Vendimi, Basha: Do të udhëheqim protestat popullore për rrëzimin e Edi Ramës

Vendimi, Basha: Do të udhëheqim protestat popullore për rrëzimin e Edi Ramës

11:54, 19/01/2019
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri të ditur sot se Partia demokratike do të udhëheqë protesta popullore për rrëzimin e Edi Ramës. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Basha deklaroi se  “do të udhëheqim protestat për largimin e së keqes.

Kemi një rrugë për t’u përballur me këtë, është rruga e angazhimit të të gjithë qytetarëve, e bashkimit të të gjithë qytetarëve, për t’i dhënë fund kësaj fasade.

Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë tani një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar.

Një gjë është e sigurtë: kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, ka rënë para syve të Europës dhe të gjithë botës. Ka rënë edhe para syve të socialistëve të ndershëm, nuk përfaqëson asgjë më, përfaqëson vetëm një interes privat të Edi Ramës, në funksion të grabitjes vjedhjes dhe sundimit të vendit për interesa personale.

Unë jam i ndërgjegjshëm se shqiptarët nuk kërkojnë thjesht dhe vetëm largimin e një njeriu, por largimin e këtij modeli dhe zëvendësimin e tij me një model që të punojë për ta.

Nuk mund të shpikim modele, i vetmi model që mund të funksionojë është modeli europian. Ndaj ne sot do të vendosim për aksionin politik dhe përballjen e madhe që do të nisim bashkë.

• Për ndarjen e politikës nga krimi përmes vettingut të politikanëve.

• Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve.

• Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare.

• Integrimin e shqiperisë në BE.

Por së pari vjen beteja dhe përballja e madhe për demokracinë dhe shtetin ligjor duke udhëhequr protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe për ta shporrur këtë model njëherë e mirë institucionet, nga politika, nga Shqipëria. PD do ta udhëheqë këtë beteje jetike për Shqipërinë bashkë me shqiptarët dhe do ta fitojmë këtë betejë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco