Fali Zot, se nuk dinë ç'bëjnë me këtë shëndetësi

Fali Zot, se nuk dinë ç'bëjnë me këtë shëndetësi

Nga Erion Dasho - 14/02/2024

Ministrja e Shëndetësisë, e emëruar pa bujë në shtator të vitit të kaluar dhe e mbetur për muaj të tërë "inkonjito" jashtë vëmendjes së medias dhe syrit të publikut, më në fund u bë e gjallë.

Politikisht u shfaq në karnavalin politik të rilindjes duke kritikuar as më shumë dhe as më pak, por Lalin e bashkisë, numrin dy të rilindësve. Sigurisht që kjo kritikë është bërë, sikundër çdo variete tjetër në karnavalin e Boratit, nën dirigjimin e "mjeshtërve të ceremonisë".
Pas daljes në skenën politike, nuk mund të mungonte edhe dalja në skenën profesionale, aty ku deri sot kishte patur maksimumi rolin e figurantes në show-n e Boratit për të ashtuquajturën "autonomi spitalore".

Nga Berati, në krah të një prej aleatëve më të ngushtë të Ramës, ish-ministrit Çuçi, ministrja Koçiu shpalli "binjakëzimin" midis spitalit rajonal të Beratit dhe spitalit bashkiak të Kuçovës.

Kjo ndërmarrje e Borates së shëndetësisë fut ujë nga shumë anë.

Së pari, spitali i Beratit, si spital rajonal, i shërben edhe Bashkisë së Kuçovës. Nëse Boratja e re nuk e ka marrë vesh akoma, kuçovarët kanë vite që, në mungesë të pothuajse çdo specialiteti në spitalin bashkiak tashmë të atrofizuar, i drejtohen edhe për shërbimet më elementare spitalit të Beratit.

Së dyti, spitali i Beratit vuan edhe vetë nga mungesa e mjekëve, ku shumë specialitete vitale për një spital rajonal mbahen në këmbë vetëm në sajë të mjekëve pensionistë.

Së treti, termi "binjakëzim" sugjeron për një marrëdhënie midis dy entiteteve të ngjashëm. Nëse ministes i lipsej një personifikim animistik, termi më i saktë do të kishte qënë "birësim", aq më tepër që ky term përputhet edhe me statusin prej vitesh prej jetimi të spitalit të Kuçovës.

***
Shpikjet e Boratëve të rilindjes me binjakëzime dhe birësime, mund të vazhdojnë në të ardhmen edhe me martesa, divorce, bashkëjetesa dhe flirtime.

Gjithçka, përveçse masave reformuese, seriozitetit prej shtetarësh, premtimeve të bazuara mbi analiza, programeve konkrete zhvillimore dhe, sigurisht, në përfundim edhe llogaridhënies.

Qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës presin ndërkohë të bëhen viktima e radhës e autonomisë "alla Borat", e cila vjen me faturën 3,000 lekë për vizitë, e barabartë kjo me një të tretën e pensionit mujor të pensionistit.

Qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës kanë vite që për ndërhyrje okulistike të cilat Dr. Aroni i bënte para pesëdhjetë vjetësh në spitalin që sot po "binjakëzohet", i drejtohen klinikave private të Tiranës, Durrësit apo Vlorës.

Qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës nuk kanë nevojë të "binjakëzohen" dy spitale të ngelur jetimë, pasi edhe binjakë, ata përsëri jetimë mbeten.

***

Pasi dështuan me turp me shëndetësinë falas, të cilën në dhjetë vjet e shndërruan në shëndetësinë ku qytetari paguan 60% të shpenzimeve...

Pasi e thanë shëndetësinë nga çdo financim, duke grabitur 500 milionë euro me koncesionet e tyre makute...

Pasi shkatërruan laboratorët e spitaleve dhe njësitë e sterilizimit për të mbushur xhepat e veta dhe të oligarkëve...

Pasi dështuan me turp me sistemin shëndetësor anglez, por në fakt rikrijuan sistemin e centralizuar sovjetik të etërve të dikurshëm...

Pasi i atrofizuan të gjithë spitalet rajonalë të cilët i lanë pa mjekë, pa infermierë dhe pa shërbime bazë...
... sot boratët tallen duke u ofruar qytetarëve dhe pacientëve demagogji, mashtrim dhe fjalë boshe sikundër shpikja me "binjakëzime".

Bashkëqytetarët e mi beratas e kanë vetë në dorë zgjedhjen:

Të durojnë "edhe pa drita, edhe pa ujë", por të kenë mirë Boratin dhe rilindësit, apo t'u kërkojnë llogari këtyre të fundit për talljen 33 vjeçare me votën e tyre.

Përsa u takon vetë boratëve dhe ynereve të tyre me shëndetësinë, e vetmja shprehje që u shkon për shtat është:

Fali, Zot, se nuk dinë ç'bëjnë...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco