'Përndjekje e egër'/ Si 'fluturoi' dosja e auditimit 650-faqe nga SPAK

'Përndjekje e egër'/ Si 'fluturoi' dosja e auditimit 650-faqe nga SPAK

Nga Edvin Prifti - 13/02/2024

Të nderuar miq,

Pas mëse 4 vjet hetimesh/përgjimesh nga SPAK dhe 3 vjet pas burgosjes sime, ky institucion më së fundmi ka ngritur 4 akuza njëra më e rëndë se tjetra ndaj meje, duke më përndjekur më egër nga të gjithe ndër vite.

Gjithësesi në asnjë rast nuk provuan që unë kam abuzuar me fondet publike, tendera dhe të tjera që është edhe detyra e tyre. Këto akuza arbitrare janë në vazhdën e persekutimit të porositur me synim final dënimin tim të padrejtë dhe mbajtjen e fondeve të ligjshme të sekuestruara. Sqaroj se:

Sigurisht që çdo njeri do të kuptonte se të më akuzosh mua për pastrim parash kur skam bërë asnjë investim është një makinacion i ulët. Pra akuzohem për pastrim parash po ndërkohe ku i kam pastruar kur skam asnjë pasuri të paluajtshme, aksione apo biznese përveç një apartamenti sikurse e konfirmon edhe Spak.

Auditimi financiar (një ekspertize kontabël) nga Auditues Ligjor i licensuar nga shteti Shqiptar, një dosje prej mëse 650 faqesh i dorëzuar fillimisht në gjykatë dhe më pas në Spak në dhjetor 2021 dhe ku justifikohej e tërë shuma që Spak ngre dyshime, jo vetëm që nuk është studjuar apo rivleresuar por çuditerisht “nuk gjendet më” në Spak, pra, me një fjalë ka “flutuar”.

Në asnjë rast Spak nuk vërteton se nga cili “aktivitet i dyshuar” vijnë këto fonde, detyrë e padiskutueshme e tyre dhe nuk mjafton kjo, por mesazhe në telefon dhe dokumente në excel në kompjuterin tim ku vërtetohet pagesa cash nga spitale private, këto as merren në konsideratë fare.

Kjo ka vetëm një emër, akuzë e pavertëtë dhe vjedhje në emër të shtetit!

⁠Në lidhje me 7 raste korrupsioni qesharakja kthehet në absurd.

Unë kam operuar mëse 7300 shqiptarë nga zemra dhe kam vizituar me dhjetra mijëra të tjerë. Spak ka 4 vjet përgjime të miat dhe nuk evidenton asnjë rast të tillë, gjithshka çfarë sipas kësaj organizate quhet “prova” janë mesazhe, deklarata apo thënie midis njerëzve të tjerë që shpesh herë janë fare të panjohur për mua.

Nuk ka asnjë filmim, përgjim ambiental apo evidencë përveç se çfarë i ka thënë njëri dikujt tjetër.

O tempo o mores! Korrupsioni ka dy anë, por në rastin tim nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv.

Pra, secili prej këtyre 7 rasteve ku në 4 prej tyre fatkeqësisht ka ndodhur vdekja e pacientit dhe është e kuptueshme që dhimbja kthehet në hakmarrje dhe më pas në manipulim, asnjë prej tyre nuk është i akuzuar për korrupsion aktiv.

I vetmi mesazh i imi (dhe jo i të tretëve) në një nga rastet është ai ku them që pacientja duhet të vijë në QSUT se s’ka pse paguan, ky mesazh nuk ndodhet sot e kësaj dite në dosjen e spak.

E gjithë akuza bazohet në trillime dhe biseda midis të dytëve dhe të tretëve.

⁠Më akuzojnë për fatura fiktive?! Po asnjë s’po kupton ç’lidhje kanë faturat me justifikimin dhe qarkullimin e të ardhurave, fjalë që përdoren në deklaratë për të krijuar disinformim, pra, unë për të justifikuar të ardhurat e mia marr fatura nga të tjerë?

Dhe në çdo rast çdo kompani ka bërë deklaratën përkatëse sipas të vërtetës që këtu s’ka asnjë fiktivitet.

4. ⁠Akuza për vjedhje. Këtu inkuizicioni takon fundin. Çdo element në lidhje me këtë projekt ka fatura dhe justifikime. I vetmi element është që ky projekt duhet të fillonte në mars 2020 dhe u bllokua pjesërisht për shkak të pandemisë COVID19 dhe mbylljes së universitetit.

Në konkluzion të nderuar miq.

I gjithë objektivi i ç’po ndodh është dënimi përfundimtar në furrën e druve të Torquemades së Inkuizicionit.

Kulmi arriti javën e kaluar kur na u konfirmua që dosja e auditimit dhe ekspertizës kontabël nuk gjendej më në Spak, edhe pse gjykata kishte urdhëruar që në nëntor 2021 administrimin e saj nga Spak!

Më kujtohet çështja e Enzo Tortora në Itali ku u fol për herë të parë për “orrore giudiciale” ose “Tmerri i gjykimit” apo për “prosecutor misconduct” dhe “supression of evidence” në USA për rastet e çështjeve të sajuara në të cilat prokurorët fshehin provat!

Mbase nuk kanë faj se ky mund të ketë qenë pjesë e trejnimit në Spak!

Me kujtohet një meme nga Lufta e Dytë Botërore kur një oficer SS duke ecur në një rrugicë e cila kishte tela me gjemba në të dyja anët dhe përtej telave ishin njerëzit që çoheshin në turrën e druve, përballë kishte një tabelë e cila shkruante: EDHE PSE S’BËNI POLITIKË, ËSHTË POLITIKA QË KA NEVOJË PËR JU! Pra ishte politika që kishte nevojë për krematoriumet dhe holokaustin.

Unë fola i pari për pandeminë dhe po marr shpërblimin, por edhe nëse një jetë është shpëtuar nga kontributi im i vogël, do të isha i lumtur!

Përtej çdo gjëje kjo është detyra ime!

Unë bëra për vendin dhe popullin tim aq sa munda! Të paktën shqiptarët nuk marrin më rrugën për t’u operuar në Stamboll apo gjetiu, por e bëjnë në vendin e tyre. Gjykimin jua le juve!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco