Z. Rama, kush përveç teje është 'Koka e Zezë' që na rrëfen Ahmetaj?

Z. Rama, kush përveç teje është 'Koka e Zezë' që na rrëfen Ahmetaj?

Nga Ndriçim Kulla - 10/10/2023

Ne tipologjinë e një njeriu ka aspekte, hobe, përvoja dhe etapa të ndryshme të jetës që formësojnë një njeri. Por po njëlloj ka dhe njolla, mëkate, humnera personaliteti e deri dhe rrugëtime ferri që ia dallojnë karakterin. Shumë herë e kam pyetur veten se kush je ti, pasi shumë herë shfaqesh si kameleon, që ndryshon ngjyrë dhe mendim, e herë të tjera si secila prej atyre tipologjive që përshkruan Dante, në secilin prej 9 rrathëve të ferrit të tij të famshëm. E përsëri, me  kaq shumë vjet në pushtet, duket këto rrathë nuk  mjaftojnë të ta përcaktojnë tipologjinë.

Kush je ti kryeministri Edi Rama? Kush je?! Ai i hashashit që përmbyti për vite të tëra Shqipërinë dhe që pasi fitove zgjedhjet me “tymin” e tij, ngjeshe në burg ministrin më të mirë të rendit që ka pasur Shqipëria, siç thoshe atëherë për Saimir Tahirin. Apo je “koka e zezë e vërtetë “ që na rrëfen nga “mërgimi i praruar”?!

Arben Ahmetaj, që dikur e ke quajtur si kokën më të madhe të financës shqiptare, si shpëtimtarin e ekonomisë shqiptare me programin socialist. Se çfarë është tani Ahmetaj, koka e vogël, e mesit apo koka e “tigrit” siç i thërriste vetes, nuk e dimë,sepse burrëria e tij përpara shqiptarëve që e majmën me dekada pushteti është një humnerë e pakalueshme për ta sjellë në vend e për t’u përballur me ta.

Tani ne na duhet të gjejmë “kokën e zezë”, “kokën e vërtetë”  të pushtetit të kryeministrit. Po të qe vetëm kaq do ta kishim gjetur se kush je, mirëpo bëmat e “kokës së vërtetë” i kanë kaluar kufijtë dhe oqeanet, dhe kanë rrokur për fyt të korrupsionit edhe vetë shefin më të lartë të FBI.

Po përse vallë e bëre këtë “kryevepër të korruptimit”? - Për të shkatërruar opozitën.

A ka rreth ferri që e shpjegon këtë kalim?!

A ka pasazh të historisë politike  shqiptare me të cilin ti mund të krahasohesh për ligësi, hakmarrje dhe turp? Atëherë si t’i lidhim të gjithë këta rrathë ferri ku i ke katandisur njerëzit me të cilët krenoheshe me këtë kapërcim gjigant prej 2 metroshi në prehrin e McGonigalit?!

Si  re kaq butë, pupthi në prehrin e kryespiunit, për një opozitë që e quaje të pa  vlerë, mjerane, tanimë gjithkush e kuptoi, por se si mund të vazhdosh lojën e qëndrimit në pushtet, këtë duhet “një kokë e madhe “ ta kuptojë.

E megjithatë, më e keqja pritej të vinte dhe erdhi. E kemi thënë që në krye të këtyre skandaleve, se ti do të bëje gjithçka për të shpëtuar veten dhe pushtetin, madje dhe “luftë”do bëje siç bëjnë të gjithë diktatorët.

Ja tek ndodhën ngjarjet e tmerrshme të Kosovës, ku serbët treguan fytyrën e tyre të vërtetë, ndërsa shteti i Kosovës korri një nga fitoret më të mëdha, duke neutralizuar një sulm terrorist me synim pushtimin e veriut të Kosovës.

A ka fytyrë më të nxirë, a ka rreth më të fundëm të ferrit se ku duhet të futeshit ti dhe ideja e “Ballkanit të hapur”, pas kësaj ngjarjeje?! - Jo.!

Po ti çfarë bëre? Si i sinkronizuar me Vuçiçin, Veriun e bëre tokë të askujt dhe propozove KFOR-in ta marrë në zotërim .

“Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve” thuhet, dhe “fati i keq” i Kosovës ta solli në derë rastin që të silleshe të paktën si nacionalist. Por ti as si maskara nuk di të sillesh, sepse ia ke shitur shpirtin djallit dhe nuk e mbrojte edhe kësaj here Kosovën ashtu siç ajo e meriton nga një kryeministër shqiptar.

Shiko sa shpejt vrapove të ndizje qirinj dhe të solidarizoheshe me Izraelin (dhe me të drejtë) por më parë s’e ke bërë këtë me Izraelin. Por çfarë hipokrizie krahasimi me vonesën, gafat politiko-diplomatike dhe skuthllëqet e propozimeve për Kosovën në rastin e ngjarjes  së saj. Atëherë kush je ti zoti Rama?

A të ka lëshuar ndonjëherë djallëzia të pyesësh vetveten se kush je? Vështirësia e ardhur prej gënjeshtrave të tua patologjike dhe dredhja e fjalës së thënë më parë, bashkuar me rrjedhën e “ferrit” historik ku e ke zhytur demokracinë dhe demografinë shqiptare (që këtë shpopullim biblik nuk di si të ta mallkojë), ma bëjnë detyrën të vështirë, gati-gati të pamundur në një artikull, sepse që të përshkruash një ferr tipologjik duhet një libër i tërë studimor.

Përgjigjen përfundimtare se kush je ti zoti Rama në këtë drejtim nuk mund të ta jap dot sot.

Sot mund të jap përgjigjen se librin e ferrit për Shqipërinë dhe shqiptarët që ti ke krijuar unë kam filluar ta shkruaj, dhe të jap fjalën e burrit se do ta përfundoj shumë shpejt. 

Është i vetmi libër që do të urreja ta shkruaja, sepse prek dhe Shqipërinë time të dashur, së cilës i je kryeministër,  por ti dita ditës po ma plotëson çdo fletë. Dhe me gjithë hallet e mëdha që kam më së shumti për shkakun tënd, do të jetë pikërisht dashuria për Shqipërinë ajo që do të më japë forcë që ta mbaroj e të fitoj mbi urrejtjen që kam për ferrin ku na ke zhytur të gjithëve nëpër gjithë këta vjet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco