Dil në dritë Edi Rama

Dil në dritë Edi Rama

Nga Ndriçim Kulla - 05/11/2023

 

Në disa pika referimi, nëse ka një vend ku opozita është e unifikuar si ndryshe nga baza është pikërisht parlamenti. Ajo tashmë ka një shumicë dhe vendim shumice, që mund të konstatohet shumë lehtë, me një ngritje të thjeshtë kartonash.

Por ka dhe një fakt që e zhvesh lakuriq Edi Ramën dhe kryetaren e tij kukull të parlamentit. Ajo e ka për detyrë të zgjidhë ngërçin shumë thjesht. Atëherë përse e sjell vërdallë? Sepse tutori i saj ka frikë për vdekje nga opozita e bashkuar. Dhe një turp e damkë e kësaj frike është populizmi i frikshëm alla diktaturë i urdhëruar i Ramës ndaj të gjithë deputetëve të opozitës, për të përjashtuar njëzëri kolegët e tyre opozitarë.

Kush është parë kjo në 30 vjet opozitarizëm? A nuk është ky një fenomen atipikë në politikë, në tërë përmasën europiane? Një tjetër fakt është reforma zgjedhore. Raporti i OSBE ishte një ‘luftë’ e hapur që Evropa i ka hapur mënyrës se si Edi Rama i manipulon zgjedhjet në Shqipëri. E dëgjojmë të dërdëllisë para mediave të tij që ushqehen në mënyrë të faktuar edhe nga inceneratorët, se nuk e ka frikë ketë opozite të copëtuar. Epo mirë, pse vallë nuk merresh me opozitën e vërtetë, atë që morri 600 mijë vota në zgjedhje dhe për të cilën flasin manipulimet e rekomandimeve?

Opozita është frika dhe tmerri yt.

Mbas gati një dekade notove në mjegullën që krijove ty me duart e tua të pista të mëshiruar me kryeveprën tënde të rrjetës së merimangës që torre e torre së bashku me McGonigalin, Lulzim Bashën, tashti përballja opozitare po të paralajmëron se je në luftë të vërtet me të. Tashmë nuk je më si në kohën e pengut, që i mbyllje gjyqet atij me miqtë lobist përtej atlantikut për të mos patur kurrë opozitë të vërtetë.

Je në luftë të vërtet për jetë a vdekje me frymën opozitare që po zgjohet vrullshëm. Pse strukesh si skuth prapa kleçkave dhe boshllëqeve juridike pa peshë e pa vlerë dhe do ta bësh reformën zgjedhore me dy tre kokrra të kukullës tënde që krijove me McGonigalin dhe lobime të pista, të cilat, ta dish, se koha një ditë do ti nxjerrë në dritë?

A nuk është kjo sjellja e atij që drejton regjimin? A nuk është shenjë frike e regjimit kjo? A nuk janë zgjedhjet baza e demokracisë për të cilën duhet luftuar me çdo çmim? Ndaj dil në shesh të parlamentarizmit dhe respekto kulturën politike të perëndimit Edi Rama dhe hiq dorë nga diskriminimi i mëtejshëm i opozitës në të gjitha të drejtat që Europa të kërkon për zgjedhjet e 14 majit.

Dil në dritë për zullumet e korrupsionit, që të të shoh tërë populli, se si ua ke marrë dhe si i ke harxhuar paratë e tij. Pse nuk i pranon komisionet parlamentare të opozitës? Pse nuk e pranon komisionin kushtetues të zullumeve të tua me McGonigalin të cilat prej tij janë pranuar?

Pse nuk pranon komisionin parlamentar të inceneratorëve?

Pse nuk i pranon komisionet e tjera parlamentare, kur sipas teje opozita e sotme nuk është asgjë, sepse është copë e çikë? Pse nuk e pranon opozitën? Pse kërkon të jetosh me çdo kusht në realitetin e mbrapsht plot hakmarrje dhe vrer ndaj kundërshtarëve politikë, që ke ushtruar për mbi një dekade me radhë?

Sepse ajo, opozita e përçarë për të cilën ti ‘birbilon’ aty apo këtu para mediave të tua të blera të tmerron. Dhe gjurmët e përçarjes, tek kjo kulture e poshtër politike që ke krijuar ty me lobimet dhe skenarët e kobshëm ndaj kundërshtarit politik, që nuk gjenden në asnjë literature dhe histori politike, përveçse diktaturave, do ta kapërcejnë jo shumë larg në kohë këtë konjokturë  të mbrapsht që të ka favorizuar padrejtësisht.

Nga që ke frikë dritën dhe të pëlqen errësira, ngre ulërimën në qiell për tymin e një pishtari në parlament i cili është veprimi më i mire që mund të bëj çdo parlamentar për të rritur ndjeshmërinë brenda dhe jashtë Shqipërisë për diktaturën që ke krijuar me ndihmën tinëzare të atyre ndërkombëtarëve të cilët nuk e di për çfarë arsyesh i janë bashkuar hakmarrjes tënde?

Pse shkel një të drejtë kushtetuese dhe nuk i jep përgjigje popullit, por gjen artifica? A je demokrat ti siç thua dhe mendon veç për popullin apo je diktator i popullit tënd që pushteti të është kthyer në bishë brenda vetes? E ke garën me popullin për ti rritur mirëqenien dhe zhvillimin shqiptarëve jo me bishën e pushtetit tënd.

Dil në dritën e komisioneve parlamentare dhe përgjigju! Janë përgjigje vitale për çdo njeri të këtij vendi që lidhen direkt me jetën, ekonominë dhe të drejtën e votës së tij, ndaj lufta radikale parlamentare e opozitës duhet të përkrahet nga çdo njeri, përtej së majtës dhe të djathtës.

Është luftë e drejtë dhe parimore, jo luftë për pushtet, ndaj duhet mbështetur dhe përkrahur në të gjitha momentet e saj të ardhshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco