Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Regjimi i Ramës, diktaturë kriminale që duhet larguar me çdo kusht

Regjimi i Ramës, diktaturë kriminale që duhet larguar me çdo kusht

Nga Agim Nesho - 16/03/2024

Rama dhe regjimi i tij i Rilindjes tashmë kanë ndërtuar një diktaturë kriminale të tipit putinesk që e ka devijuar rrugën e Shqipërisë nga rruga perëndimore. Sot çmontimi i këtij regjimi është bërë një detyrim moral dhe politik për të ardhmen e popullit Shqiptar. Kjo gjendje e rëndë që vjen nga mosfunksionimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të goditjes dhe përpjekjeve për të shkatërruar Opozitën, të arrestimit pa akuzë të liderit të Opozitës, të fuqizimit të interesave të krimit të organizuar për të kontrolluar shtetin, kanë sjellë si rezultat bashkimin e opozitës në një front të vetëm opozitar me një qëllim të vetëm, atë të largimit të këtij regjimi të errët.

Pra, sot strategjia politike e opozitës së bashkuar është e qartë dhe e gjithëpranuar dhe të gjithë luftojnë për të realizuar këtë strategji. Por a është e thjeshtë zbatimi i kësaj strategjie në kushtet e sotme? Sigurisht jo, për disa arsye:

Së pari, kushtet e sotme gjeopolitike pas sulmit kriminal të Rusisë kundër Ukrainës e bëjnë të pamundur investimin e faktorit ndërkombëtar për rikthimin e shtetit të së drejtës dhe promovimin e demokracisë. Interesat e tyre të momentit janë shumë pragmatiste dhe në funksion të një stabiliteti, pavarësisht se ky stabilitet është shumë i thyeshëm, jo realist dhe rrit konfliktet sociale në vend.

Së dyti, autokracitë ballkanike, siç është sot Shqipëria, fshehin karakterin e tyre të vërtetë duke u sjellë në mënyrë klienteliste dhe zbatuar çdo porosi që vjen nga Perëndimi, me moton ‘më lini të bëj cdo gjë në vendin tim se unë ju ofroj zgjidhje për çdo vendim që standartet demokratike të vendeve tuaja nuk e pranojnë’. Klientelizmi dhe favorizimi në baza personale dhe kundër interesave të vendit në shumë raste i mbajnë këta aktorë konjukturalë akoma në këmbë.

Së treti, niveli i lartë i korrupsionit të regjimit ka sjellë shpenzime marramendëse për lobim të shteteve dhe individëve për të mos kritikuar regjimin e Tiranës. Rasti McGonigal është një rast i pastër korruptimi që tregon veprimtarinë korruptive të Ramës dhe regjimit të tij.

Sot është e qartë që goditja e liderit të opozitës pa transparencën e nevojshme ka qenë një proces i shtyrë nga interesat dhe lobimi i regjimit autokrat të Rilindjes për të zgjatur pushtetin e tij të pakufizuar. Ideja për të qenë gjithnjë në pushtete kthen regjimin e Ramës në një ofrues të pasurive të Shqipërisë njerëzve që influencojnë në politikbërjen e shteteve më të fuqishëm të botës, për të bërë të mundur avancimin e projekteve që ai ka me Vuçiç, autokratët arabë dhe kthyer Shqipërinë në një zonë të lirë të interesave të autokracisë botërore.

Marrëveshja e mundshme e Ramës me J. Kushner për zhvillimin e turizmit në zonën e Vlorës nuk është gjë tjetër veçse një provë vërtetësie e Raportit te Kongresit Amerikan të drejtuar nga kongresmeni Raskin, i cili e vendos qeverinë e Ramës në njëzet qeveritë më të korruptuara në  botë “që kërkojnë të blejnë influencë në Shtëpinë e Bardhë”.

Së katërti, largimi i një milion shqiptarëve në dhjetëvjeçarin e fundit, kapja dhe kontrolli i institucioneve të drejtësisë, ka sjellë që revolta qytetare për të mbrojtur demokracinë të bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Prandaj aksioni opozitar është gjithmonë e më kompleks, ku strategjia e largimit të regjimit, si element i panegociueshëm, kombinohet me taktika të tjera të betejës opozitare në të gjitha frontet. E tillë duhet të konsiderohet edhe ulja në parlament e dy grupeve parlamentare kryesore që kanë interesa të kundërta.

Partia Demokratike, me aksionin e saj në parlament, arriti të fitojë përfaqësimin e saj si forca kryesore opozitare e njohur tashmë edhe nga komuniteti ndërkombëtar; të shkatërrojë arrogancën e një mazhorance autokratike që mohonte të drejtat kushtetuese të opozitës për krijimin e komisioneve parlamentare; nevojën që opozita kryesore të marrë pjesë në Reformën Zgjedhore; ti djegë Ramës kartën e një qeverisje ‘demokratike’ me një opozitë të kapur. Kjo lëvizje taktike i mundëson Partisë Demokratike të fitojë betejën morale se kush duhet të përfaqësojë Opozitën, të ketë simbolet dhe vazhdimësinë e Partisë në kushtet e mohimit të plotë të përfaqësimit me procese gjyqësore të komanduara nga regjimi.

Realizimi i këtyre taktikave opozitare, sigurisht që krijon kundërshti. Disa deputetë të PD-së me të drejtë nuk besojnë se këto qëndrime taktike janë realiste, produktive dhe duke njohur karakterin e regjimit putinesk në Shqipëri nuk do të sjellin asgjë tjetër veçse dyshim në opinionin publik për veprimin e opozitës në një kohë që kërkohet një veprim i fortë dhe pa asnjë mëdyshje ndaj regjimit diktatorial. Po të ishim në kushtet e një vendi demokratik, për opozitën do të ishte e mjaftueshme që gjithë beteja e saj opozitare të mbështetej vetëm në lëvizjen kundër burgosjes politike të liderit të opozitës. Por lëvizje të tilla janë të pamundura në kushtet e një shteti të kapur, të një shoqërie që i vidhen zgjedhjet dhe i mohohen të drejtat e saj. Prandaj është e nevojshme të pranohet dhe respektohet diversiteti i veprimit opozitar dhe taktikat e ndryshme të luftës. Sot në frontin opozitar luftohet për të denoncuar aferat korruptive të qeverisë, punohet për të mbrojtur shtresat e paprivilegjuara si të pensionistëve, të fermerëve, për të fuqizuar zërin dhe rolin e gruas, dhe ofrohen alternativa për të ardhmen. E rëndësishme është bashkimi i aksionit opozitar dhe respektimi i strategjisë për shporrjen sa më shpejt të këtij regjimi.

Duke parë se sa thellë është shtrirë korrupsioni dhe sa larg kërkohet të blihet influence,ky regjim nuk mund të largohet pa një mosbindje civile, që ta tronditë në themele dhe pa realizuar një qeveri teknike që të sigurojë votën e lirë dhe respektojë vullnetin e sovranit. Përndryshe, zgjidhja e vetme mbetet revolucioni demokratik për të hequr tiraninë e mazhorancës dhe regjimin e korruptuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco