Gjithësesi, faleminderit Secretary ‘Blinden’, sinqerisht!

Gjithësesi, faleminderit Secretary ‘Blinden’, sinqerisht!

Nga Gent Strazimiri - 16/02/2024

Nisi si një lapsus "mes meje dhe meje" tek shikoja dje, Sekretarin Blinken të administratës Biden që takohej dhe shtrëngonte me buzëqeshje duart më të fëlliqura të këtij vendi.

Tek lavdëronte me fjalë të zgjedhura dhe i kryente qokat secilit prej zullumqarëve, përgjegjësve të situatës katastrofike të përshkruar me aq korrektesë dhe fakte konkrete në raportet e Departamentit të Shtetit dhe të CIA-s...

Blinken... Biden... "Blinden", (që në anglisht do të thotë i verbër), e ngatërrova një moment në mënyrë të pavullnetshme...

Në fakt ngatërresën po e shihja me sy, live, ndërsa vërtetë si një të verbër Sekretarin e Shtetit e drejtonin nga një i lig tek një edhe më i lig...

Si një i verbër erdhi dhe iku nga një vend ku parlamenti nuk funksionon (?!), ku kryeministri dhe qeveria vjedhin haptazi, brutalisht (?!), ku përgjegjës për korrupsionin endemik e të përhapur në çdo zyrë të administratës rezultojnë zyrtarët e nivelit të tretë (?!), ku raporti për zgjedhjet është identik me atë të Vuçiçit dhe niveli i demokracisë i njëjtë me atë të Putinit (?!)...

Ku arrestohen opozitarët që denoncojnë vjedhjen me fakte e prova, madje edhe gazetarët që disponojnë komunikimet e kryeministrit me bandat më të rrezikshme në glob...

Ku "pavarësinë" e drejtësisë "e garanton" vetë kryeministri dhe partia e tij, e vetmja në pushtet", të cilët haptazi dëshmojnë se "drejtësia e re" është krijesë e tyre...

Erdhi dhe iku si një i verbër që memorizon vetëm çfarë i përshkruajnë në vesh, në një Tiranë të stolisur në nder të tij me flamujt amerikanë, që për këtë komb të robëruar janë flamujt e lirisë e jo thjesht flamuj të një shteti mik.

Janë flamujt e "Zotit" në tokë, atij që nuk i duron dot regjimet, opresorët, hajdutët, domethënë ata që mishërojnë anti-vlerat, krejt të kundërtën e asaj që Amerika ka në themel të saj.

Erdhi, qëndroi disa orë dhe iku duke u sjellë si "blinde", si i verbër, ndaj së vërtetës së kobshme që po përjetojmë por, duhet falenderuar nga zemra sepse na zgjoi nga ëndrra e ëmbël, romantike e pritjes së shpëtimtarit, pritjes së "Zotit" që të sjell lirinë, në pak orë... aq sa ç'zgjat një film aksion i Holivudit, me happy end...

Duhet falënderuar sepse me verbërinë e tij dëshmoi se ai "Zot" nuk ekziston, e nëse lirinë, demokracinë, drejtësinë e drejtë e pret prej tij mbetesh në robëri.

Duhet falënderuar sepse na dëshmoi që "Zoti" që të siguron lirinë jemi vetëm ne vetë, të bashkuar!

Personalisht e falenderoj edhe për një "harresë" në agjendën që i kishin përgatitur: Dvoranin!

Verbërisht ia çuan në tryezë para 2 vitesh, për ta dekoruar si "kampion të anti-korrupsionit", në një vend ku një kampionat i tillë nuk zhvillohet dot sepse fushën, arbitrimin dhe rezultatin e e nxjerr korrupsioni.

Ndër tërë zullumqarët që verbërisht takoi dhe falenderoi, të përzgjedhurin e tij si "hero anti-korrupsioni" në 7.5 miliardë shpirt që popullojnë këtë glob... e harroi...

Farewell Mr. Secretary "Blinden", dhe faleminderit, sinqerisht!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco