Censusi i plehrave

Censusi i plehrave

Nga Agim Xhafka - 14/02/2024

Dje isha në Korçë. Mes farefisit e miqve takova edhe Calen, shokun tim të fëminisë.

-Sa gënjeni për censusin ju të Tiranës, bre!- ma priti ende pa më përqafuar.

-Po ku e sheh gënjeshtrën ti, bre?- ia ktheva korçarçe.

-Po ja, thoni që gjoja nuk janë shpallur të dhënat, gjoja po fshihen ato, gjoja na i kanë vjedhur iranianët. Çfarë nuk sajoni o t’u mbylltë e mendjes!

Sa do hapja gojën ta sqaroja, ai vazhdoi:

-Ne në Korçë na i kanë thënë rezultatet, lopka-lopka na i kanë bërë. Të kuptueshme, bre. Bile na i thonë dhe na i thonë përditë. Kemi qeveri transparente, po juve nuk u pëlqen e vërteta.

E pashë që të vazhdoje dialogun me të qe punë boshe. Nuk i merrte pykë mendja. Sado që të ngjiresha unë.

-Epo m’i trego mua atëhere këto shifrat e censusit, byrazer!- u talla.

-Ja bre lalkë, t’i shkoqit unë fët e fët,- tha.

E mori një pozë serioze sikur të qe vetë shefi i censusit.

-E mban mend atë rrugicën që zbriste si gjarpër nga kampi i punëtorëve te bulevard “Republika”?

-Atë që bënim ski kur binte borë, o?

Dhe sapo më përfshiu nostalgjia ai vazhdoi:

-Po, po atë. Banojnë 93 familje gjatë asaj gjarpërusheje. Dhe çdo mëngjes te dera varnin në gozhdë qesen e plehrave se ti e di që lagjet e vjetra me vila nuk kanë kazanë. Më pas vinte makina që i përfshinte të gjitha qeset te barku i vet.

-Dhe? Ç’lidhje kanë plehrat me censusin?- e pyeta.

-Kanë o byrazer se ja sot ajo rrugicë e gjatë e gjatë me plot 93 familje te portat sheh veç 5 qese plehrash. Të tjerët i derdhin plehrat nëpër botë. Pra s’ka nevojë t’i vonojë qeveria shifrat. I kemi para syve orë e minutë.

Ky fakt më trishtoi. Sa do i thoja që ke të drejtë, Korça vërtet e paska shpallur censusin, ai më tha:

-Ti e di që unë punoj te xhaxhai im që ka tavernën “Qejfi”. Prej muajsh matura 1985--1989 e gjimnazit kishin prenotuar për darkën e takimit të tyre. Kishin mall pas 35 vitesh.

-Dhe?

-Dhe e anulluan. Se nga 42 ish-nxënës në Shqipëri kanë ngelur veç 6. Të tjerët enden nëpër glob. Deri në Alaskë, o byrazer.

Calja më shtiu në mendime. Censusin pa e rrëmbyer iranianët e kemi rrëmbyer ne me jetën tonë plot halle,plot mangësi, plot vrima. E dimë mirë rezultatin. Sado të përpunohen të dhënat nuk mbulojnë dot diellin me shoshë.

-E sheh, Korça e ka shpallur censusin,- tha Calja.

-Dhe Tirana, dhe Shqipëria e kanë shpallur, por ne jemi të vdekur,jemi të pakallur,- fola me vete.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco