Faza e fundit e çdo regjimi si ai i Edi Ramës është qesharakëzimi

Faza e fundit e çdo regjimi si ai i Edi Ramës është qesharakëzimi

Nga Alfred Lela - 21/03/2024

Në romanet e autorëve latino-amerikanë caudillo-t abuzivë, në fund të moshës dhe karrierës kthehen në impotentë që lagin shtratin. Në fund të Luftës së Ftohtë, diktatori rumun Çaushesku, që për disa dekada sundoi me dorë të hekurt, pati një vdekje tragjikomike. Manule Noriega përjetoi gjithashtu një fund qesharak. Në kontekstin që don të ilustrojë ky shkrim, me qesharak do të kuptojmë gjendjen apo fundin e njerëzve dhe regjimeve politike që kanë pretenduar për një kohë të gjatë një gjë, dhe janë përmbyllur me krejt të kundërtën. Si qesharake shihet rënia e tyre në raport me fuqinë dhe pretendimet e veta.

Në këtë rrafsh, edhe regjimi i Edi Ramës po kthehet në qesharak, çka do të thotë se është drejt fundit. Rama e nisi si kryeministër, duke shembur me tritol disa ndërtesa apo duke publikuar fotot e rrangallave të gjetura, me gjasë, në bodrumin e selisë së qeverisë. Ishte mënyra e tij për të thënë se, me ardhjen e Rilindjes në krye të punëve, do të merrte fund rrumpalla e qeverisë paraardhëse demokrate, do të mbizotëronte ligji dhe rregulli, dhe estetika do të ishte fytyra e gjërave.

Kështu, ai shpiku Rilindjen urbane, hoqi gardhin e Kryeminstrisë dhe mbolli instalacione në kopështin e saj, për të treguar hapje dhe orientim drejt së bukurës. Në anësoret e autostradës Tiranë-Durrës mbolli palma dhe disa minikupola të çuditshme betoni.

Njerëzit, përjetuan kështu atë që mund të quhet si faza e tronditjes, që vinte sa nga metodologjia e Ramës, aq edhe gjuha e zgjedhur për ta përcjellë. Kjo përzierje e jakobinizmit me sanguinizmin, e kaloi habinë e fillimit dhe publiku u bë shpërfillës. Pasi e kaloi fazën e dëshirës për të tronditur, Rama u fut në fazën e dytë, që mund të quhet e reformizmit. Pretendimet më të mëdha lidhen me Reformën në Drejtësi, dhe një aneks i saj, vettingu në polici, deri edhe te shfryrja e barkut të madh të policëve. Pa harruar një lejtmotiv, që e kishte bartur nga fushata elektorale, me ndriçimin e një klisheje që, si të gjitha klishetë është sa banale edhe popullore: “fajin nuk e ka individi, por sistemi”.

11 vjet më vonë mund të thuhet, tashmë me siguri, se regjimi i Ramës është në fazën e fundit, përmbyllëse. Janë tre shembuj ilustrues gjatë javës së fundit që dëshmojnë bash atë se Rilindja ka kaluar nga faza e tronditjes, te reformatorja dhe tashmë fle te qesharakja.

Rasti i parë lidhet me arrestimin nga SPAK të një drejtori të lartë, në varësi të Ministrisë që drejtohet nga zëvendësja e Ramës, B. Balluku. Pas një kontrolli në banesë, drejtorit Berberi iu gjetën disa piktura, të raportuara si të shtrenjta (kjo është një metodë e njohur e botës kriminale për të fshehur pasuritë e paligjshme apo pastruar para të pista: blerja e pikturave të shtrenjta nga autorë të famshëm të cilat në njëfarë mënyrë ‘ngrijnë’ asetet financiare deri në një moment të dytë kur ato ndërrojnë duar apo shiten, duke e marrë mbrapsht, ndonjëherë edhe të shumëfishuar investimin fillestar). Pretendimi i drejtorit të qeverisë së Rilindjes ishte fantastik: pikturat i kam bërë vetë. Sigurisht, është një pretendim prej të dëshpëruari, sepse nëse policët kontrollues (edhe pse me bark të rënë pas reformave!!!) nuk ia kanë haberin artit, SPAK, edhe pse mund të mos ketë njerëz edhe aq të ngritur në punë të kulturës, ia kërkon puna që të pajtojë ekspertë arti apo koleksionistë, për të bërë vlerësimin dhe nxjerrë të vërtetën.

Rasti i dytë është edhe më i lezetshëm. Policia lajmëroi se kishte ekstraduar nga Dubai një të kërkuar, shfaqi edhe pamjet kur ai zbriste nga avioni me duar në pranga. Të nesërmen ‘i ekstraduari’ tha krejt të kundërtën. Ai ishte kthyer vetë nga Dubai dhe i ishte dorëzuar policisë sapo kishte zbritur në Rinas. Blutë e kishin prangosur edhe e kishin hipur në shkallët e avionit nga i kishin kërkuar që të zbriste në mënyrë që të mund ta fotografonin dhe t’ja shpërndanin medias këtë ‘sukses’.

Rasti i tretë i përket një sanitareje që e nxirrete jetesën duke pastruar shtëpitë e atyre më mundësi të mira financiare (lexo: njerëz të administratës së Ramës). Njëra prej tyre ishte Ada Klosi ish-drejtoreshë, në banesën e së cilës sanitarja dhe i biri vodhën 500 mijë euro. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria kërkoi që vjedhësja e parave të taksapaguesve të dënohej me 1.5 vite burg, kurse sanitarja, që vodhi paratë e vjedhura me 4.8 vite burg. Me logjikë të thjeshtë, shuma e vjedhur ka qenë e njëjtë si për ish-drejtoreshën dhe për sanitaren, pra 500 mijë euro. Ndryshimi do duhej bërë te shpërdorimi i detyrës. Klosi ka shpërdoruar detyrën si funksionare publike, kurse Dobi ka shpërdoruar ‘detyrën’ si sanitare. Në çdo rast, barra e përgjegjësisë dhe e fajit duhet të ishte më e rëndë për ish-zyrtaren.  

Këto janë vetëm tre episode që kanë dalë në sipërfaqe. Por, që ilustrojnë më së miri banalitetin e së keqes, pra aklimatizmin me vjedhjen të qeverisë dhe administratës, korrupsionin, shtrembërimin e së vërtetës nëpërmjet propagandës, me çdo synim dhe çdo kusht.

Nga faza e tronditjes te e reformizmit, regjimi i Ramës ka kaluar te qesharakëzimi. Nuk është për të qeshur, sigurisht sepse shpenzimet e të tria etapave i paguan publiku.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco