Lajmi i fundit

Hamasi pranon marrëveshjen për armëpushim me Izraelin/ Ja kushtet e negociuara

Meta solidarizohet me mediat, thirrje Qeverisë: Tërhiqu nga Paketa Antishpifje, mos e përkeqëso situatën

Meta solidarizohet me mediat, thirrje Qeverisë: Tërhiqu nga Paketa Antishpifje, mos e përkeqëso situatën

12:47, 21/04/2020
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë Rama sot të tërhiqet nga e ashtuquajtura Paketë Antishpifje dhe ta rishikojë këtë paketë ligjesh pasi ai e mbështet plotësisht shqetësimin e gazetarëve dhe në veçanti të “Reporterëve pa Kufij”.

Meta ka vlerësuar se Shqipëria ka bërë regres nga viti në vit lidhur me lirinë dhe pavërësinë e medias dhe këtë së fundmi e ka vënë në dukje Indeksi Botëror i Lirisë së Medias.

Në shënimin e tij në Fb, Presidenti Meta shprehet:

"Thellësisht i shqetësuar nga regresi i Shqipërisë vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias. Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë.

Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.

I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar:

- Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;

- Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;

- Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

- Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Shqetësimi i “Reporterëve pa kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm.

Me ketë rast, shpreh mirënjohjen e thellë dhe solidaritetin e plotë për punën e shkëlqyer heroike të mediave, gazetarëve dhe stafeve të tyre mbështetëse nga vija e parë e raportimit, në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, si dhe përsëris thirrjen për të mos i braktisur në këto momente tepër të vështira!

Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët, veçanërisht ata të cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik, theksoj se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm për vendin tonë, aspirant për anëtar të Bashkimit Europian."

Në përfundim, Presidenti ka publikuar Raportin e Reporterëve pa Kufij: https://rsf.org/en/albania

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Noni21/04/2020 17:04

    Z.Meta, mendoj se per ju , ne ditet e sotme te gjendjes se jashtezakoneshme qe kalon vendi, nuk duhet te mjaftoheni vetem me solidarizime, por te merrni ne dore fatet e vendit dhe popullit mjeran, te cilat ndodhen ne buze te gremines.

    Shto koment

    Denonco