Subvencioni në shërbim të oligarkisë dhe parave të pista

Subvencioni në shërbim të oligarkisë dhe parave të pista

Nga Ola Xama - 27/01/2024

Një nga masat e para mbështetëse që mori qeveria për të amortizuar efektet që dha kriza e çmimeve të larta pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë, ishte dhënia e një subvencioni për kontratat publike që ishin në zbatim, të prekura nga rritja e kostos së lëndëve të para.

Me një akt normativ tërësisht të njëanshëm dhe të pakonsultuar me publikun, u vendos që të gjitha kontratat e punëve publike të shtoheshin me vlerat e rritura të materialeve sipas llojit nga 10-30%.

Dikush mund të thotë që u takonte. Unë i them që jo.

Kontrata është kontratë dhe biznesi është biznes. Nuk ka biznes pa risk, përveç atij te tenderave në Shqipëri. Në një skenar negativ, kompania mund të dilte pa fitim – se nuk është e thënë të fitosh gjithmonë, ose do të braktiste punimet dhe pjesa e mbetur do të duhej të tenderohej dhe njëherë. Do të priteshin ofertat, për të parë nëse dikush tjetër mund ta përfundonte punën me atë buxhet. Vetëm nëse nuk do të kishte interes nga asnjë firmë, atëherë mund të rritej vlera e fondit limit.

Akti u bë ligj, ligji nisi zbatimin, paratë u ndanë dhe një grusht kompanish klienteliste fituan. Po e lemë sikur nuk ka ndodhur asgjë e keqe.

Çështja është që çmimi i kostos së ndërtimit sipas vendimit që miraton Këshilli i Ministrave prej 390 euro/m2 nuk ka ndryshuar asnjëherë që nga viti 2016! Pra dhe pse çmimet e materialeve të ndërtimit u rritën, ata që ndërtojnë kulla për hotele dhe deklarojnë vlera të ulta investimi, paguajnë më pak taksa.

Ata që futin para ‘cash’ nga bota e krimit dhe u duhet që në letra të justifikojnë vlerë të ulët investimi, me qëllim pastrimin e parave e kanë më të thjeshtë. E kanë dhe më lirë koston e pastrimit, që mos deklarojnë TVSH në materialet e punimeve!

Edhe pse për koston e ndërtimit nuk u kujtuam asnjëherë, çmimin e referencës për shitjen e shtëpive e rritëm. Shteti merr më shumë taksa, ndërsa bosët e krimit dhe të korruptuarit kanë mundësi të deklarojnë vlera të justifikuara kur i shesin nëse dyshohen një ditë.

Çmimi mesatar i deklaruar për ndërtimin e kullave në Tiranë është 380 euro/m2, kur të gjithë e dinë që për të shtruar shtëpinë me pllaka dhe gips shkon më shumë!

Vlerën minimale të çmimit të ndërtimit përse nuk kujtohet njeri ta ndryshojë?!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco