se të përsërisë dhe një herë batërdinë e vitit 2017. Përballë një koalicioni atij vetëm do i shtoheshin andrallat, dhe shanset për një mandat të tretë do shkonin poshtë zeros. Në ekipin e tij të 2017, nuk ka ndryshuar asgjë, dhe kjo u pa dhe nga emërimi i të deleguarve politik në qarqe, ndërsa krahu tjetër po kryen një proces të përzgjedhjes direkt nga baza. Ai shpreson tek elektorati i rreshtit por edhe tek intimidimi i votuesit kundërshtar.

Prandaj sot i duhet modeli i vitit 2017, të cilin preferojnë ta quajnë modeli austriak, por enkas harrojnë se vetë Austria është shtet gjysmë presidencial, ku vetë presidenti zgjidhet nga populli, si garant se një shumicë nuk do abuzojë me pushtetin, dhe nuk do dekretojë një pushtet të vjedhur. Nuk është as model gjerman që ndalon koalicionet, pasi atje votuesi ka të drejtën e dy votave, një të drejtpërdrejtë për kandidatin dhe tjetrën për proporcionalin, që s’ka si synim të fusë në Bundestag të përulurit e kryetarit, por zonat e papërfaqësuara. Modeli i mbylljes së listave, dhe ndalimit të koalicioneve është thjesht model i Ramës për të përsëritur batërdinë e 2017-ës.

Ngritja e pashpjegueshme e PS-së dhe humnera e votave të djathta
Ulja e pazakontë e votave për të djathtën ka ndodhur në të gjithë vendin. Por le të analizojmë më së pari dy qarqe, për të cilat dolën dhe përgjimet e revistës Bild. Durrësi, është një nga qarqet më të prekura. Mos harrojmë se ky është qarku që në vitin 2005 e majta nuk mori asnjë mandat, përsëriti rezultat pozitiv dhe në vitin 2009 në shtatë me pesë sërish për të djathtën, ndërkohë si koalicion opozita në vitin 2013 mori 69 mijë vota apo dhjetë mijë më pak se e majta që kishte revanshin.

PD së bashku me PR aleaten e saj tradicionale, në këtë qark rezultonte me të paktën 2 mijë vota më shumë se e majta. E thënë me qartë ose 63 222 vota miri PD+PR dhe 60 888 vota PS, çka tregon se dhe në momentin më të keq e djathta ka qenë përpara të majtës me vota. Por rezultati do ndryshojë me shifra të frikshme katër vjet më vonë. Në zgjedhjet e vitit 2017, PS e vetme rezultoi me 73 066 vota ndërsa PD e cila kishte dhe PR në listat e saj u rrudh në 43163 vota pra më pak se 20 mijë vota. Çfarë kish ndodhur? Në dosjen 184 dhe përgjimet e BILD shfaqeshin bandat e narkotrafikut në zonën e Shijakut, teksa koordinonin punën me kreun e Bashkisë Durrës Vangjush Dako.

Duke përfituar nga sistemi, PS mori e vetme në këtë qark 8 mandate kundrejt katër mandateve të opozitës, që kish futur në listat e saj PR dhe PAA. Sipas herësit, me anë të kësaj skeme PS ka përfituar të paktën 3 mandate. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në Dibër. Votat e koalicionit të djathtë u reduktuan deri në gati 13 mijë, pasi në zgjedhjet e 2013 koalicioni i djathtë atje mori 34 mijë vota. Në tabelën përmbledhëse, ne kemi vendosur vetëm votat që ka marrë PD e vetme që janë 30137 vota. Pra vetëm PD si forcë politike, ka humbur në këtë qark rreth 8802 vota. Në përgjimet e Bild në këtë qark, shfaqej e gjithë kupola socialiste e angazhuar për të fituar zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016. Në përgjime dilte dhe vetë kryeministri Rama. Këto janë dy qarqe për të cilat deri më tani ka indicie për manipulime votash, por fenomeni me sa duket është shtrirë në tërë vendin.

Image

Pjesëmarrja

Paradoksi qëndron dhe te numri i pjesëmarrësve. Në zgjedhjet e atij viti morën pjesë rreth 110 mijë votues më pak se në vitin 2013, pa llogaritur dhe shtesën prej 180 mijë votuesish që mbushin moshën për të votuar. E megjithatë PS ka një rritje me 51 mijë votash, ndërsa në total PD-së si forcë politike i mungojnë 110 mijë vota, ndërsa si koalicion rreth 200 mijë vota. Në vitin 2013 koalicioni opozitar pa votat e PDIU kish marrë diku te 240 mijë vota. Por në vitin 2017 kjo shifër u reduktua në 456481, ose me gati 190 mijë vota pak.

Në bazë të mesatares kombëtare kjo korrespondon diku me 16 mandate më pak, por për shkak të sistemit dhe formulës u reduktua në 14 mandate më pas se në vitin 2013. Në të kundërt, kampi kundërshtar u rrit me 9 mandate, në një treg votash që duhej të ishte i barabartë për të dyja forcat politike. Ndoshta PS për shkak të elektoratit të saj besnik, nuk do kishte gërryerje votash, por s’kishte pse të kishte as një rritje të tillë, e cila ishte jashtë çdo parashikimi.

Në gjithë vendin

Ajo që ka ndodhur me Shijakun dhe Dibrën siç thamë më lart, ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Rritje çuditërisht PD në krahasim me 2013 ka pasur vetëm në Vlorë me një shumë të papërfillshme prej 745 votash, në krahasim me 9 mijë votat e PS-së. Një rritje jo të pakët PS njohu dhe në zonat ku jo vetëm njihen si bastione të djathta, por dhe e kanë shfaqur hapur pakënaqësinë me qeverisjen e Ramës. Fjala vjen në Kukës, është një rritje e pakuptimtë me 7000 vota ndërsa PD që historikisht ka fituar thellë humbi rreth 5 mijë vota. Gjithsesi as kjo, nuk e ndryshoi rezultatin që sërish doli në favor të opozitës për shkak të diferencës së madhe atje.

Në Tiranë, PS rezulton në rritje me 14 mijë vota dhe PD një tkurrje prej 33 mijë votash, në Fier gjithashtu regjistrohet rritje me 14 mijë vota për të majtën, duke nxjerrë një rezultat prej 18 deputetësh, kundrejt 11 të opozitës e kështu me radhë, në Gjirokastër, Berat, Lezhë dhe Elbasan. Në asnjë qark partia që kishte pushtetin prej katër vjetësh nuk kishte gërryerje por vetëm rritje që nuk i kish pasur që nga rrëzimi i diktaturës! A thua vërtet shqiptarët jetojnë me realitetin që propagandohet në Facebook-un e kryeministrit?

Faji që mbeti pa fajtor

Përgjigjja e vërtetë, do gjendej në materialet zgjedhore, por ato janë varrosur me kohë. Në ato pak që dolën nga dosja 339 u pa dhe e vërteta për atë që kish ndodhur në zonën e Shijakut. Firma nga e njëjta dorë, komisionerë të manipuluar dhe nga opozita. Njerëz që nuk jetonin në Shqipëri, por që votonin për të majtën e kështu me radhë. Kjo ishte vetëm për një pjesë të vogël të Durrësit, rrethinat e Manzës, dhe Rubjekës. Edi Ramës i duhej një fitore historike në këtë qark, ku kryebashkiaku i tij kishte varrosur historinë.

Përpara ligjit shkuan disa fukarenj që ishin shitur për pak gjë, ose dhe që kishin vdekur, por nuk shkoi as kryebashkiaku i Durrësit, dhe as ai i Shijakut që bënin sekserin mes qeverisë dhe bandave. Dosja 184 e Dibrës nuk u hap fare. Ajo është nga skandalet më të mëdha zgjedhore në vend, ku kryeministri dëgjohet duke folur me sekserë votash, ku kërcënohen mësuesit nga deputetët, ku djemtë problematikë ishin nën urdhrat e atij që sot po ndryshon sistemin zgjedhor.

Kryeministri e di fare mirë, se modeli i 2017-ës, ku ideatorë janë pikërisht ata të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër, është e vetmja shpresë për mbijetesë politike. Prandaj po bën hileqarin duke ndryshuar rregullat në mes të lojës, ndryshime të cilat po i kushtojnë shumë vendit. E gjithsesi çfarëdo që të bëjë shifrat janë kokëforta. Ndoshta në këtë rast shprehja e Dashamir Shehit, politikanit babaxhan që prej ‘90-ës merr më shumë kuptim se kurdoherë.

Në një intervistë të para dy ditëve ai do shprehej “Le të bëjë ç’të dojë, ta bëjë ligjin si të dojë, me lista të hapura apo me lista të mbyllura. Ne do futemi në zgjedhje ashtu siç do ai (Rama), sepse në këtë gjendje që është katandisur nuk ka “dreq” që e shpëton nga humbja”./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco