Princi Leka dhe Elia Zaharia si luftë e likuiditetit me permanencën

Princi Leka dhe Elia Zaharia si luftë e likuiditetit me permanencën

Nga Alfred Lela - 08/03/2024

Mbretëritë janë institucione të permanencës, ndoshta të vetmet të tilla në një botë likuide, të ndryshueshmërisë konstante dhe relativizimit total. Martesa është gjithashtu një institucion i tillë (derisa vdekja të na ndajë!), dhe për këtë trandicionalistët, që brenda lëndës politike quhen konservatorë, i vlerësojnë si njërën dhe tjetrën.

Shqipëria ka patur fatin (e keq sipas autorit të këtyre radhëve) të një mbretërie të ndërprerë. Atë rol dhe besim, që gjatë tranzicionit kemi dashur t’ia mveshim Presidentit, mund të ishte interpretuar mjaft më mirë nga një mbret. Monarku do të kishte qenë mbi partitë, sepse ai nuk do të emërohej prej tyre, siç është rasti i kreut republikan të shtetit tonë.

Në krizën e madhe të besimit ku janë edhe ato që duhet të ishin gjithaq institucione të permanencës, kisha dhe xhamia, pra religjioni (kujtoni disa ‘rrëshqitje’ drejt qeverizmave të një prej ipeshkvijve apo ndasinë e thellë në komunitetin musliman të ndarë në erdoganistë dhe gulenistë). Monarku, me gjasë, do të mbetej njëfarë rojtari që e shihte Shqipërinë si diçka me natyrë të përjetshme, dhe çdo gjë tjetër kalimtare. Shqipëria dhe Zoti do të ishin ato prej të cilave do të duhet të ruheshim, dhe do të duhej të ruanim.

Kjo mungesë permanence, ky fluiditet i gjithçkasë që rrëgjohet në asgjënë, kulmoi në konfliktin mes nipit të Mbretit Zog, Princit Leka dhe Elia Zaharisë, një aktore teatri që u bë për disa kohë Princesha Elia.

Shumëkujt mund t’i jetë dukur kitsch martesa e tyre, por edhe ajo dukje teatraliteti, siguronte shëmbëlltyrën e një trasferte sociale që kalon nga brezat te e ardhmja. Ishte një përpjekje për të thënë se ca gjëra nuk ndryshojnë kurrë dhe nuk kanë pse. Një këmbëngulje te tradita e cila sot është zëvendësuar nga një këmbëshkulje e gjithsejtë. Shndërrimi për 1 ditë i Tiranës në qytet të familjeve mbretorore të Europës, kishte diçka muzeale, eterne, të pagjasë. Një kujtesë se bota është e krijuar, por edhe se krijon, se Çezari dhe Zoti janë kuptime të kësaj ndërlidhjeje.

Qelbi i konfliktit shpërtheu në publik për t’i dënuar, si monarkinë ashtu dhe martesën, me damkën e një turpi. Por kini parasysh se kush janë ata që e ligjërojnë, e transportojnë damkën e këtij dënimi. Ushtarët e likuiditetit. Për shembull policët dhe prokurorët-duke hamendësuar se video ka dalë prej tyre- emrat e kolegëve të të cilëve gjenden në dosjen “Metamorfoza”, apo në përgjime të tjera të shërbimeve apo policive të huaja. Gazetarët e medias, mainstream apo digjitale, të cilët vetëlegjitimohen në kërdinë që bëjnë, me lajme që nuk janë lajme, me vojerizma që nuk janë gazetari, me deduksione të mbështetura në asnjë induksion, në reality që nuk ka lidhje me realitetin. Ai zell për ta publikuar dhe interpretuar videon e Lekës dhe Elias ishte hakmarrja e likuidëve ndaj permanentëve, e të lëngshëmve ndaj të përhershëmve. Një përplasje dy botësh ku, ajo që paraqitet mbretërore, edhe pse mund të mos jetë e tillë, me atë që është plebease, por nuk e pranon të jetë e tillë.

Të ndihmuar, sigurisht, nga banaliteti i skenave dhe gjuha e konfliktit, ata përfituan nga ky rast që u jepte të drejtën e shenjës së barazisë. Në një botë ku të gjithë tashmë ndihen të barabartë, më të pabarabartët janë ata që vlejnë diçka. Por ata janë pakicë dhe kjo i ekspozon dhe damkos.

Deri dje Princi Leka, Princesha Elia dhe Geraldina, ishin shenjë normaliteti në një Tiranë që preferon anormalen. Tani edhe ata janë si këta të gjithët. Distanca dhe permanenca kanw rënë. Kjo u lejonte sot inerpretëve të medias, sidomos asaj të majtës, që gëzonte me ashpërsinë e Mekes dhe opingave të tij në shtratin e Zogut në Pallatin e Mbretitt- që tani quhet i Brigadave-, t’i kthehej edhe njëherë familjes mbretërore shqiptare (tashmë kujtimit të saj).

E majta ngulmon ta vazhdojë luftën edhe pasi e ka vrarë kundërshtarin. Po sikur ai të ringjallet? Për ta çdo gjë është likuide dhe likuiditeti e vetmja permanencë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco