Përçarja që bën Kadare nuk është mision, por vesi i tij!

Përçarja që bën Kadare nuk është mision, por vesi i tij!

Nga Enver Bytyçi - 10/11/2023

Ismail Kadare thotë se ‘Nuk e kuptoj ku është problemi me marrëveshjen për emigrantët’ që kryeministri i Shqipërisë, Rama, dhe kryeministrja italiane, Meloni, nënshkruan para tri ditësh. Kështu  shkruan gazeta ‘La Stampa’! Madje thotë se ‘nuk i interesojnë lojërat për pushtet’! Ndërkaq shkrimtari i oborrit thotë gjithashtu se ‘nuk i kuptoj ata që kundërshtojnë këtë marrëveshje’!

Pra shkrimtari Ismail Kadare nuk heq dorë nga marrëdhënia e ngushtë me pushtetet autoritare dhe totalitare. Ai, edhe në këtë rast, iu kundërvu qëndrimeve të opozitës ndaj marrëveshjes Rama-Meloni dhe mbrojti autokratin më të egër në historinë e shtetit shqiptar, pas diktatorit Hoxha. E mbrojti kleptokratin Rama, sepse Kadare nuk di ndryshe, nuk mendon dot ndryshe, nuk bën dot ndryshe!

Kundërshtimin e opozitës e ka emërtuar ‘lojë politike’! Ndërsa marrëveshjen unikale të Edi Ramës e konsideron si ‘humane’, pra jo një lojë të tij politike për të zgjatur pafundësisht sundimin e tij mizor në majën e pushtetit të Tiranës me ndihmën e Melonëve majtas e djathtas! Ndërkaq të gjitha ‘argumentet’ që Ismail Kadare ka përdorur për gazetën italiane ‘La Skampa’ janë përsëritje papallgaçe e propagandës së Edi Ramës.

Për Kadarenë, Edi Rama dhe llumi i tij tashmë prapa hekurave e në pritje për atje, përbëjnë ‘progresiven’, ‘të mirën’ e këtij vendi. Ndërsa ne që duam miqësi me Italinë e këdo tjetër, duke këmbngulur në interesat tona, qenkemi ‘e keqja’, ‘regresi’! Mendja e mbrapshtë e Kadaresë është shumë krijuese edhe në deklarata të tjera përçarëse!

Kadare me atë deklaratë vetëm se i hodhi benzinë zjarrit të dasive në vendin tonë! Dhe shkrimtarët e mëdhenj kurrë nuk angazhohen në ndarje e përçarje të kombit të tyre! Edhe se ai shkruan me talent të pazakontë, mbetet ende në moshën 87 vjeçare një përçarës i madh i shqiptarëve, në ‘miq e armiq’ të Italisë, në ‘miq dhe armiq’ të krishterimit, ‘në miq dhe armiq’ të diktaturave! Në këtë moshë Marksi e Lenini do ta kishin zbutur doktrinën e tyre. Ndërsa Kadare ende vazhdon të mbrojë oborret e diktaturave si në kohën e qoftë largut!

Sinqerisht kisha një dilemë deri sot për atë që përfaqëson Kadare, duke anuar nga pozitivja. Por falsiteti i tij të zhgënjen. Ai e di më mirë se unë se cilat janë rreziqet e asaj marrëveshjeje dhe sërishmi e mbron atë. Sepse vazhdon të mbështetë mbrapshtinë shqiptare. Ndërkohë që në këtë rast u jap përgjigje shumë pyetjeve që kisha atë natë tetori, kur Macron e dha Kadaresë dekoratën më të lartë franceze! Megjithatë përçarja që na bën Kadare nuk është mision, është vesi i tij!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco