VIDEO/ Basha pret Veselin: Jo ndryshimit të kufijve, faktori politik në Kosovë të jetë i bashkuar

VIDEO/ Basha pret Veselin: Jo ndryshimit të kufijve, faktori politik në Kosovë të jetë i bashkuar

15:06, 12/09/2018
A+ Aa A-

Kryetari Demokrat Lulzim Basha ka pritur sot Kreun e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Basha tha pas takimit që uniteti është shumë I rëndësishëm për ti shërbyer interesit kombëtar.

Parimi I pandryshueshmërisë së kufinjve dhe integritetit territorial të Kosovës është shumë I rëndësishëm.

PD mbështet fuqimisht dialogun me Serbinë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjes reciproke si themelore për anëtarësimin në BE.

Ky dialog mund të bazohet vetëm mbi realitetin dhe jo mbi të shkuarën.

Është e rrezikshme që të rihapen këto kapituj të mbyllur.

Forcat politike në Kosovë duhet të jenë bashkë për të zmbrapsur cdo tentativë kundër atyre që janë arritur deri tani.

PD mbështet të gjithë faktorët politikë në Kosovë që të jenë të bashkuar për tu shërbyer këtyre objektivave.

Veseli tha se ajo cfarë i duhet Kosovës sot është konsensusi kombëtar.

Ne shkojmë në dialog me Serbinë me një synim të qartë nacional që është pranimi I Kosovës në OKB dhe integrimi I saj në BE dhe NATO.

Kosova është vend Sovran me territorin e vet.

Ne kërkojmë që edhe për vëllezërit tanë në Luginën e Preshevës të përdoren standartet që Kosova ka për minoritetin serb në Kosovë. 

Ja deklarimet e plota të Lulzim Bashës dhe Kadri Veselit

Basha: Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve

Basha: Ne besojmë fuqishëm se dialogu midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës mund të bazohet vetëm mbi realitetin e njohur dhe të gjithë pranuar botërisht dhe jo të rikthejë çështje që janë mbyllur pas një investimi prej dekadash

Prononcimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit në seli me kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i PDK-së, Kadri Vesili i cili shoqërohej nga kreu i grupit negociator për bisedimet Kosovë-Serbi, Fatmir Limaj.  

Kam kënaqësinë të mirëpres sot në selinë e Partisë Demokratike, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli i shoqëruar nga zv/kryeministri Limaj dhe zv/kryeministri Gashi. 

Kemi patur një bisedë jashtëzakonisht të frytshme, të hapur, të drejtpërdrejtë, produktive dhe një frymë vëllazërore të bashkëpunimit që karakterizon marrëdhëniet mes PD, institucionet e Kosovës dhe faktorin politik, gjithë partitë politike të Kosovës. 

Theksi në këtë kohë sfidash për Kosovën dhe rajonin është tek uniteti, tek bashkimi i faktorit politik shqiptar anembanë Ballkanit. Dhe qëndrimi i përbashkët i të gjithë forcave politike në Kosovë dhe në Tiranë për të shërbyer interesin kombëtar dhe interesin e popullit të Kosovës, që është pronari i vetëm dhe i patjetërsueshëm i sovranitetit të Kosovës. Duke qëndruar fuqishëm për parimet mbi të cilat u ngrit pavarësia e Kosovës, parimin e integritetit territorial, pacënueshmërisë së kufijve, parimin e formës unitare të qeverisjes dhe natyrisht përcaktimin e qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior të NATO-s, si anëtare e Bashkimit Europian. Rrugë e cila sikundër për vendet e tjera të rajonit kalon përmes reformave, fuqizimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së lirë të tregut. 

Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve dhe në funksion të njohjes reciproke, si gur themeli për rrugëtimin europian të dy vendeve dhe natyrisht si lehtësues për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. 

Ne besojmë fuqishëm se dialogu midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës mund të bazohet vetëm mbi realitetin e njohur dhe të gjithë pranuar botërisht dhe jo të rikthejë çështje që janë mbyllur pas një investimi prej dekadash, sakrifice të jashtëzakonshme njerëzore, humbje jetësh dhe një investimi miliarda dollarë, euro dhe marka të qindra mijëra bijve të perëndimit që kanë shërbyer me apo pa uniformë, për të siguruar dhe stabilitetin që u çimentua me Pavarësinë e Kosovës.

Është në vetvete e rrezikshme për stabilitetin e rajonit të rihapen këto kapituj të mbyllur me sukses përmes një investimi të përbashkët, të qytetarëve të Kosovës, të klasës politike të Kosovës, të aleatëve tanë strategjik SHBA-ve dhe BE-së. Sikundër është një rëndësie themelore që forcat politike në Kosovë të bashkëpunojnë ngushtësisht për të zmbrapsur çdolloj ofensive ndaj kësaj arritje të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë, që të Pavarësia e Kosovës sipas paketës “Atihsari”, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës. 

Opozita dhe PD do të mbështesin fuqimisht çdo përpjekje të çdo faktori politik në Kosovë, të gjithë partive politike të Kosovës që të jenë sa më bashkuar për t’i shërbyer këtyre objektivave dhe përcaktimeve të qarta, pa keqkuptime, pa ekuivokë të cilat pata kënaqësinë t’i dëgjoj, të cilat i bashkë ndava me kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe delegacionit të tij, integritetin e territorit, pa cënueshmërinë e integritetit territorial, formën unitare të qeverisjes dhe orientimin europiano-atlantike të Republikës së Kosovës.

Edhe një herë faleminderit! 

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK 

Faleminderit shumë zoti Kryetar. 

Sot patëm takime me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, si nga pozita, edhe nga opozita. Ajo çfarë i duhet Kosovës sot më së shumti është konsensusi nacional. Ky është mesazhi i përbashkët, të cilin e kemi biseduar në të gjitha takimet që patëm sot, edhe në takimin që sapo përfunduam me kryetarin e Partisë Demokratike. Kosovës i duhet platforma nacionale sa më shpejt për ballafaqimin final me shtetin serb, i cili ka vetëm një rezultat, Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ne shkojmë në dialogun me Serbinë me një qendrim shumë të qartë nacional, i cili është vullneti nacional i qytetarëve tanë, kurorëzimi i sakrificave të tyre, vullneti që Kosova të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe që Kosova të ecë në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në të njëjtën kohë, Kosova faktor paqeje, stabiliteti, e në fqinjësi të mirë me raporte të mira me të gjithë, përfshirë edhe Republikën e Serbisë. 

Qendrimet janë shumë të qarta, ne duhet të punojmë bashkarisht. Kemi përkrahje nga të gjithë miqtë tanë, partnerët tanë në Republikën e Shqipërisë. Partia Demokratike është investuese në lirinë e Kosovës, ashtu siç janë edhe partitë e tjera, Partia Socialiste dhe të gjitha partitë në Shqipëri, përkrahës të mëdhenj të pavarësisë së shtetit tonë. Ne do t’i vazhdojmë këto raporte, të cilat i kemi të shkëlqyeshme, në mënyrë që t’ia lehtësojmë njëra-tjetrës proceset integruese. Kjo është edhe e ardhmja jonë, një Ballkan stabil, një Ballkan i integruar, ku Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia jetojmë në fqinjësi të mirë, por pa e cënuar njëra-tjetrën, pa u involvuar në punët e njëra-tjetrës, për arsye se jemi shtete të pavarura e sovrane. Kosova nuk ka çfarë të japë, Kosova nuk dëshiron as të marrë diçka nga të tjerët. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Kosova e ka territorin e vet, Kosova do të angazhohet fuqishëm si shtet i pavarur dhe sovran për të drejtat e shqiptarëve, kudo që janë në botë, përfshirë Luginën e Preshevës; Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, standarde të cilat ne i kemi ndërtuar për qytetarët tanë serbë në Kosovë. Njësoj sit ë drejtat e serbëve në Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur dhe sovran, njëtrajtshëm duhet të respektohen edhe vëllezërit tanë në Luginën e Preshevës. Ne punojmë për stabilitetin dhe sovranitetin regjional të Ballkanit. Nuk kemi pretendime ndaj asnjë shteti, por do të kemi përkujdesje për bashkëqytetarët tanë. Edhe abetaret nuk lejohet që të futen në shtetin serb, për qytetarët shqiptarë të cilët duhet të trajtohen më denjësisht në atë vend. 

Edhe njëherë, nuk kemi ndasi mes vedi dhe nuk duhet të bartim probleme të cilat mund të jenë të egos për pushtet, aktualisht në situatën të cilën e kemi në ballafaqimin me Serbinë. Duhet të jemi bashkë, siç kemi qenë bashkë në momentet më të rënda, në vitet ’90, 98-99, në 2008, po ashtu duhet të jemi së bashku tash e çdo herë, për shtetin tonë të pavarur e sovran. 

Faleminderit shumë zoti Kryetar për përkrahjen e përkujdesin për bashkëpunimin të cilin e kemi dhe do ta vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Kini parasysh, kryetari i Partisë Demokratike në Republikën e Shqipërisë është në pozita opozitare, por në çështjen e Kosovës është shumë qartësisht një nga kontribuesit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për çka i jemi shumë falenderues. Faleminderit shumë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Edlir Rameta 12/09/2018 16:02

Para nja dy vitesh kam qendruar ne qytetin e bukur te martirizuar te mitrovices se Isa Boletinit,ka qene muaji i ramazanit dhe per cdo mbasdite shkoja ne xhamine te tregu ne qender te mitrovices per iftar me nja dy miqte e mi prej mitrovice dhe nja dy mysafirve nga turqia.Nje mbremje rastesisht kam takuar Kadri Veselin ,e kam pase njohur dhe gjate kohes se luftes se kosoves,miqte e mi nga mitrovica i habiten pak nga afrimiteti shoqeria ime me Veselin por me pas Kadriu ja shpjegoji per miqesine tone,(une para nja nje muaji kam shkruajtur pak rende per Kadri Veselin jo vetem tek syri por dhe ne nje gazete kosovare,debati u krijua nga deklarata e Kadriut per heshtrat e Hasan Prishtines por nja dy dite me pase kam pasur nje tel nga Veseli ku jemi takuar dhe ai ma shpjegoi arsyen e deklarates se tije dhe me pas u pajtuam per mosmarveshjen.)sic po shpjegoja miqte e mi ngelen te habitur per miqesine time me Veselin,pasi qendruam me Veselin te xhamia per iftar ,Kadriu Veseli u largua ku u pershendetem per ipenjimet e tija ne pune.,njeri prej miqeve te mi nga mitrovica pasi e njifte mire Kadriun kishin bere dhe shkollen bashke,me tha Kadriu eshte shume njeri i mire dhe se ben ligjin ne kosove,nuke eshte Hashimi qe ben ligjin por Kadriu ,sepse kadriu ka shume dhe di shume gjera per Hashimin thjeshte e ka ne dore me ka thene.Ne kketo momente Kadriu niku im po e tregon veten qe eshte njeri atdhetar dhe qe kure ska per ta lejuar gjarperin Hashim te coptoje kosoven.Kete jua garantoje.Kadri Veseli ka qene shef i sherbimeve sekrete te kosoves gjate luftes e me mvas dhe ka materiale shume per gjarperin Hashim thjeshte ne shqipe e ka hashimin nen yqem.

Shto koment

Denonco