'Rasti Beleri': e kapën si 'bandit', e linçuan si 'grek' dhe e dënuan si 'armik politik'

'Rasti Beleri': e kapën si 'bandit', e linçuan si 'grek' dhe e dënuan si 'armik politik'

Nga Alfred Lela - 05/03/2024

Dënimi i Fredi Belerit, kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, i jep fund iluzionit se drejtësia e re është një sistem i ngritur rishtas për të mbrojtur Republikën nga ‘politika e keqe’ dhe të dobëtin nga i forti.

Çdo grimasë, çdo përpjekje për ta trajtuar “çështjen Beleri” si një konfigurim etnik shqiptaro-grek, është vetëm ndihma që partia në pushtet i jep klientelës dhe narrativës së saj në media.

Beleri u dënua si kandidat i opozitës, si kundërshtar i Ramës, si pengues i interesave ekonomike, të një apo disa grupeve pranë qeverisë. Ai nuk u dënua si grek apo si minoritar, pra si anti-shqiptar, sepse, si Kryeministri ashtu dhe forca politike që ai drejton, kanë përqafuar në disa raste, me Erdoganin apo me Vuçiçin, agjenda që, më të paktën, nuk janë në interesin shtetëror dhe kombëtar të Shqipërisë.

Të gjithë ata që e mbështjellin me flamurin shqiptar apo grek atë që po ndodh me Belerin, janë duke maskuar të vërtetën. Nëse e bëjnë këtë për një rrogë, për një agjendë apo për patriotizëm part-time kjo është çështje tjetër.

Dënimi i Belerit kontraston fort, është një shqyerje logjike, me të gjithë mozaikun e përgjithshëm të zgjedhjeve në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Për shembull, me dosjet e famshme 339 dhe 184, të cilat SPAK ua kaloi prokurorive lokale, duke deklaruar “moskompetencë”. Apo me pamjet filmike të publikuara nga Partia Demokratike në zgjedhjet e e 14 majit në Shkodër, ku autokolona të blinduara të “bandës Bajri” dhe ushtarëve të tyre, “vizitonin” qendrat e votimit dhe takoheshin me eksponentë të PS në Shkodër, në një fushatë të hapur frikësimi të kundërshtarit dhe të zgjedhësve. Këto janë dy raste me ‘zjarr dhe hekur’, pra të freskëta dhe të pashmangshme, por të tilla, apo më pak të bujshme, janë me qindra dhe mijra.

Pse u ndalën prokurorët te ‘manipulimet’ në Himarë? Pse shmangën shkeljet në shkallë industriale në shumë zona të vendit dhe nxituan te një dorë votash, të hamendësuara të vjedhura apo të paguara, në qytetin bregdetar? Pse ndodhi arrestimi i Belerit disa orë pas kërcënimit të Kryeministritt në TVKlan? Pse policia pagoi një provokator për t’i ngritur kurth Belerit? E të tjera, e të tjera.

Këto janë pyetje-fakte: vetëm të ngriturit e tyre, në kuadër të kornizës së madhe të zgjedhjeve të fundit apo të tjerave para tyre, duke marrë parasysh atë që njihet si dije e përgjithshme (common knowledge) i legjitimon.

A kanë bërë përpjekje prokurorët dhe gjyqtarët për t’i delegjitimuar? Fakti i moslejimit të Belerit për të bërë betimin, siç e kërkon Kushtetuta, dëshmon, si asgjë tjetër, atë se gjyqi kundër tij ka qenë një stisje politike ku janë përfshirë direkt Kryeministri, Policia, Prokuroria e Vlorës dhe më vonë SPAK dhe GJKKO.

Për trupën politiko-judiciale asnjë nga këto nuk ka rëndësi. Ato e kanë realizuar misionin. Fredi Beleri është sot i burgosur për faktin se në zgjedhjet e 14 majit kandidoi për koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”. Po të ishte nën siglën e Rilindjes ai sot do të ishte në zyrë dhe do të përshëndetej si model, si urë e shkëlqyer e harmonisë shqiptaro-greke.

Beleri nuk mund të jetë poster boy i manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, por vetëm i faktit se, kur nuk je në krah të pushtetit dhe më të fortit je i poshtër. Fredi Beleri nuk është sot në burg se ka ngrënë dardha pas shpinës së Ramës, por se “dardhat” e bregdetit të Himarës ia ka shtyrë për në Shëndre, Kryeministrit. Ato dardha quhen “investime strategjike” dhe nuk janë më shumë se ruspa dhe hekur-betoni i radhës mbi rripin e fundit të papushtuar të korridorit jonian. Edi Rama ia ka lidhur duart Fredi Belerit nga frika se ky mund të mos e lejonte t’ia lidhte sytë detit Jon me betonarmenë e 'investimeve strategjike'. Me këtë rast ka hequr qafe edhe një kundërshtar politik.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco