Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

Mosmarrëveshja

Mosmarrëveshja

Nga Agron Gjekmarkaj - 11/04/2024

E nderuar Zonja Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Një tjetër marrëveshje me Bashkimin Europian ka mbërritur sot në këtë sallë “për pjesëmarrjen në tregun e përbashkët”!

Në substancë mes kësaj Qeverie dhe Europes qëndron “mosmarrëveshja” ekzistenciale., keqkuptimi organik, hilja metafizike, gënjeshtra e natyrshme!

Ne mbushim kamionë me letra, avionë me burra  e gra kostumosur allafrënga drejt Brukselit, qytet ky i cili sa më shumë i afrohemi po kaq largohet si një vije imagjinare horizonti.

Gënjeshtra  “allaturka” e trashë si salep derdhet binave të komisionit europian dukë lënë ngado njollat e veta të lëbyrta.

Shqipëria “socialiste” bën përpjekje të duket një shtet gazmor, ku paçja e pilafi e gatuar në akçihanet e propagandës derdhen lumë për turistet, ku ministrushet ja marrin valles me përdëllim  sevdallor.

Gromësimat e shkaktuara nga birra shndërrohen në melodi, kolonë zanore e aktualitetit si shprehje  më të larta mendimi liberal kur në fakt Shqipëria e qeverisë është një shtet gjithnjë e më lindor, më despotik, më e korruptuar, më e kriminalizuar me një qasje haxhi qamiliste ndaj Europës.

Çmimi për jetën e njeriut ka rënë shumë duke zhvleftësuar dhe çmimin e jetës së pulave. Europa ka parimin e ndarjes së pushteteve ndërsa neve na i ka marrë të gjitha një njeri i vetem.

Në krye të vëndit  është vënë një qyqar të cilit kolla e Elisës i duket tufan dhe ai ndien të ftohtë. E sheh  vëngër Bela i shkojnë mornica dhe futet në bodrum. Tao si formë lirie dhe autonomie e nxit të këshillohet me parrukierin, por Ulsiu nuk e lejon të japë asnjë mendim për çështjet publike, dilemë që nuk i jep dum.

Herë pas herëëe i merr mendje Nikos kur duhet të shfaqet si i hutuar dhe i habitur, si i gëzuar apo mërzitur duke folur përçart, me fjalor foshnjor, sipas stinëve, ku flitet për aromën e luleve, freskinë e ajrit dhe harenë e diellit!

Për të firmosur si kamarier lepe peqe çdo nismë të Kryeministrit të cilin kur e sheh në Iftar prej mjekrës e ngatërron me profetin dhe i zaliset tek këmbët, e di vetë, e ka merak jete.

Institucionet e pavarura kanë vetem një pavarësi atë të të shprehurit besnikëri ndaj shefit të ekzekutivit.

Pushteti lokal ka vetem një qellim, të shtojë sipërfaqen e patronazhuar në funksion të tjetërsimit të votës dhe të zvoglojë atë publike në favor të investitorëve strategjik të caktuar nga qeveria.

Ndonjë gjykatë kur guxon të japë vendim të vonuar,  që bezdis Edi Ramen, zihet me gurë nga mazhoranca dhe aty ska radhë kush do hedhë gurin e parë Toni apo Çuçi, Etilda apo Mimi, turren të gjithë  njëherësh çapraz e pa maraz. Shalsi rrëzohet rrugës dhe ndien si i kalojnë mbi shpinë, tek shtyhen, Xhemali me Nasipin, Cyrbja me Laertin, Erjoni me Majkon për të goditur kush e kush më parë. Rënkon por për kauzën nuk bëzan. I bëhet zemra mal kur sheh  gurët e shumtë nën pemë.

Gjykata të tjera janë në ankth nëse Kryeministri është apo jo i kënaqur sa duhet me përfshirjen e tyre si palë me pushtetin për ta lënë Opozitën jashtë legalitetit juridik. Shpirti Judes duket ku e ku më qelibar se ai i tyre.

Ndërkohë drejtorët  e ministrive, e të bashkisë si minjtë e Dino Buxatit grijnë trarët e shtetit , ëndrrat e qytetit por shefat e tyre nuk dinë gjë, ata janë në të drejtë të Zotit dhe punojnë për një Zot të vetëm.

Zoti është i madh por anija bëhet gjithnjë e më e vogël. Ka filluar të shkundet. Allahu akbar sanalli batall pat thënë Fishta në një udhëtim ne Bosfor!

Një tjetër gjykatë godet në kundërshtim me nenin 73 të Kushtetutës, i kufizon të drejtat Liderit të Opozitës, Kuvendi nxiton me urdhër politik dhe miraton këtë dhunë.

Pastaj po kjo njësi gjykatore pa akuzë, pa hetim, pa asnjë rrezik për të ndërhyrë në proçes po për llogari të një pushteti të kalbur, të korruptuar, nën muzikë skandalesh që mbajnë emra kumbues, sterilizim, pastrim, reflektim, aferim, incenerator,  cek-ap, kap e mos u bëj merak, merr e ik me vrap, nxito o zullap e vendos atë nën arrest shtëpiak!

Çfarë të përbashkët ka Shqipëria aktuale me Europën, çfarë lirie gëzon ajo ku themeluesin e pluralizmit Sali Berishën e arreston për arsye politike ?!

Po ju kujtoj se “Liria është një e vetme; zinxhirët që vihen padrejtësisht mbi njërin peshojnë mbi shpatullat e gjithsecilit.

Mos vini bast pa fund mbi provokimin e Opozitës dhe të shoqërisë. Mos luani bixhoz me reagimin e saj.

Të mëdhenjtë ndihen të tillë përsa kohë qytetaret rrinë në gjunjë por ata po ngrihen dhe të mëdhenjtë  do të bëhen xhuxhë. Asgjë e re nën këtë diell, gjithçka përsëritet.

Të rebelohesh ndaj padrejtësive është bindje ndaj Zotit, na mëson një nga themeluesit e demokracisë Benxhamin Franklin, një vlerë kjo sa amerikane aq europiane.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco