Pushteti kyçet online: Nuk e ka zënë Covid, por virusi i hajnisë 10-vjeçare

Pushteti kyçet online: Nuk e ka zënë Covid, por virusi i hajnisë 10-vjeçare

Nga Hysni Gurra - 06/11/2023

Mazhoranca ngjan sot me një pacient që nuk pranon të mjekohet, refuzon ekzaminimet dhe kyçet online për të kryer veprimtarinë politike e kushtetuese sikur të ishte në gjendje emergjence.

Të gjithë e mbajnë mend periudhën 2-vjeçare të takimeve dhe punës online të institucioneve shtetërore e private gjatë pandemisë së COVID-19.

Pamje të tilla janë rikthyer sërish dy javët e fundit me parlamentin.

Është e njohur rezistenca e pacientit ndaj mjekut për t’u vizituar. E njëjtë është edhe rezistenca e hajdutit për t’u hetuar.

Kjo gjë po ndodh me mazhorancën socialiste, duke mos pranuar të hetohet sipas një protokolli të mirëpërcaktuar nga Kushtetuta e Republikës.

Pse ky kaos dhe mbledhje online të komisioneve parlamentare?

Opozita shqiptare prej kohësh po kërkon një të drejtë kushtetuese, ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për të hetuar veprimtarinë e qeverisë, gjëja më normale dhe më legjitime në botë.  Por pushteti i zhytur në korrupsion deri në grykë, po sillet si një pacient që refuzon ekzaminimin.

Arsyetimet nuk janë as ligjore, as logjike, janë vetëm forcë kartonash dhe brutalitet që buron nga numrat.

Për ta kuptuar qytetarët: çfarë nuk pranon pushteti?! 

Nuk pranon që parlamenti të hetojë vjedhjen e taksave të tyre!

Nuk pranon të hetohet çështja Becchetti dhe qytetarët të kuptojnë se për faj të arbitraritetit të pushtetit, më saktë, për shkak të qejfit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, qytetarët duhet të paguajnë miliona euro sipas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar!

Mazhoranca nuk pranon të hetohen investitorët strategjikë të lidhur me pushtetin që kanë grabitur bregdetin e jugut. Më thjesht, nuk pranojnë të hetohet vjedhja e pronave në bregdet nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, ndër të tjera!

Mazhoranca nuk pranon të hetohet grabitja e Portit të Durrësit për t’ia dhënë pasurinë mijëvjeçare të shqiptarëve një investitori arab në mënyrë të dyshimtë. Kështu, shqiptarët, përveçse humbasin portin, nga më të vjetrit në Mesdhe dhe botë, do të paguajnë para për të ndërtuar portin e ri, përkundër mashtrimit që qeveria tha se nuk do paguajnë shqiptarët për portin e ri!

Mazhoranca nuk pranon të mësojnë shqiptarët se sa para paguan kryeministri i tyre për udhëtime me avionë privatë nëpër botë, që janë miliona euro!

Mazhoranca nuk pranon që shqiptarët të mësojnë pisllëqet që ka bërë kryeministri i tyre me agjentin e lartë të FBI-së, McGonigal!

Mazhoranca nuk pranon komision parlamentar për të dhënat e sistemit TIMS, të cilat i ka grabitur ditën për diell! Nuk pranon sepse ato janë të dhënat e shqiptarëve dhe nuk do që të merret vesh për çfarë ua ka grabitur.

Mazhoranca nuk pranon gjithashtu që shqiptarët të mësojnë pse nuk marrin shëndetësi falas, siç iu është premtuar; përse nuk marrin shërbime cilësore në spitalin publik, sepse po u ngrit komisioni, shqiptarët do të kuptojnë se atyre u janë grabitur miliarda lekë nga Taksat e Tatimet për të ngritur Rama-Beqaj e Manastirliu një skemë mafioze vjedhje në spitalet publike!

Këto janë edhe arsyet pse mazhoranca reziston të ekzaminohet si ndonjë pacient jobashkëpunues, pasi ka frikë se të gjithë do të mësojnë që është me kancer, është me kancerin malinj që ka pushtuar çdo qelizë të saj, korrupsioni. ndaj edhe kyçet e bën mbledhje online sikur të ishim në kohë pandemie globale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco