Kur korrupsioni kthehet në problem sistemik

Kur korrupsioni kthehet në problem sistemik

Nga Ola Xama - 29/03/2024

Nga ajo që lexohet nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme deri tani, si te çështja e inceneratorëve, sterilizimit, drejtuesit të Autoritetit Rrugor dhe te arrestimet e fundit në radhët e ish-drejtuesve të Bashkisë Tiranë, është rasti kur funksioni i shtetit kryhet nga krimi dhe administrata vihet në shërbim të tij.

Te inceneratorët pamë se si në vend të shtetit, dokumentat, vlerësimet, shkresa dhe përgjigje, prodhoheshin nga kompjuterat e kompanisë së Klodian Zotos. Në rastin e kompanisë “5 D Konstruksion”, siç njoftohet nga SPAK, vlerësimin në tendera e kanë bërë vetë punonjës të firmës fituese me pronarë ‘de facto’ drejtorët e Bashkisë Tiranë.

Ajo që ka kaluar çdo imagjinatë është se dhe user-at e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave i jepeshin administratorit të kompanisë fituese që të bënte shpalljen e vetes fitues.

Mendoj se po të hetohet më tej, shkelje dhe konflikt interesi do të gjendet dhe në të paktën 6 procedura të tjera ku autoritet kontraktor është Bashkia Tiranë, e cila përfaqësohet nga kryetari i saj. Shkelje besoj se gjenden dhe te kontrata të tjera, me OSHEE-në, Ujësjellësin e Durrësit apo dhe  drejtuesin aktual të Ujësjellësit të Tiranës që ka dhënë disa kontrata për këtë kompani.

Nëse hetimet do të ndjekin edhe qindarkën e fundit, nuk besoj se shpëtojnë dot dhe dhjetra kompani që kanë patur “5 D Konstruksion” si nënkontraktore, apo dhe sipërmarrësit e mëdhenj që kanë qënë në shumë raste bashkëpërfitues në këto tendera si bashkim operatorësh.

Nga rrjeta nuk do të shpëtonin as antarët e njësisë që hartojnë specifikimet teknike, vlerësuesit, antarët e komisionit të ankimimit dhe ata të monitorimit të kontratave. Do të duhej të shihej dhe cilësia e auditit të brendshëm, inspektimit financiar që bën Ministria e Financave, auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, zyra e ‘bilbilfryrësve’ e deri të audituesi i jashtëm i pasqyrave financiare në rastet kur autoritetet kontraktore janë entite tregtare.

Nga ajo që kemi parë deri tani, kemi kuptuar se të vetmit që kanë denoncuar këtë skemë janë gazetarët dhe kandidati për kryetar bashkie i PD-së Belind Këllici.

Në literaturën botërore korrupsioni ndahet në tre nivele: personal, profesional dhe i organizuar. Kur të tre nivelet bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe hallkat institucionale të auditimit dhe kontrollit dështojnë, korrupsioni klasifikohet si një problem sistemik.

Ndaj pyetja që lind në këtë pikë është se sa mundet dot që 19 prokurorë të vetëm, edhe sikur të kenë vullnet, të bëjnë punën e mijëra nëpunësve për të mundur një sistem të tërë?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco