Berisha (jo Doktori) që trazoi qeverinë

Berisha (jo Doktori) që trazoi qeverinë

Nga Nga Marsel Lela - 03/11/2023

Sali Berishës i është thënë shumë herë, publikisht, me shumë mundësi edhe privatisht, se ka gabuar me trashëgimtarin. Duke patur në mendje atë politik, Lulzim Bashën, kryetarin e PD për 9 vite. Preç Zogaj, një prej kritikëve të tij veteran, shpallte shpesh se Basha është ‘suksesi i fundit në politikë’ i Sali Berishës. Zogajt, si shumë të tjerëve për atë punë, i ka dalë teza kundër: Basha u bë dështimi i fundit në politikë i Sali Berishës.

Të hënën e një jave të shkuar në Top Story u shfaq një trashëgimtar tjetër. Kësaj here jo politik, por gjaku: Argita Berisha - Malltezi. Përballë moderators dhe gazetarëve Robert Rakipllari dhe Anila Hoxha, Malltezi shpalosi atë që ajo dinte dhe të tjerët fshihnin për dosjen që çoi në paraburgim të shoqin dhe në procedim të atin.

Dashamirësit, por edhe kritikët apo armiqtë, zbuluan një ‘Berishë tjetër’ në skenën mediatiko-politike, mund të thuhet një Berishë pa berishizmin. Qetësia e saj duket se vinte nga këmbët e ngulura thellë te e vërteta. Për asnjë moment nuk hezitoi dhe as u shpërngul nga pyetjet, duke u munduar t’i mbulojë me tymnajën e një argumenti pa lidhje, siç bëjnë zakonisht njerëzit kur zihen ngushtë.

E kompozuar në një partiturë që buron nga e drejta e atij që e njeh të vërtetën, dhe nuk ka nevojë t’i shmanget, zonja Malltezi dha atë që mund të quhet ‘intervista e jetës’. Bëri më shumë se i ati në një javë komunikimi të dendur politik dhe dha disa leksione, si djathtas ashtu edhe majtas.

Në të djathtë duhet ta marrin shënim performancën e Berishës junior. Komunikimi më i mirë është ai që i ka këmbët te e vërteta. Së dyti, të komunikosh do të thotë të shpalosësh vetveten, jo të pasqyrosh dikë tjetër, qoftë ky edhe lideri. Gratë në politikë sidomos, të cilat janë të rralla dhe shume sysh mbeten në politikë prej 30 përqindëshit më shumë se prej talentit, duhet të huazojnë nga intervista e Argita Malltezit. Të mos e imitojnë si të bijën e liderit, por të studiojnë repertorin e autoritetit dhe të shkëmbimit publik.

Qeveria duhet të nxjerrë mësimet e veta, po aq. Sidomos atë se kundërshtari politik i konsideruar armik nuk mund të shtyhet në cepin e mbijetesës, sepse mbijetesa e atij që është në të drejtë e kthen në favor ‘rrethimin’. Kjo u ndodhi me gjyqin e shtrigave kundër Berishës. E gjitha u kthye kundër dhe kjo u duk sidomos në anti-emisionin e mbrëmshëm, një javë më pas, për të kontrolluar dëmin publik që kishte shkaktuar për tezën e tyre të “Berishës së korruptuar” intervista e Argita Malltezit. Thirrja e Carlo Bolinos në rolin e Prokurorit, dhe shqipja e tij edhe më e ngathët se argumentet, dëshmoi alarmin qeveritar se platforma që u ngrit për të asgjësuar kundëreshtarin politik, u përmbys.

E gjitha përpjekja për ta rrëzuar intervistën me një anti-emision ndoshta mund të përmblidhet në fjalinë e Arjan Currit: të gjithë thanë atë që dinin nga dosja, por Carlo di më shumë se dosja.

Në fund, leksioni i madh për të gjithë është se Berisha nuk gabon me trashëgimtarët. Të paktën jo me ata që prodhon vetë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco