Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ RAI 3 dhe skandalet e zbuluara të 'Organizatës Rama'

Trajektorja e botës: Një zgjidhje diplomatike apo krizë drejt një konflikti fatal

Trajektorja e botës: Një zgjidhje diplomatike apo krizë drejt një konflikti fatal

Nga Jonida Drogu - 20/09/2017

Kriza aktuale e rindezur si pasojë e testimit nuklear të paralajmëruar të Koresë së Veriut, trondit edhe një herë jo vetëm perëndimin, por, edhe fuqitë e “heshtura” përgjatë diskursit të acaruar mes Koresë Veriore dhe SHBA-ve. Qëndrim disi më i qartë, i prerë dhe mjaft i fortë në mesazhin që përcillte, ishte edhe ai i deklaruar nga presidenti Putin, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, pikërisht për çështjen e Koresë së Veriut, ku, për herë të parë u artikuluan termat “fatal”, “mbarë botërorë” çka tregon edhe për precipitimin e situatës.

Ndërkohë që në Pentagon, bota diplomatike ziente mbi realitetin aspak optimist, folësit e festës masive koreane mbajtur për nder të shkencëtarëve të përfshirë në kryerjen e shpërthimit më të madh bërthamor deri më sot, deklaruan se ushtria e Veriut "do t'i japë fund fatit të imperialistëve gangsterë, siç janë Shtetet e Bashkuara, përmes sulmeve më të pamëshirshme dhe më të forta nëse ata dhe hordhitë e tradhtarëve ndezin luftë", siç edhe u raportua nga KCNA (agjencia shtetërore e lajmeve të KV).

Si rrjedhim, nga ana tjetër SHBA-të, përtej shtrëngimit të dhëmbëve përmes deklaratave të Presidentit Trump, i bëjnë thirrje si Koresë së Jugut, Japonisë e të tjerëve, për sanksione edhe më të forta kundër KV. Madje, superfuqia paralajmëron se mund të rishikojë edhe marrëdhëniet tregtare me ato vende që bojkotojnë embargot që sa vijnë e rriten ndaj Phenianit. Padyshim, që shteti i parë që të vjen në mendje, shënjestruar në mesazhin e SHBA-ve është Kina,e cila përbën rreth 70% të marrëdhënieve tregtare të Koresë së Veriut.

Nga ana tjetër,përdorimi i armëve bërthamore, padyshim do të ishte katastrofik për sa i përket jetëve të humbura dhe cilësisë së jetës për dekada e dekada, por potencialisht– pas herës së parë dhe të vetme, që nga fazat përmbyllëse të Luftës së Dytë Botërore,  mund të krijonte një precedent të tmerrshëm, të ri, në çështjet ndërkombëtare. Edhe pse në vitin 1968 ka pasur njohje ndërkombëtare se përhapja bërthamore bën një botë më pak të sigurte, me pasoja potencialisht shkatërruese, duket se “Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore” në drejtim të “çarmatimit bërthamor", gati 50 vjet më vonë (me rreth 191 nënshkrime të vendeve), është larg qëllimit të tij eksplicit.

Një mundësi për të përshkruar raportet e forcave, në MN do të kategorizoheshin në dy lloje të aftësive ushtarake, ato të ashtuquajturat konvencionale dhe armët e shkatërrimit në masë, ku, përfshihen edhe armët bërthamore, kimike e biologjike. Duke konsideruar se përdorimi praktik i kohëve të fundit ka qene me së shumti i orientuar drejt fuqisë së forcave ushtarake, kërcënimi i nënkuptuar nga Koreja e Veriut pas testimit, me një ekuivalencë magnitude tërmeti prej 6.3 ballë, tregon sesa kritike është situata, sidomos kur testimi nuk kryhet as si një rutinë – siç ka qenë rasti i Francës apo Kinës – por si një shenjë e qartë force dhe mesazhi kërcënues.

Sidoqoftë, udhëheqësit e shteteve që synojnë të përdorin forcën në një konflikt ndërkombëtar shmangin përdorimin e menjëhershëm të gjithë mjeteve të dhunshme, pasi, dhuna në vetvete si mjet ndikimi ka prirje të jetë e kushtueshme jo vetëm për të sulmuarin por edhe për sulmuesin, prandaj, forca ushtarake ka prirje të jetë mjeti i fundit që përdoret.

Mirëpo duke u mbështetur në një tërësi burimesh, me aq sa arrin të depërtojë informacioni në republikën hermetike, rezulton se, Koreja e Veriut i kushton më shumë se 20 për qind të veprimtarisë së saj ekonomike, qëllimeve ushtarake. Në shtator të 2016, Koreja e Veriut kreu testin e pestë bërthamor, më i madhi deri atë kohë, i cili, rrjedhimisht u ndoq me sanksione të shumta. Megjithatë duket se, rendi “test -sanksion” që ka vijuar për dekada si presion nuk ka ngadalësuar aspak përmbushjen e programit bërthamor kombëtarë të vendit aziatik. Madje, ka shumë zëra që vënë në pikëpyetje eficencën e sanksioneve ekonomiko-tregtare, sidomos ndaj vendeve aq të izoluara dhe autokratike ku cilësia e jetës së individit nuk përbën shqetësim për rendin politik. Ky rast përkon edhe me situatën e Koresë së Veriut e cila duket sikur agresohet edhe më tepër ndaj sanksioneve të reja që i vendosen.

Ndërkohë, posedimi i armëve bërthamore dhe mjetet për t'i shpërndarë ato janë thelbësore për ruajtjen e pushtetit, si një 'aftësi ekzistenciale', thekson Samore, “për të mbijetuar kundër presionit të jashtëm". Kujtojmë në këtë rast Iranin që potencialisht ka si presion ndaj perëndimit procesin e pasurimit te uraniumit, çka mund te përkthehej në prodhimin e bombës atomike, apo presionit qe ushtron India dhe Pakistani në arenën ndërkombëtarë si dy zotëruese të mbushjeve atomike.

Nëse, në politikën botërore, Kim Jong-un konsiderohej deri dje një lider jo publik, i një shteti thuajse të falimentuar, në këto momente, duket se ai, ka marrë vëmendjen “e kërkuar” e thuajse gjithë mediave ndërkombëtare. Lideri i ri, Kim Jong-Un,i cili, ka ndjekur regjimin e ashpër autokratik të familjes së tij, edhe pse shkolluar në perëndim, përsëri figura e tij mbetet po aq enigmatike sa e paraardhësve të tij. Por, krahasimisht me ta, ai duket edhe më agresiv në deklarata si dhe, më pak i kujdesshëm për pasojat që mund të sjellin vendimet e tij, që ndikojnë jo vetëm rajonin pranë, por, edhe opinionin publik mbare botëror në tërësi.

Nga ana tjetër për SHBA-të, një arsye e dialogut drejt uljes së tensionit duket të ketë qene edhe deklarata zyrtare e medias shtetërore të Koresë së Veriut' para zgjedhjeve, nga ku D. Trump është konsideruar si një "politikan i mençur", i cili do të ndikojë në një "rrugëdalje për marrëdhëniet Veri-Jug-Koreane".Për të përgatitur terrenin e negociatave, Trump ka vijuar duke komentuar se “nuk do të kishte asnjë problem të flas me Kim Jong Un”. Por edhe pse këto deklarata i përkasin një të shkuare tashmë të largët, është e rëndësishme që të vihet vëmendja tek të gjitha përpjekjet e fuqive të tjera botërore që kërkojnë përvijimin e dialogut dhe largimin nga replikat luftë-nxitëse.

Gjithsesi, të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tani nuk po ndihmojnë në zbutjen e krizës, pasi, si Rusia ashtu edhe Kina nuk kane zbatuar efektin e menjëhershëm të sanksioneve lidhur me ndërprerjen e furnizimeve drejt Koresë së Veriut. Kësaj i shtohet edhe deklarata e fundit e Putin, i cili, konfirmoi sërish se nuk është zgjidhje futja e Kores së Veriut në një “qoshe” por ndalimi i dyanshëm i veprimeve – si testimet balistike nga koreano veriorët ashtu dhe sanksionet e shumta nga ana e SHBA-ve.

Por, çështja që shqetëson kryetarët e shteteve në përdorimin e një mjeti të përmasave të tilla, për të ushtruar ndikim, është nëse ky mjet lidhet me diçka. Pra, në cilën mënyrë përkthehen vendimet e liderëve në angazhimet praktike që mund të krijojnë ndikime të caktuara në planin ndërkombëtar? A është synimi i refrenit atomik së liderit koreano verior përtej ambicies për ribashkim në një çadër të dy Koreve (pa dominimin Kinez)?

Është e vështirë të parashikohet përfundimi i një krize ku të dy liderët në bazë të analizave konsiderohen shpesh si të paparashikueshëm. Më së shumti, lideri i Koresë Veriut duket se ka pak për të humbur nga aksionet ekstreme të forcës, çka përbëjnë të ashtuquajturin ”problemin klasik të së mirës së përbashkët ”.

Si përfundim, teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në këto raste do të ofronin strategji në terma afatgjatë me hapa diplomatik të matur, si mënyrën e vetme për të zbutur tensionin, duke i rezistuar thirrjes për të kërkuar zgjidhje të menjëhershme, qofshin këto edhe nëpërmjet sanksioneve të mëtejshme apo edhe me hapa shkatërrues ushtarak, të cilat do të shkaktonin një dimension të papërshkrueshëm gjeostrategjikjo vetëm për gadishullin aziatik, por edhe në rendin ndërkombëtar.

Duke pasur parasysh rreziqet e rënda dhe përfitimet e kufizuara që lidhen me sanksionet (deri tani jo të suksesshme) ose veprimet ushtarake (si mjet i fundit i forcës),  diplomacia dhe dialogu mbeten mekanizmi më i mirë për të çmontuar krizën aktuale.

*Autorja është pjesë e stafit diplomatik të Shqipërisë në Arabinë Saudite.

Ky shkrim paraqet qasjen personale të autores

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku23/09/2017 13:48

Autorja ka një mbiemër shumë aktual në Shqipëri dhe që është shumë atraktiv për kryemonistin tonë. Artikulli i mbushur me terma "shkencorë" mund të ishte përmbledhur me ndonjë batutë "inteligjente" të Prof.Nard Ndokës, tip: " kur bie shi është më mirë të kesh çadër me vete".

krasasi tp21/09/2017 15:30

Ne fjalimin e pare te z.Trump ne OKB ajo qe duhet vecuar eshte kujtesa per Korene e Veriut se carmatimi berthamor eshte ne rend te dites dhe jo provat berthamore dhe perfeksionimi i tyre.Nese ecet ne kete rruge , jam i sigurt qe as K.V dhe as Irani nuk do kene mundesi ,as mjete dhe as kohe te ecin kunder rrymes.Nje katrahure berthamore mund te vije edhe si rezultat i nje gabimi teknik, kompjuterik apo njerezor, pasi edhe pa e shenjestruar nji qytet japonez mund te behet hataja.Kunderpergjigja Amerikane do jete sigurisht a pa parashikushme.Ndaj dialogu midis shteteve lider antare te perhershme te Keshillit te Sigurimit te OKB por edhe me pjesemarrjen e shteteve me potencial berthamor por edhe ketyre cerrave si K.V dhe Irani duhet te coji ne nje kufizim drastik te potencialeve berthamore perfshi edhe studime per perfeksionimin e tyre.E njejta gje duhet te shtrihet edhe mbi armet konvencionale.Zgjidhja e krizave ne bote nepermjet respektimit te interesave legjitime te popujve dhe kombeve eshte interesi i te gjitheve.Perhapja e demokracise nepermjet konkurimit, sipas parimit qe nese ke nji model me te mire ,hidhe ne treg dhe afirmohu, eshte zgjidhja e perhershme.Shtetet lider ne bote, kane edhe pergjegjesine per mirembajtjen e krejt planetit, dhe mireqenien e krejt njerezimit, por kane edhe gjithe mundesite per t'na e imponuar modelin e tyre te perparuar.Ndaj per cdo anomali ,kerkohet pergjegjesija tek vetja.

Nebil 21/09/2017 10:59

"KRIZA E KUBES" NUK PERSERITET SADO TE PERPIQET PUTI APO XU, BOTA KA MEMORJE NUK ECEN ME SOVJETIZEM APO MAOIZEM E ANTIIPERIALIZEM AMERIKAN. AMERIKA SOT ESHTE FAKTOR PAQEJE DHE KONTROLLON BOTEN ME SHUME PERKIPMERI KUSH MUNDOHET TE SHKELI MARVESHJET DO TA PESOJE POR VETEM AI DHE JO TERE BOTA.

Shto koment

Denonco